Panorama (Albania)

Papagjoni: Si e kam njohur Luarasin, pse s’më “shiti” te Fadil Paçrami

Kritiku Papagjoni: U tremba kur mora vesh që e kishin arrestuar fill pas Festivalit të 11- të. Si mund ta burgosnin një artist si ai?!”

-

Mihal Luarasi është një ndër krenaritë e teatrit shqiptar, emër tejet i lakuar në meset artistike për risitë që solli në vitet ’ 50-‘ 60, për kalvarin ( apo picirin) që hoqi si i ndëshkuari i diktaturës dhe i përbalturi i kritikës servile; i njohur për vënien në skenë të dramës “Dhelpra dhe rrushtë” të Figueredos dhe “Njollat e murrme” të Minush Jeros, me të cilat fitoi çmimet e para në Festivalin e dytë dhe të katërt të Teatrit ( ky i fundit i shkurorëzu­ar dhe anatemuar fill pas shpalljes nga vetë faraoni i vendit, Enver Hoxha); modern dhe i guximshëm në orientimin dhe drejtimin e Festivalit të 11- të në Radiotelev­izion ( prej nga nisi mëpastaj udhën e ferrit, burgjeve, internimev­e, mallkimeve, me pompën e bojaxhiut krahut rrugëve të Tiranës). Luarasi ishte një mendimtar dhe kritik i mprehtë i teatrit prej nga kam mbajtur një tog shënimesh, skedash ( veçanërish­t për qasjet e tij analitike të viteve ’ 50-’ 70). Nuk e teproj po ta quaj teatrolog sqimatar me tekstin universita­r që ai shkroi për të folurin skenik dhe së fundi me librin e tij të vyer, “Teatri Kombëtar”. Mihal Luarasi ka mbetur për mua një idhull, një mit i krijuar vetvetiu në vetëdijen e kohës, pa imponimin e strukturav­e të dhunshme të propagandë­s, që paracakton­in hierarkitë artistike të para viteve ’ 90. Sa e vyer do të ishte ndihmesa e tij për teatrin nëse nuk do të përjashtoh­ej dhunshëm që andej për gati 20 vjet. Ai është anëtar i nderuar i sektit rebel e fort të pakët të disidencës artistike në Shqipëri. Në fillimvite­t ’ 90 vuri në skenë dramën “Hekurat” të Arpad Gëncit, autor i njohur hungarez, ish- presidenti antikomuni­st i Republikës së Hungarisë, miku i tij.

Mihal Luarasi e donte fort jetën. Tallej me të, d. m. th. me pleqërinë. Para pak muajsh e takova tek shëtiste i kapur për krahu nga një vajzë që e ndihmonte të ecte. Hapi i ishte zvogëluar tej mase, por ironia kurrsesi. Ishte ashtu i prerë, sfidues. Tejet ironik, sarkastik, shpotitës, tejet i mprehtë, diturak, vizionar dhe me një humor brilant, që të sjell ndërmend arketipin anglez, megjithatë ai s’e qas dot pranë lëkurës së tij pleqërinë, jo vetëm në mendim, në ato çka i mëton ndërgjegjj­a dhe loja e ideve, por edhe në trupin e tij robust. S’e qas as lodin, ekzotikën, patetikën dhe unë druhem se mos vallë m’i merr si “shakaçka” e “tepri lëvdatash” edhe këto shfrime të sinqerta të shpirtit tim e respektit që ndiej ndaj tij. Luarasi është mik i artistëve, mik i teatrit në krizën e identiteti­t të thellë, mik i kohës, terapist i shpresës së munguar, kritik i hidhët i atyreve që duan t’i hedhin teatrit sipri zhelen e plebës apo fadromën e biznesit të keqkuptuar. Ai provoi të ringjallte nostalgjit­ë e dikurshme të rinisë në Budapestin ku pat studiuar për regjisor, qëndroi disa vite atje, por era e vendit të tij, sado që plot baltë, pluhur e anarki, sado që në kuak- kuakun e bretkosave dhe moçalin politik kalbëzonjë­s, sado që shumë vite e kishte burgosur, i kishte hedhur supeve rrobat dhe pompën e një bojaxhiu për të mbijetuar, sado që me të shoqen e tij të dashur, Edin, hiqte picirin për të rritur fëmijët dhe përballuar ftohtësinë e njerëzve të trembur, kur e shihnin dhe i shmangeshi­n, e solli rishtas për të qenë këtu, te ky dhe i dashur, në Shqipërinë e tij, atje ku lind dhe prehet në paqe njeriu me rrënjë. Kjo “erë” e uli dhe në tavolinën e punës për të shkruar dramën “Gomone”, që u vu në skenën e Teatrit Kombëtar në 2003- shin.

Kam dhe do mbresa vetjake prej tij, natyrisht… E kam pasur një pjesë kohe pedagog të fjalës artistike dhe mbaj mend qetësinë, një vështrim si të avullt, si larg teje, tretur diku nëpër zgafella mendimesh e përsiatjes­h, hipotekat e të cilave i “mbante kyçur” vetëm ai. Para tij jam ndier i truar, sepse kam pasur jo dokëdo, por personalit­etin e njëmendtë të teatrit, përmasën e artistit, regjisorin vizionar, diturakun, kritikun. Madje edhe sot, imazhi që është sendërtuar kaherit në trurin tim mbi të si pedagog, mbetet imazhi i njeriut me të cilin duhet t’i matësh fjalët, mos të flasësh qesim, se ndryshe del me xhepat bosh nga biseda, si me bollkat e Çaplinit apo “hijen” e zhvlerësua­r të Aleksandri­t të Madh përpara ironisë së Diogjenit të ulur në sofat. Më ka pëlqyer ngaherë sensi i tij përtallës, shpotitës, kur biseda e tejkalon arsyen dhe gricet mes paragjykim­eve. Ishte e vështirë që mendimi i Mihal Luarasit të vihej në diskutim asohere në rrethet universita­re dhe të teatrit. Edhe kur kundërshto­hej, heshturazi ai pranohej si një reflektim që kërkonte kohën e mirëkuptim­it. Për shfaqjen “Të pamposhtur­it” ( 1972), dramë e Minush Jeros, si kritik i ri që isha, ende student, shkova në Korçë për ta parë, i dërguar nga revista “Nëntori”, dhe shkrova një artikull të gjatë në faqet e saj. Unë ende e kam në sy bisedën me të në një kafe pranë teatrit. U habita përse ai më begeniste veçmas, teksa unë isha ende student. Një grime here mendova se kërkonte një fjalë të mirë në shtyp për shfaqjen, sepse e kishin dëbuar nga Tirana dhe, ndoshta, kërkonte të kthehej me një pasaportë suksesi të merituar. Por jo, s’ishte kjo. Ai i njihte formulat okulte të shtetit dhe emërimeve. Ishte thjesht një respekt për mua si student që e kisha qejf librin, leximet, shkrimet, kritikën. Vetë ishte i tillë. Mbi të gjitha më pat lënë mbresë regjisura e Luarasit. Kisha parë të blasfemuar­ën “Njollat e murrme”, dy herë, dhe isha tronditur. Me të vërtetë jam trembur ditën kur mora vesh se atë e kishin arrestuar fill pas Festivalit të 11- të në Radiotelev­izion. Ç’po bëhej kështu vallë?! Si mund ta burgosnin një artist si Ai?! Ishte një nga idhujt e brezit tim. Fasadat e kalbura të iluzioneve të mia prej rioshi të indoktrinu­ar po binin me rropamë teposhtë. Mihallaq Luarasit ia mbyllën dhunshëm portën e artit, nuk e mbylli ai vetë, si një akt fundor e të natyrshëm karriere. S’RRI DOT PA RRËFYER EDHE NJË GJËZË

PERSONALE… Aty nga viti 1972, Luarasi vuri në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit dramën “Çështja e inxhinier Saimirit” të Fadil Paçramit. U fol gjatë për këtë dramë, për guximin e saj në kritikën që i bëhej burokratiz­mit, frymës mbytëse që hallkat e sklerotizu­ara të shtetit ushtronin ndaj mendimit të ri etj. Në Pallatin “Studenti” në Tiranë u organizua edhe një diskutim i gjerë lidhur me shfaqjen. Unë isha nga diskutantë­t, si të thuash, “nervozë” dhe “mohues” të saj. Fola me një ton të ashpër, përjashtue­s, duke kritikuar gjësende që mua artistikis­ht më dukeshin të paarrira; kërkova një thellim të konfliktit, sidomos këmbëngula në kritikën për karakterin cerebral që vihej re në ndërtimin e dialogut dhe të vetë personazhe­ve. Ata më dukeshin si shqiptues tezash dhe idesh në formë të gatshme, të drejtpërdr­ejtë. Mirëpo unë nuk kisha vlerësuar kryesoren: mllefin ndaj duhmës që vinte prej trupit në kalbje të vetë shtetit. Vë në spikamë se, për atë kohë, drama ishte e guximshme; më saktë, mendimi i autorit, sepse drama ( si dramë) më dukej më skematike nga disa drama më të organizuar­a artistikis­ht të tij, si “Shtëpia në bulevard”, “Ngjarje në fabrikë” etj. Vura re se diskutimi im u prit me një lloj nervozizmi nga autori. Disa herë ai nderte kokën nga M. Luarasi dhe diçka i pëshpërist­e. Që të mos keqkuptohe­m, dua të them se për vuajtjet e F. Paçramit dhe familjes së tij më ka shoqëruar një ndjenjë e thellë mallëngjim­i, të cilën e kam shprehur edhe në shtyp, pasi fati e solli që të isha dëshmitar i disa prej këtyre vuajtjeve, ato në Fushë- Arrëz, ku punova një pjesë kohe pas Plenumit IV ( 1973). Por të rikthehemi tek ndodhia me prof. Luarasin…

Ndoca ditë më vonë pas atij diskutimi, përpara oborrit të Institutit të Lartë të Arteve, me atë qesëndinë e tij të veçantë, profesor Luarasi m’u afrua dhe më tha: “Ti do të të emërojmë në Tropojë, jo në Tiranë?!...” Kur vuri re se unë, si student në prag të emërimit, po e merrja seriozisht shakanë e tij, më tregoi, me ato vetullat e ngritura lart e plot shpoti, se si e kishte pyetur Fadili për mua gjatë diskutimit: “Ç’është ky?!”, kurse Luarasi i ishte përgjigjur: “Ndonjë punëtor nga ata të Uzinës “Traktori”. “Aha…”, ishte mjaftuar me kaq Fadili. Ky gjest mua më pat bërë shumë përshtypje. Luarasi fare lehtë mund të më kishte shitur te njeriu i pushtetshë­m e disi zemërak i asaj kohe, por e anashkaloi, gati “teatralish­t”, sikurse dinte ta bënte ai!... Kurse unë mund të mos isha emëruar pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, por diku “ku kishte nevojë atdheu”. Andaj, ky gjest fisnik e mençurak fliste për zemërgjerë­sinë e tij, njëherit si artist, si pedagog e si qytetar. Unë i jam mirënjohës atij gjesti…

Ai provoi të ringjallte nostalgjit­ë e dikurshme të rinisë në Budapestin ku pat studiuar për regjisor, qëndroi disa vite atje, por era e vendit të tij, sado që plot baltë, pluhur e anarki, sado që në kuakkuakun e bretkosave dhe moçalin politik kalbëzonjë­s, sado që shumë vite e kishte burgosur, i kishte hedhur supeve rrobat dhe pompën e një bojaxhiu për të mbijetuar, sado që me të shoqen e tij të dashur, Edin...

 ??  ??
 ??  ?? Regjisori Mihal Luarasi
Regjisori Mihal Luarasi
 ??  ?? Kritiku Josif Papagjoni
Kritiku Josif Papagjoni

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania