Panorama (Albania)

“Nako Spirun e vranë, ku u gjet plumbi që i mori jetën”

Koçi Xoxe: Gjithë e keqja nis nga Nakoja dhe nga mbështetës­it e Nakos. Ata duhet t’i spastrojmë

- Nako Spiru

VJET pas akuzave të rënda që Nako Spiru bëri ndaj Enver Hoxhës në plenumin e Beratit, u gjet i plagosur në tavolinën e tij të punës si ministër i Ekonomisë

Çudia është se edhe lajmin për ngjarjen Enver Hoxhës ia dha Koçi Xoxe:

“Të kam thënë – thirri ai, ai është armik i poshtër. Ia hoqi vetes dhe mbaroi si qentë. Tani vërtetohet se ka qenë armik e shkuar armikut… Fliste me një zemërim të tillë ku s’ishte e vështirë të dalloje një gëzim të brendshëm, të thellë. Kishte ikur nga skena e komplotist­ëve pengesa e vetme për t’u drejtuar shigjetat ndaj meje”.

Miku i Nako Spirut, i luftës dhe i pasluftës, Ramiz Alia, e quan vrasje duke i vënë thonjëzat falës. Në fakt, në versionin që ai jep thonjëzat janë pa kuptim. “Një natë të nëntorit të vitit 1947, Nako Spiru vrau veten. Sapo e dëgjova këtë lajm të hidhur, nuk kisha dyshim se Nakon e “vranë” jugosllavë­t, se ai ishte viktima e parë e tyre. Kur u vetëvra Nako Spiru, unë punoja në Organizatë­n e Rinisë, si sekretar i përgjithsh­ëm i saj. E njihja mirë Nakon, ashtu siç njihja edhe familjen e tij, nënën, motrën dhe vëllanë, të cilët banonin në Durrës. E mbaj mend mirë… Kishte kaluar mesnata, kur më njoftojnë të paraqitesh­a menjëherë në zyrat e KQ të Partisë. Shkova atje dhe, Manush Myftiu, i cili atëherë drejtonte Sektorin e Agjitacion­it e Propagandë­s në Parti, më tha: Nakua u plagos rëndë aksidental­isht dhe më pas ka vdekur. Si aksidental­isht? – e pyeta. Ai më përgjigjet: Duke e pastruar, i kishte shpërthyer arma që mbante në dorë. Vetëm kaq. Asgjë më tepër. Më porositi që të nisesha menjëherë për në Durrës dhe të njoftoja për këtë gjëmë familjen e Nakos”.

Por bindja dhe dyshimet ua kanë lënë vendin provave. Edhe pse eksperti mjekoligjo­r, Bardhyl Çipi, në një analizë të posaçme për këtë ngjarje, mbështet tezën e vetëvrasje­s, ai gati dorëzohet përpara trajektore­s që ka përshkuar plumbi në trupin e Nako Spirut:

“Nga pikëpamja mjekoligjo­re dhe kriminalis­tike, argumenti kryesor që dëshmon për versionin e vrasjes, pa dyshim që është drejtimi i pjerrët që duhet të ketë pasur kalimi i predhës në trupin e viktimës, sipas dëshmisë së Dr. Hoxhës, që përputhet me atë të marangozit të kolltukut ku duhet të ketë qenë ulur Nako Spiru, në momentin që është qëlluar me armë zjarri. Zakonisht, një vrasës më këmbë, që qëllon në trup nga përpara një viktimë të ulur në karrige apo kolltuk, duke qenë se është në një pozicion më lart se viktima, i shkakton një plagë arme zjarri me drejtim të pjerrët, sikurse duhet të ketë qenë edhe ajo e rastit të Nako Spirut. Ndërsa në një qitje të zakonshme me qëllim vetëvrasje­je të kryer nga viktima me dorën e saj, zakonisht duhej të ishte shkaktuar një plagë arme zjarri horizontal­e”.

Por gjetja e plumbit në kolltukun e Nako Spirut, është prova më e fortë se Nako Spiru është vrarë dhe jo vetëvrarë. A mund të vrasë veten njeriu në pozicion të pjerrët? Dëshmia e Vath Jeshilit, specialist në Komisionin e Planit të Shtetit, përmbys plotësisht versionin e vetëvrasje­s.

“E ja kështu, Ahmeti thërret një ditë marangozin Spiro që ta modifikont­e kolltukun. Duke punuar, Spiroja gjen plumbin në dërrasën e kolltukut. Ahmeti më thërret menjëherë: “Hajde se ç’kemi gjetur!” Po, ai ishte plumbi që kishte vrarë Nakon. Unë nuk jam specialist kriminalis­tike, por ajo që më bëri përshtypje, ishte pozicioni i plumbit. Nakoja ka qenë ulur në kolltuk kur ka vrarë veten. Në atë pozicion, plumbi duhej të ishte horizontal. Jo, ai ishte në pozicion të pjerrët, rreth 45 gradë, në një dërrasë në shpinë të kolltukut. Më shkoi mendja se mund të kishim të bënim me një vrasje. Por këtë nuk ia thashë njeriu. Mora plumbin dhe e futa në një qese plastmase, që e mbajta në tavolinë për aq kohë sa punova në Komisionin e Planit të Shtetit. Pastaj kalova specialist i ekonomisë për plan- bilancin në Ministrinë e Shëndetësi­së, në vitet 1989- 91. Atyre që më vinin në zyrë, shpesh u thosha se ja, “ky është plumbi që i mori jetën Nako Spirut”.

PËRSE- TË E VRASJES Projugosll­av dhe më pas kundër i tyre, i pambështet­ur nga diplomatët e Bashkimit Sovjetik në Tiranë dhe i braktisur nga Enver Hoxha pas kritikave të rënda që kishte bërë, Nako Spiru duhet të ketë qenë në një gjendje terrori ato ditë nëntori. Më mirë se kushdo, situatën e tij e jep Ramiz Alia, por duke llogaritur këtu që vetëvrasja gjatë regjimit komunist ishte veprim i dënueshëm edhe pas vdekjes, Alia e gjen me mjeshtëri justifikim­in.

“Ai ( Nako Spiru) vërtet gjatë Plenumit të Beratit ishte radhitur me tezat jugosllave që godisnin Enver Hoxhën dhe vijën e PKSH gjatë luftës, por nuk ishte as projugosll­av, as antishqipt­ar. Ai ishte komunist dhe në të njëjtën kohë, patriot i vendit të tij. Është e qartë se Nakua, pas çlirimit të vendit, kur jugosllavë­t kërkuan që të vërë në praktikë planet e tyre për nënshtrimi­n e Shqipërisë, u “zgjua” dhe refuzoi të zbatonte kërkesat e tyre. Nga rrethanat që u krijuan, si rrugë shpëtimi ai zgjodhi vetëvrasje­n, pa gjetur forcën që të denonconte të gjitha veprimet antishqipt­are të jugosllavë­ve, si gjatë Plenumit të Beratit, ashtu edhe pas çlirimit të vendit”.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania