Përdoruesi i drogës, mjeku në alarm: Nuk kemi metadon
Reagimi pas apelit të 26- vjeçarit në Shkodër për kurim e punë
Institucionet janë të gatshme të ndihmojnë 26- vjeçarin shkodran që është përdorues i drogës me shiringë dhe që kërkon t'i kthehet jetës normale.
Qendrës së Shëndetit Mendor i është deleguar kohët e fundit edhe shërbimi për të trajtuar personat që janë në varësi të drogës. Por ajo që mbetet problem, të paktën në Shkodër, është se mungon ilaçi që quhet metadon dhe që është terapi zëvendësuese për heroinën. Një gjë të tillë e bën të ditur drejtuesi i shëndetit mendor në Shkodër, mjeku neuropsikiatër Gjon Preçi. Ai shpreh gatishmërinë totale për ta ndihmuar me të gjitha shërbimet 26- vjeçarin B. P., por më parë duhet që minimalisht të ketë mjaftueshëm metadon.
"Ne ofrojmë një vlerësim të nevojave të tij psikologjike, nevojave të tij sociale që të trajtohet me punonjës socialë, por edhe mbështetjen e tij me ilaçe. Nuk mund të them fiks se sa është sasia e metadonit që kemi, që është terapie zëvendësuese për ata që janë përdorues të heroinës. Numri i metadonëve që vjen nga Ministria e Shëndetësisë është fare i vogël dhe nuk e di nëse kemi ndonjë rezervë që mund të ketë mbetur. Megjithatë, për sa i përket trajtimit kompleks, nëse personi është i destinuar që të bashkëpunojë, ne jemi të gatshëm që ta ndihmojmë me çfarë kemi", u shpreh Preçi. Sipas mjekut, ky rast specifik ka një zgjidhje, nëse i riu merr të gjitha shërbimet që i nevojiten dhe Ministria e Shëndetësisë nuk kufizon numrin e ilaçit metadon, i domosdoshëm për ata që konsumojnë heroinë.
"Mund të jemi të dështuar për shkak të mangësive që mund të ketë me metadonin, por personi mbase vuan edhe nga probleme të tjera psikiatrike, dhe trajtimi i tyre mund ta fusë në gjendje duke e stabilizuar dhe mund të gjenden mënyrat për ta shkëputur, dhe realisht ka shumë opsione. Ne, kohët e fundit na është deleguar trajtimi i personave që janë në varësi nga lëndët narkotike. Deri tani vetëm na është dhënë ky funksion për t'u mbuluar, por nuk kemi pasur asnjë kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë dhe nuk e di a do ta mbajmë ne apo jo. Sepse, të them të drejtën, e kemi kundërshtuar këtë shërbim që na është shtuar, pasi kemi mjaftueshëm të sëmurët e shëndetit mendor. Shto këtu edhe përdoruesit e drogës, na bëhet më e vështirë puna dhe nuk e di a kanë shkollimin e duhur stafet në të gjithë vendin. Gjithsesi, unë të gjithë stafin që kam mjekësor, psikologë, punonjës socialë dhe psikiatër bashkë, me gjithçka tjetër, ia vë në dispozicion personit që është vartës i heroinës për ta ndihmuar maksimalisht. Aktualisht te ne janë rreth 30 vetë që marrin metadon, ndërkohë që kërkesat janë më të mëdha. Nuk është se i kemi thënë se nuk kemi, por me mënyra të ndryshme jemi munduar t'i mbajmë sa më afër dhe t'i trajtojmë aq sa mundemi", theksoi mjeku psikiatër.
Ndërkaq, në një intervistë për "Panoramën" tri ditë më parë, 26- vjeçari u shpreh se
E kam lënë një herë tre muaj dhe një herë 6 muaj, por i jam rikthyer sepse s'kam gjetur mbështetje. Nëse e merr kush përsipër, jam i gatshëm”
donte ta linte drogën dhe t'i rikthehej jetës normale. "Dua të rikthehem dhe të jetoj normalisht si gjithë të tjerët. E kam të vështirë, sepse jam i varur nga heroina. Nëse shteti shqiptar më trajton si duhet, nëse shëndetësia shqiptare më mjekon siç duhet, nëse më mbështesin moralisht e më gjejnë një punë, unë kam vendosmërinë e plotë për ta lënë një herë e mirë. E kam lënë një herë tre muaj dhe një herë 6 muaj, por i jam rikthyer sepse s'kam gjetur mbështetje. Nëse e merr kush përsipër, jam i gatshëm. Dua edhe unë të rikthehem në gjirin familjar dhe të krijoj familjen time", u shpreh i riu teksa thekson se momentalisht paratë për drogën është i detyruar t'i sigurojë duke vjedhur. 55