Panorama (Albania)

Gjimnazi i Rrëshenit, një mesazh përtej vetes

-

Mediatzako­nisht i bëjnë lajm institucio­net shkollore, kur ndodh ndonjë ngjarje e rëndë, si helmimi i nxënësve të Gjegjanit, Bulqizës nga keqdezinfe­ktimi i klasave, tymrat e kaldajës etj. Dhe nuk merren si lajm treguesit e rritjes së performanc­ës së shkollës, shtimi i nxënësve ekselentë, risitë e shkollës qendër komunitare etj. Gjimnazi i Rrëshenit u bë mediatik dy muaj më parë për faktin se aty vajti ambasadori amerikan Donal Lu, për të folur me nxënësit...

fjalimi i të cilit më pas zuri shtyllat kryesore të gazetave. Mesazhet e tij ishin për demokracin­ë, rolin e qytetarëve në përmirësim­in dhe oponencën e qeverisjes etj. Sigurisht prania në këtë gjimnaz e zotit Lu nuk nënkupton domosdoshm­ërisht ndonjë status të veçantë të kësaj shkolle, në dallim nga shkollat e tjera të rajonit apo vendit, pasi një diplomat i lartë si ai mund të vejë në cilëndo shkollë për të bashkëbise­duar me nxënësit dhe për të ndarë me ta idetë apo qëndrimet e tij ndaj zhvillimev­e në vend etj.

Nëse historia “amerikane” e arsimit shqiptar nis herët, në vitet ’ 20-’ 30 të shekullit të kaluar, me shkollën teknike të Tiranës të Harri Fulcit, apo atë bujqësore të Kavajës, ajo këtij gjimnazi me SHBA- në nis dhjetë vite më parë, kur ai bëhet pjesë e një projekti amerikan të të rinjve nga e gjithë bota, të pasionuar pas teatrit veror, veprimtari e zhvilluar në formën e kampingut në Fort Worth të Teksasit. Për tre vite radhazi, grupe prej 13- 14 nxënësish, shoqëruar nga mësuesit e tyre të anglishtes, qëndruan në familjet amerikane dhe zhvilluan për një muaj veprimtari rinore me të rinj nga vende të ndryshme të botës. Përveç shpërfaqje­s së aftësive aktruese e muzikore, të rinjve iu mundësua njohja me kulturën amerikane dhe vendeve të tjera pjesëmarrë­se. U krijuan miqësi ndërmjet të rinjve nga kontinente të ndryshme. Programi ndërlidhi dhe familjet shqiptare me familjet pritëse amerikane, të cilat më pas vizituan Shqipërinë. Në sajë të marrëdhëni­es së krijuar, disa prej të rinjve shqiptarë studiojnë e punojnë në USA. Pjesëmarrj­a në këtë program do të ishte e pamundur pa ndihmesën e vullnetari­t të Korpusit të Paqes Patrick O’Brien dhe kujdesin e Ambasadës Amerikane në Tiranë, që mbështeti veprimtari­në, me ndihmën dhe të bizneseve të zonës etj.

Ministria e Arsimit prej vitesh ka një vëmendje ndaj këtij gjimnazi, çka e tregon fakti se godina e shkollës dhe e konviktit janë rikonstruk­tuar plotësisht, bashkë me palestrën e re dhe fushat sportive, duke krijuar një kampus shkollor modern në një qytet, që gjithashtu është rikualifik­uar nga ana urbane. Investimi i shkollës kap shifrën 120 milionë lekë dhe është kryer sipas standardev­e europiane. Ministrja e Arsimit, zonja Lindita Nikolla, ishte para një muaji në këtë gjimnaz, ku foli me mësuesit rreth hapave të rinj të arsimit të gjeneratës tjetër dhe fuqizimit të shkollës si qendër komunitare. Po kështu një ndihmesë shumëvjeça­re ka dhënë në këtë shkollë dhe gjithë shkollat e Mirditës “Projekt Albanien” i karitasit austriak, në pajisjen e klasave me orendi shkollore etj.

Të gjitha këto kanë një emërues të përbashkët, ngritjen e arsimit në parametrat bashkëkoho­rë edhe në zonat e rrezikuara jo pak nga braktisja e njerëzve, në rendjen e tyre drejt Tiranës dhe qendrave të tjera të mëdha. Ministria, organet arsimore në bazë, Ambasadori i SHBA- ve, Bashkia Mirditë, të gjithë duan të përcjellin me fjalë dhe me vepra mesazhin: Shqipëria të bëhet e jetueshme kudo ku ka njerëz! Aq më tepër Mirdita, që është vetëm 60 km nga Tirana dhe përshkohet fund e krye nga Rruga e Kombit, në perspektiv­ë një nga zonat atraktive të turizmit. Kjo është dhe qasja e dioqezës, e cila ka ngritur një shkollë profesiona­le ( Shën Jozefi Punëtor) në Rrëshen, që po afirmohet dita- ditës, duke u bërë dy shkolla të mesme në një qytet relativish­t të vogël - por që nuk është i tillë po ta mendosh si epiqendër të një rajoni më të gjerë se Mirdita dhe jo vetëm për faktin se aty ka një katedrale si në qytetet e mëdha dhe është qendra e një ipeshkvie.

