Mësimet e fitores së Berluskonit
Kundër çdo ligji të gravitetit politik, lideri i opozitës italiane, Silvio Berluskoni, 81 vjeç, qëndron në këmbë duke shijuar fitoren e kandidati i tij për rajonin e Sicilisë. Edhe pse një fitore lokale, Berluskoni është ngjitur shumë në sondazhe duke synuar fitoren në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm.
Historia e tij politike është shumë e veçantë. Ai hyri në fushën e politikës më 1994, pas triumfeve të shumta si sipërmarrës: pronar i ekipit të futbollit Milan, pronar supermarketesh gjigante, pronar i rrjetit televiziv “Mediaset”, sipërmarrje ndërtimi, etj., me një pasuri prej 9 miliardë dollarësh. Berluskoni është sulmuar me të gjitha mënyrat e mundshme nga mediat dhe Prokuroria italiane me 109 gjyqe, 2500 seanca gjyqësore, 530 sekuestrime dhe 200 milionë euro të shpenzuara për avokatë. Janë të gjitha numra që tregojnë për odisenë gjyqësore të të pandehurit, të kurrëdënuar, Silvio Berluskoni.
Ai i ka provuar të gjitha, tri herë fitore të zgjedhjeve parlamentare dhe tri herë humbje. Herën e fundit, në 2011, u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të luhatjes së tregjeve europiane që shumëkush në krah të Berluskonit akuzoi bankën qendrore gjermane për rritjen e interesave të borxhit publik italian.
Marrëdhënia e tij me Kancelaren gjermane, Anxhela Merkel, ka pasur luhatje të ndryshme, edhe pse grindjet u sheshuan së fundmi në takimin e Partive Popullore Europian ne Maltë. Pajtuesi i gjaqeve ishte Antonio Tajani, president i Parlamentit Europian, që ka punuar shumë për të afruar palët. Rezultati i bisedimeve nuk vonoi shumë. “Silvio, mendo të mundësh populistët”, ishin fjalët e Kancelares Merkel për të mundur Lëvizjen 5 Yje në Itali, një forcë politike që kërkon largimin e Italisë nga zona euro.
Italianët në palcë janë një popull konservator që ushtrojnë filozofinë aq të dashur: “të ndryshojmë gjithçka, për të mos ndryshuar asgjë”. Berluskoni me intuitën e tij, për të bërë biznes dhe politikë, ka qenë gjithmonë një hap përpara politi- kanëve të tjerë italianë. Madje, kundërshtari i Berluskonit, ish- kryeministri Matteo Renzi dhe lideri i maxhorancës qeverisëse, akuzohet nga të tijtë se i ngjan tepër Berluskonit.
Aftësitë e Berluskonit për biznes, media dhe futboll janë tema që studiohen në sallat e universiteteve dhe korporatave private. Receta e tij politike orientohet drejt dëshirave dhe interesave të elektoratit, duke lënë pas dore nevojat e shtetit. Sloganet e tij të preferuara “më pak taksa për të gjithë”, “zero taksa mbi makinën e parë, zero taksa mbi shtëpinë e parë, zero taksa për start up”, “taksa progresive është një grabitje me armë e shtetit”, “më pak taksa, më shumë siguri” janë një manual i vërtetë politik. Historikisht italianët gjithmonë janë tërhequr nga njeriu i fortë, nga një lider karizmatik, i cili vetëm mund të zgjidhë problemet e vendit.
Megjithatë, “revolucioni liberal”, i propozuar prej tij në 1994, nuk është realizuar. Ndërsa një revolucion antropologjik të italianëve, nëpërmjet televizioneve komerciale, ia ka dalë ta realizojë. Këndej Adriatikut kanalet televizive (“Canale 5”, “Italia 1”, “Rete 4”) të Berluskonit i hapën kanatat e mendjes shqiptarëve, për të imagjinuar se ekzistonte një jetë më e mirë. Duhet patjetër thënë se ai ishte i vetmi politikan italian që shkoi në Brindisi, pas fundosjes së anijes “Katër të Radës” plot me shqiptarë në vitin 1997 dhe ftoi shumë prej tyre të qëndronin në shtëpinë e tij. Ish- kryeministri Berluskoni vizitoi Shqipërinë më 23 tetor 2002 dhe më konkretisht ishullin e Sazanit, duke falënderuar qeverinë e Nanos që bllokoi skafet e trafikut të njerëzve dhe drogës përmes një moratoriumi të mjeteve të lundrimit. Moratoriumi i skafeve i propozuar nga Berluskoni qëndroi për disa vite në fuqi, derisa u hoq në fund të 2013- s.