Panairi i Brukselit, Veliaj: Të tregojmë se jemi anëtarë të denjë të BE
Për 40 ditë me radhë, produktet tipike shqiptare, sikurse janë ato të verave, vaji i ullirit, produktet artizanale, medicinale, si dhe produktet turistike do të promovohen në një nga panairet më të mëdha në Europë, siç është Panairi i Brukselit. Stenda e çelur dje do të qëndrojë deri më 31 dhjetor. Në ceremoninë zyrtare të hapjes së panairit mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Brukselit, Philip Closse. Ndërsa e cilësoi një mundësi shumë të mirë promovimi, Veliaj tha se është detyra e çdo shqiptari të dëshmojë sot vlerat më të mira, të cilat na bëjnë anëtarë të denjë të familjes europiane. “Ne shqiptarët sot kemi një detyrë historike për imazhin e vendit tonë dhe për të treguar fytyrën e vërtetë të Shqipërisë, një Shqipëri bujare, artiste dhe një Shqipëri që e do të bukurën, e do të mirën dhe punon fort që t’ia mbërrijë të jetë një anëtare e denjë e familjes europiane. Procedurat për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian marrin kohën e tyre, por besoj se marrëdhëniet mes njerëzve janë marrëdhënie të pazëvendësueshme dhe marrëdhëniet që do të krijohen sot mes njerëzve dhe gjatë gjithë këtij muaji të festës janë ato që na bëjnë realisht europianë”. Për kryebashkiakun, ajo çka do të serviret në panairin 5javor është një copëz nga Shqipëria, një kartolinë për të njohur çdo vizitor me resurset e vendit tonë. “Në këtë rrugë do të ecin më shumë se 2 milionë njerëz. Jam i sigurt që do të keni mundësi të jeni një kartolinë e Tiranës, një kartolinë e Shqipërisë, e Shqipërisë së mirë, e Shqipërisë që ka nevojë të tregojë imazhin e vet të vërtetë, të tregojë se ka kulturë, se ka njerëz të mençur dhe të ditur, të tregojë që di të gatuajë, që ka një histori, vende të bukura, shije dhe estetikë”, theksoi Veliaj. Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Brukselit, Philip Closse, e cilësoi vendin tonë dhe Tiranën, kryeqytetin e shqiptarëve, si të ftuarit e nderit të këtij edicioni të panairit “Winter Pret”. Në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për kontributin e dhënë për mbështetjen e sh- qiptarëve që jetojnë atje, Veliaj i dhuroi homologut të tij belg Kullën e Sahatit të Tiranës. Gjatë vizitës në Bruksel, kryebashkiaku u takua edhe me komunitetin shqiptar që punon dhe jeton atje, si dhe vendosi një buqetë me lule në bustin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Përveçse do të ekspozohen produktet shqiptare, përgjatë mbrëmjeve në panair do të mund të shijohen prodhimet tipike shqiptare, e kombinuar kjo më së miri me performancë artistike nga Grupi i Ansamblit të Tiranës.