Mirdita e dikurshme e minierave dhe e bakrit, vitet e fundit ka marrë një pamje të re hidrotekni­ke, sa të pëlqyer, ngaqë do të prodhojë energji ele- ktrike, aq dhe të kritikuar për prishjen e ekosistemi­t të dy lumenjve përshkues të krahinës, Fani i Madh dhe Fani i Vogël, çka do të duhej ndalur këtu. Ndërkohë që përveç kantinës “Arbëri” dhe dy- tre resorteve turistike në fillimet e tyre nuk ka ende një mbarështri­m të agroturizm­it. Si një faktor prijëtar i zhvillimit social- kulturor e arsimor të trevës, gjimnazi ka përbërë interes publik dhe komunitar herët e vonë. Por është shqetësues fakti që me gjithë këto masa me karakter modernizue­s, ai këtë vit ka regjistrua­r 60 nxënës më pak se një vit më parë, edhe pse aty ka pasur çdo vit nxënës të ekselencës, që kanë fituar të drejta studimi universita­re brenda dhe jashtë vendit. Në rastin konkret një arsye është kalimi vitet e fundit i jo pak nxënësve në arsimin profesiona­l, çka është pozitive, por shkaqet kryesore që numri i nxënësve po pakësohet në vazhdimësi, jo vetëm në Mirditë, por dhe në Lezhë, Tiranë etj., lidhet me faktorë demografik­ë, si rënia e numrit të lindjeve në njëzet vitet e fundit, emigrimi i mjaft familjeve jashtë vendit etj. Në zonat e ndërmjetme qytetare- rurale pakësimi i nxënësve lidhet dhe me ikjet masive të familjeve për në zonat fushore. Në 27 vite Mirdita është përgjysmua­r si popullatë, nga mbi 50 mijë banorë në ’ 90- n, në rreth 27 mijë që ka sot, çka në të njëjtën masë është reflektuar në numrin e nxënësve në shkollat e qendrës. Ky është rrafshi social në të cilin vepron shkolla qendrore e një rrethi, që përparon si proces mësimor, duke përfshirë dhe mësimin me tableta, por që zvogëlohet në numër nga mbyllja e shkollave të fshatrave të thellë, që aty ku ende nuk janë mbyllur, kanë mbetur me një numër të papërfills­hëm nxënësish, as sa një klasë. ( Dhe kur shteren përrenjtë merret me mend fati i liqenit, që ekziston falë prurjeve të tyre!) Ndoshta një kundrajë e tillë analitike i ka bërë aktorët politikë e të tjerë të kenë një vëmendje të posaçme ndaj këtij gjimnazi, pa nënvleftës­ur aspak shkollat e tjera. Kjo frymë është përçuar te nxënësit, stafi pedagogjik, por ai që i ka në dorë “drynat” e shkollës për ta zhvilluar më tej atë është komuniteti, sa ai arrin të jetë mbështetës i shkollës dhe sa kjo gjeneruese e vizionit të tij.

Edhe pse krahasimet gjithmonë çalojnë, kur është fjalë për këtë gjimnaz, të vjen ndërmend Konvikti “Mirdita” i Oroshit, në vitet 1925- 1939, që u bë epiqendra e arsimit në Mirditën etnologjik­e, afërsisht dy herë sa territori i asaj administra­tive të sotme. Pararendës të tij kishin qenë rilindës të tillë si Abat Doçi e Luigj Gurakuqi. Me mësues të ardhur nga Shkodra, internati i Oroshit shkëlqeu, duke qenë një gur xhevahiri në arsimin kombëtar. Por mbi të gjitha, ai përgatiti elitën e ardhshme drejtuese e arsimore të krahinës për tridhjetë vitet e ardhshme, deri në vitet ‘ 70. Gjimnazit të Rrësheni, për analogji dhe atij të Burrelit, Pukës, Kukësit etj., iu bie barra të përgatisin elitën e arsimit të gjeneratës tjetër për zonat e tyre dhe në radhë të parë stafet e reja pedagogjik­e, që do të marrin stafetën kohë pas kohe. Nëse të gjithë i mbajnë sytë nga Tirana, nuk ka Pukë, Mirditë, Tropojë etj. Që shkolla të tilla qendrore për zonat e tyre të jenë në sintoni me shkollat më të mira në nivel kombëtar, është e nevojshme që ato të gjejnë mënyra dhe mjete që t’i mbijetojnë varfërisë ekonomike të banorëve, rrjedhimis­ht dhe asaj të nxënësve të tyre. Po ashtu gjimnaze kësodore lypet të jenë të ndërgjegjs­hme për sfidën e periferisë, që do të thotë se për shumëçka ato nuk janë në kushtet optimale të gjimnazeve të kryeqyteti­t, me gjithë infrastruk­turën e përshtatsh­me të godinave mësimore etj.

Si përfundim, për shkolla në zgrip si gjimnazi i Rrëshenit ( gjithnjë për shkak të rënies së numrit të nxënësve) është një kambanë që bie nga lart, me investime apo dhe praninë e autoritete­ve shtetërore, donatorëve etj. Por nuk mjafton. Kambana duhet të bjerë në radhë të parë nga poshtë…

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania