Lushnja trondit Kukësin, spektakël në transfertë
Flamurtari vijon rrugëtimin drejt kreut, Vllazninë e “merr era”
Për të parë një Kukës që pëson tre gola si pritës, duhet të rikthehesh pas, në ndeshjet kualifikuese të Europa Ligës kundër Austrisë së Vjenës në korrik 2016 ( 1- 4), apo ndaj Legias së Varshavës ( 0- 3), në korrik 2015.
Mirëpo, duke qenë se “Zeqir Ymeri” nuk është i mjaftueshëm për Europën, tre gola të pësuar në këtë impiant për herë të fundit janë regjistruar në vitin 2013, më 14 shtator. Ka qenë Vllaznia që i ka shkaktuar këtë humbje dramatike Kukësit, mirëpo Lushnja e Hysen Dedjas ia rikthen më aktuale se kurrë makthet e ngjashme. Në fillim Prençi jep shijen e fitores në fraksionin e parë, dhe më pas dopieta e kapitenit Sefa zhvlerëson barazimin e përkohshëm të Bakajt. Gabime amatore në mbrojtje, ku i fundit i vë vulën te Kukësi për situatën kaotike që po kalon ekipi, ndërsa për Lushnjën është një tripikësh i artë. Fitore që i rikthen besimin në garën për mbijetesë dhe dridh jo pak Luftëtarin e Vllazninë që tashmë duhet të bëjnë llogaritë për tri në lidhje me rënien… Një krosim i Metos merret nga Prençi që shfrytëzon vëmendjen e kushtuar të qendërmbrojtësve për shtatlartin Sefa, vjen nga pas dhe në qendër të zonës devijon sferën drejt rrjetës. Fraksioni i parë i lojës për Kukësin luhet i gjithi në tentativë për të gjetur golin e baraspeshës, por pa rezultat.
Pjesa e dytë – Kryegolashënuesi i Kukësit i vjen edhe një herë në ndihmë ekipit verilindor. Elis Bakaj nuk gabon brenda në zonë dhe i rikthyen qetësinë Kukësit në minutën e 48- të. Fation Sefa është njeriu i ndeshjes. Një pasim i Gavës me devijim perfekt të Pepës në të 66- tën, gjen kapitenin në pozicion, i cili e dërgon sferën në këndin e pamundur të Koliçit. Lushnja në ekstazë, por asgjë nuk ka mbaruar. Heroi Sefa ka ende një perlë. Në të 88- tën, tentativat e Kukësit marrin fund me një “nokaut” nga Lushnja. Një mosmarrëveshje e Shametit me Hoxhën i jep një “asist” Sefës që e ka të thjeshtë të shënojë edhe pas daljes së Koliçit. Kukësi pëson tre gola në “Zeqir Ymeri” dhe në fund, tifozët vendas brohorasin emrin e Lushnjës, të cilën e përcjellin me duartrokitje. Kampionët në fuqi... me kokën poshtë nga një sfidë “e turpshme”, siç e cilësoi trajneri Milinkoviç në përfundim. Flamurtari- Vllaznia
Flamurtari nuk ka falur në shtëpi, duke arritur të fi- tojë pastër ndaj Vllaznisë në një ndeshje ku reshjet e shiut dhe era e fortë ua kanë bërë punën më të vështirë futbollistëve, që kanë pësuar edhe dëmtime të cilat mund t’i lënë jashtë fushave të blerta për një kohë të gjatë, siç është rasti i Bushiç. Gjithsesi, vlonjatët me këtë trepikësh janë në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit dhe do të ndjekin të qetë rivalin e tyre Kamzën, që luan ndaj Luftëtarit. Ndërsa shkodranët zhyten edhe më poshtë në renditje dhe shpresojnë te ndalja e ekipit gjirokastrit, pasi diferenca me zonën e ftohtë është vetëm dy pikë.