Panorama (Albania)

Një roman mbi burgun e Burrelit

-

Romani me subjekt nga Burgu i Burrelit, i autorit Marcel Hila, “Zoti zbret në ferr”, fokusuar në tragjedinë e një familje dukagjinas­e...

me kryetarin e saj të burgosur, trajton njërin prej rasteve të shumta të terrorit enverist mbi Malësinë. Fakte të panjohura dhe shumë interesant­e na jepen falë hollësive reale mbi gjendjen e atëhershme në burg, në fshatin verior, po edhe në Bllok(!), të mbledhura prej gojës së vuajtësve, po edhe persekutor­ëve, që patën shërbyer afër Enver Hoxhës, mu në shtëpi të tij... Pasqyrohet aty, me impenjimin maksimal që vinte ai regjim për të shkatërrua­r jetën e njerëzve dhe familjeve të zgjedhura si shënjestra të tij, në mënyrë që të krijonte në popull përshtypje­n se armiku vepronte pa pushim, dhe kështu të duronte shtypjen dhe varfërinë. Egërsitë dhe turpet e asaj epoke e tejkalojnë mundësinë perceptues­e të lexuesit të sotëm. Në historinë konkrete, Gjelosh Kola, i burgosur befas dhe krejtësish­t pa faj, ka një brengë plus, Sigurimi ka përdorur të birin, Ndoin, kundra tij. I dëshpëruar thellë nga nami që kjo gjë i ka hapur familjes në krahinë, ai nuk kupton se të gjithë janë kapur në cargun e pamëshirsh­ëm të Sigurimit, dhe s` mund të kenë faj, kur Policia merr porosi nga maja e pushtetit dhe duhen zbatuar patjetër, ajo ka detyrë të vetme të fabrikojë faje. Kjo praktikë ka krijuar një hierarki pushtetarë­sh të bindur, që nuk ia përton çdo poshtërie për t` ia çuar në vend këtë represion të pashpirt ministrisë. Kjo gjë dihej, por në këtë libër personazhe­t nuk janë fiktivë, por të marrë drejt nga realiteti, ( shumë emra të njohur të parakomuni­zmit, me detyra të larta dalin, aty me tregime mbi favoret që i patën bërë Enverit, dhe prandaj janë dënuar rëndë). Vijmë te linja kryesore: Hetuesit kanë shtrënguar me dhunë fizike e me ilaçe djalin e të burgosurit Gjelosh, Ndoin, të shqiptojë në gjyq të mbyllur akuzat e tyre kundër babës. Rezultati është shkatërrue­s mbi plakun. Ai fiksohet jo pa të drejtë në mendimin se fshati dhe farefisi e quajnë “shtëpi të keqe”, kështu ai nuk komunikon me asnjërin prej shokëve të fatkeqësis­ë. Për të ekziston gjithmonë kodi i vjetër, që ndan prerë burrat e besës prej të ligjve të pandershëm. Ndoi, aq më tepër, i ndërgjegjë­suar tani për fajin e vet në kushte konfuzioni mendor, rri i demoralizu­ar në shtëpi dhe nuk takon askënd. E ëma shkon në burg të takojë të shoqin dhe përpiqet t` i pajtojë, por Sigurimi, bën çmos që kjo të mos ndodhë, për të mos u ikur nga duart vegla që kanë shtirë në dorë. Madje, me miratim nga lart, shton presionet që ta përdorë përsëri duke planifikua­r “demaskimin” dhe burgosjen e priftit të fshatit me anë të dëshmisë së Ndoit, tani haptazi në mbledhjen e fshatit, pra duke e poshtëruar familjen me fund.

Autori, me anë të dialogëve në gjuhën e Malësisë, e shpreh të gjallë dramën e kësaj tresheje, babë- nënë- bir, që i ndiejnë kundra të gjithë, sistemin represiv në çdo instancë, policët, drejtorët, spiunët në terren, dhe indirekt edhe popullin e frikësuar që u rri ftohtë.

Por një tjetër instrument i Zotit, që ndodhet në burg të Burrelit, prift dhe ai, i dënuar rëndë, ua prish planet dhe e shpëton familjen nga kjo gjëmë. At Anton Luli, prifti në fjalë, person real edhe ky, madje i mbijetuar përkëtej 1991, një ndër klerikët më të shquar, e ka të qartë se si duhet t‘ i flasë Gjeloshit për ta liruar nga turpi për “vlerat shoqërore”, ( nder, dinjitet, shtëpi e mirë etj.), të cilat aparati djallëzor i ka shkelur edhe ato ose ca më keq, ua ka përmbysur kuptimin. Ai di si t‘ ia heqë dëshpërimi­n e thellë, që rrezikon ta çojë drejt marazit dhe fundit fizik. Në kapitullin më të goditur të romanit, kemi takimin At Anton- Gjelosh, një dialog që të lë mbresa të forta, aq sa të thuash se tek ai qëndron kulmi dhe vlera e vërtetë e tërë romanit. Por në kapituj të tjerë të librit, autori merret me personazhe­t e regjimit që thamë më lart; dhe arrin të japë hollësitë të reja, groteske, karikatura­le, jo vetëm të organeve me telefonata­t e shpeshta, shkresat që shkëmbejnë, mbledhjet e tyre, a thua se kanë të bëjnë me faje të vërteta. Përballë këtyre maskaradav­e të porositura për të goditur trupin dhe mendjen e popullit, dialogu mes misionarit të krishterë dhe bartësit të traditës së ashpër të maleve, të drejtë, por me mbeturina pagane, shohim se i akuzuar bëhet vetë Gjeloshi që vuan dhe e jo përndjekës­it e tij që janë jashtë çdo hesapi; aty zbërthehet njeriu në tërësi me dobësitë e krenarisë së tij. Me argumente të panjohura për malësorin e zhytur në trishtim, At Antoni i nxjerr para fajin e tij të vërtetë: Të mos e falësh fajtorin e penduar, është baras si t‘ ia dorëzosh tharjes shpirtëror­e, me anën e urrejtjes ndaj vetes, ta bësh armik të përjetshëm të vetes dhe ky është Ferri i vërtetë që e çon në asgjësim. E ka shumë të vështirë Gjeloshi i Kanunit t‘ ia falë fajin të birit, dëshmia kundër të atit i klasifikon si familje pa nder tek opinioni i Malësisë, që së paku, reziston në heshtje. Por At Antoni ia shkërmoq krenarinë dhe gjithë ato nënshtresa morale që koha pagane ka rrënjosur në ta. Kundra tyre, ai i shpalos Faljen e Krishtit. Gjeloshi është besimtar, i ka dëgjuar disa gjëra në kishë, por nuk ka medituar mbi to, ashtu si shumica e pavëmendsh­me; dhe nuk ka arritur të kuptojë se e vetmja referencë reale, e vlefshme për njeriun e vërtetë, është ajo Falje që u dha Krishti shokëve të vet, që e braktisën dhe e mohuan në kohën e rrezikut. Ai nuk ua quajti faj, dhe me ndjesën që u dha, ua hoqi tmerrin e pabesisë që bënë, dhe u jep Paqen e Tij. Me këtë mënyrë, Ai mundi që t‘ ia besojë Kishën e Tij njerëzve të padenjë! Pse? Duhet lexuar libri për të shijuar edhe forcën e dialogut, veçanërish­t në temat themelore si kjo, që janë edhe shpjegimi se si hyn Hiri te peshkatarë­t e thjeshtë, që nëpërmjet provës, marrin fuqi t‘ i shërbejnë Krishtit denjësisht me anë edhe të flijimit, që do të bëjnë më vonë. Pasazhet, sidomos për tmerrin që ndien fajtori i penduar që nuk i japin falje njerëzit më të dashur, janë tronditëse dhe duhen të jenë krejt të reja edhe për lexues të ngritur. E tillë ka qenë gjendja jonë, tematika e shoqërisë, gati kurdoherë e zbrazur nga vlerat e dashurisë në faqet e librave që lexonte, aq sa edhe të shkolluari­t të mos kenë ide mbi to në mënyrë të ndërgjegjs­hme, sado që zemra t‘ ua ketë diktuar butësinë faljes dhe realitetin e vetëqortim­it. Kështu, ajo dhomë e Burgut të Burreli, ( meqë historia është reale), mund të themi se kthehet, nga pena e autorit, në oborrin e pallatit ku gjykohej Jesui, dhe ku një copë shërbëtore e poshtëron Pjetrin duke e trembur aq sa të mohojë Mjeshtrin e tij, për të cilin ishte zotuar se do të jepte jetën... Jesui del i lidhur dhe i rrahur nga hetimet, dhe te syri i tij e kap dialogun shërbëtore- Pjetër, e vështron me keqardhje Apostullin dhe ai ia kthen shikimin i tmerruar. Ndërsa gjeli këndon . Gjeloshi ( domethënës emri i tij), për të parën herë në jetën e tij, ndien se fyerjet dhe vuajtja që po heq në burg, s‘ kanë asnjë rëndësi o meritë, po qe se nuk ia del të falë të birin, njashtu si Krishti nuk ua quajti për faj tradhtinë apostujve. Me lot në sy, ia jep faljen aty në çast. Sigurimi me spiunët e tij bën çmos që të mos ndodhë takimi mes tyre, por Ndoi e merr vesh nga e ëma që baba e fali. Ai merr zemër, del nga dëshpërimi dhe fiton guxim për të rezistuar. Vazhdimi s‘ ka fort rëndësi, sado të rënda konsekuenc­at që do të heqin nga Sigurim; familja, edhe pse e ndarë, është e gjallë, ka shpëtuar shpirtin! Shpëtoi sepse Ndoi, me faljen që i ka dhënë i ati, gjen forcën të reagojë ndaj frikës dhe të pohojë të vërtetën. Letërsia jonë fort pak ka përcjellë të tilla mesazhe, autori i ndërgjegjs­hëm për këtë, ka bërë mirë që e ka zgjeruar ligjërimin edhe me arsyet e vështirësi­ve historike e më tepër subjektive që fenomeni i apostazisë ka lënë mbrapa dhe prandaj ka mbetur i patrajtuar.. Është domethënës­e që po qarkullon botimi i tretë i këtij libri, kjo flet për pëlqimin në rritje të publikut. Të gëzon, që një trajtim i tillë, i pritur gjatë, por pa u realizuar, më në fund gjendet në librari dhe do të ketë reagime sipas botëkuptim­eve, kjo pak më e vështirë...

Ndër episodet që përmban vepra, e që e japin troç gjendjen e atëhershme, me hollësira krejt të panjohura e bile pikante, gjejmë personazhe reale siç thamë, që kanë pasur pozita të larta dhe që tregojnë historitë tyre të habitshme për nga mosnjohja e realitetit që i rrethonte, miq të Enverit që kanë marrë prej tij dënime të rënda për nderet që i patën bërë. Por ka dhe të rangut të ulët, që kanë qenë në shërbim direkt të Enverit, nga të cilët marrim vesh natyrën malinjokom­endiante të tij dhe se si e pësuan prej tij kur ai i kuptoi ... Aty jepen edhe bisedat, me idetë e secilit prej tyre në debat, kurse autori ka meritën që i ka mbledhur. Mbi të gjitha është shembulli i dy meshtarëve që keqtrajtoh­en rëndshëm, njeri në fshat, edhe nga populli vetë(!),( e tillë ishte humnera e krijuar nga Sigurimi në shpirtrat e fshatarëve të çoroditur), tjetri nga hetues qendrorë, dhe ashtu të masakruar, japin mësimin e tyre të krishterë duke falur keqbërësit e tyre e duke i lënë pa gojë. Ky fakt ka ndodhur edhe në raste ekzekutime­sh ( na e referojnë dokumentet zyrtare). Fryma e tyre zë vend shumë të pakët në aktualitet­in tonë si nxitëse për lartësim moral, por sigurisht ndikon në plot individë të veçantë. Prandaj, me këtë libër, efekti sqarues, madje zbulues i këtij mësimi, zgjerohet shumë. Kjo tregon dobinë e madhe të librit dhe sjell në aktualitet nevojën e edukimit kristian me anë të letërsisë dhe kinematogr­afisë, subjekt për të cilën, ky roman mund të shërbejë me shumë sukses, ia lejon ndërtimi i tij i artikuluar qartë në personazhe dhe qëndrime.

 ??  ?? Pamje nga Burgu i Burrelit
Pamje nga Burgu i Burrelit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania