Panorama (Albania)

Gazmend Leka sjell Tason në Tiranë, jeta e piktorit prej metropolit

I frymëzuar nga një fotografi, Leka riprodhon një seri piktorike, si një letër drejtuar një miku

-

"Një vit më parë, kur buzë gjolit të Pogradecit, dy miqtë e vjetër, Gazi dhe Taso, u takuan, një fotografi e zakonshme, si çdo foto e realizuar pa mendje ( gati vjedhurazi), u premtua si subjekt për pikturë.

E sikurse ndodh zakonisht, subjekti i kapërceu shpejt pritshmëri­të e vetvetes, duke u shpërbërë në shumë copëza, si një hetim ekzistenci­al mbi vetë fenomenin". Thjeshtësi­sht, kjo është historia e një serie pikturash, që lindën nga një fotografi, rrëfyer nga kuratori i ekspozitës, Ermir Hoxha. Piktura të lidhura nën një titull: "Taso", si emri i piktorit, që është subjekt i tablove. Anastas Kostandini është një nga ata piktorë, që famën e ka të shtrirë në të gjithë Shqipërinë, por nuk ka zgjedhur të jetojë në Tiranë, por ka preferuar Pogradecin e tij, aty ku ka gjithçka që i mjafton një piktori për t'u frymëzuar. Aty ka liqenin, pulëbardha­t, peshkatarë­t, natyrën e bukur, njerëzit e butë, pse jo dhe kazanët dhe zamzanet e rakisë, që sa herë i ka bërë pjesë të tablove të tij. Por mbi të gjitha, aty ka qetësinë, larg zhurmës dhe thashethem­najave gri të metropolit. Dhe pikërisht Taso, në vetminë dhe habitatin e tij natyror, ka frymëzuar piktorin Gazmend Leka, të ngrejë një cikël të tërë pikturash, të ekspozuara në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura- FAB. Nuk është fort e zakonshme që një piktor të realizojë një ekspozitë për një kolegun e tij, ende të gjallë. Por fundja, si Gaz Leka, edhe Taso, i kanë lënë pas me kohë klishetë. Ata lundrojnë në të tjera etere. Madje, Taso e ka "ndihmuar" Lekën të dalë nga "kutia e zezë", t'u shkëputet thonjve të dragonjve të zinj, të hedhë tej mollën e Adamit, t'i "varrosë" maskat e vdekjes së njerëzve të shquar dhe t'i kthehet jetës, natyrës me kontraste të forta. Sepse bota e Tasos të imponon ngjyrë.

TABLOTË

Tabloja që i referohet fotografis­ë, nga zuri fill edhe kjo seri, e paraqet piktorin në qendër të saj, përpara kavaletit, pas shpine ka Linin, liqenin, një qiell i bukur, i pastër, anash ca shtëpi... Qëndrimi i tij tregon se në atë moment dikush e ka thirrur në emër dhe ai gati si të vinte nga një tjetër botë, kthen kokën për të ngrirë një moment në atë shkrepje. Pastaj, ky imazh shumëfisho­het, vetëm se asnjëherë nuk është i njëjtë. Janë 22. Një herë piktori përqendroh­et vetëm te portreti i Tasos, që sytë ia zë hija e kapelës, por vështrimi është aty; pastaj subjekti kryesor është tabloja, gjithçka tjetër është e paqartë; në një tjetër, e kuqja e ndezur e këmishës shkrihet me çatitë e kuqe të Linit, qiell dhe liqen bëhen njësh; ndalet te bojërat e shpërndara përtokë, një pulë që çukit aty pranë; pastaj ajo nuk është më aty dhe fokusi ndalet te ca rroba të nderura në tel, që nuk i gjen në një tjetër tablo. Dhe varkat në liqen, në pritje që dikush t'i nxjerrë në valë... Dimensione­t e tablove ndryshojnë, në varësi edhe të fokusit të piktorit. Por të gjitha së bashku krijojnë botën e Tasos, që kësaj here vjen në kryeqytet, jo thjesht përmes tablove të tij, por përmes dedikimit të një miku, që mbyllet në studio dhe mediton pikërisht për të. Dhe kjo gjendje meditimi ofrohet përmes dy tablove të mëdha ku paraqitet vetë autori. Në njërën syresh. në dialog me piktorin, në tjetrën, duke "dialoguar" me veten e tij, për atë botë padukshme, të errët, që përthyhet si shpëtim në një tablo, në një vepër artistike.

Ekspozita është e hapur në FAB deri më datë 30 nëntor.

 ??  ??
 ??  ??
 ??  ?? Gazmend Leka në ekspozitën “Taso”
Gazmend Leka në ekspozitën “Taso”
 ??  ?? Nga ekspozita “Taso”
Nga ekspozita “Taso”
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania