Saakashvili kërkon protesta për arrestimin e tij
Nga qelia e burgut në kryeqytetin e Ukrainës, opozitari Mikheil Saakashvili u ka bërë thirrje mbështetësve të dalin në protesta për të dënuar Presidentin Petro Poroshenko, dhe ka deklaruar një grevë urie. Saakashvili, një politikan gjeorgjian dhe ukrainas, ishpresident i Gjeorgjisë ( 2004- 2013) dhe ish- guvernatori i rajonit Odesa, u arrestua mbrëmjen e së premtes. Atij iu hoq shtetësia këtë verë nga Poroshenko. Saakashvili nuk është akuzuar zyrtarisht, por prokurorët thonë se ai bashkëpunoi me biznesmenë ukrainas të lidhur me Rusinë për të rrëzuar presidentin Petro Poroshenko. Saakashvili i ka hedhur poshtë akuzat. Ai duhet të paraqitet në gjykatë brenda 72 orësh nga arrestimi. Një zëdhënës i zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme, Andrei Lysenko, tha të shtunën se zyrtarët ndoshta do të kërkojnë që ai të mbahet nën arrest shtëpiak, pas paraqitjes së tij në gjykatë. Saakashvili rrezikon edhe të dëbohet në Gjeorgji, ku ai përballet me akuza për abuzim me detyrën gjatë viteve që ka qenë President. Saakashvili ishte figura kryesore në Revolucionin rozë të vitit 2003 me protestat që rrëzuan nga Presidenca Eduard Shevardnadze. Pas këtyre viteve, edhe Gjeorgjia ia ka hequr atij shtetësinë, pasi ka lëvizur drejt Ukrainës kur u largua nga Presidenca. Kjo do të thotë se ai nuk ka shtetësi. Ka hyrë në Ukrainë në shtator duke kaluar kufirin me Poloninë me ndihmën e një turme mbështetësish. Mbështetësit e Saakashvilit kanë ngritur disa dhjetëra tenda në një kamp proteste pranë ndërtesës së Parlamentit në Ukrainë. Autoritetet ishin përpjekur prej kohësh ta arrestonin Saakashvili- n, por ai kërcënonte të hidhej nga tarraca e ndërtesës ku qëndronte. Arritën ta kapin vetëm të premten në mbrëmje.