Basha: Rama, shitblerje vote, shantazhe e kërcënime
"Kjo qeveri shkel me këmbë të drejtat e liritë e njerëzve"
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në Ditën Ndërkombëtarëve të të Drejtave të Njeriut deklaroi se shqiptarët edhe pas 27 vitesh të ardhjes së demokracisë, ende nuk zgjedhin të lirë.
Në një reagim për mediat, Basha theksoi se shqiptarët nuk gëzojnë dot lirinë e plotë të fjalës nga censura e qeverisë mbi median. "Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut duhej të debatonim si shoqëri për të drejtat e grave, të fëmijëve, për të drejtat e të rinjve, për përmirësimin e kushteve ku secili të ushtronte dhe të gëzonte të drejtat që i takojnë. Por fatkeqësisht, 27 vite pas ardhjes së demokracisë, ne shqiptarët ende nuk zgjedhim dot të lirë, nuk gëzojmë dot lirinë e plotë të fjalës nga censura e qeverisë mbi median, nuk përfitojmë dot nga liria e vërtetë e tregut prej monopoleve të pushtetit", deklaroi kreu i PD- së. Sipas Bashës, kreu i qeverisë, Edi Rama, e ka asgjësuar të drejtën për të zgjedhur përmes skemave të shitblerjes së votës apo shantazheve dhe kërcënimeve për zgjedhësit gjatë proceseve zgjedhore. "Edi Rama i ka asgjësuar këto të drejta me shitblerjen e votës, me shantazhe dhe me kërcënime. Qeveria e tij e shkel përditë dinjitetin e qytetarëve me makutërinë e tenderave e koncesioneve, me shpërdorimin që u bën fondeve publike, me arrogancën ndaj njerëzve. Kjo qeveri njeh vetëm privilegjet e saj dhe shkel me këmbë të drejtat e liritë e njerëzve të thjeshtë", shton kreu i PD- së. Një javë më parë, Kuvendi miratoi edhe një rezolutë të propozuar nga Partia Demokratike për dhunën në familje. Edhe gjatë asaj seance, përfaqësuesit e Partisë Demokratike u bënë thirrje shqiptarëve të mos heshtin sa herë që bëhet fjalë për dhunë, duke e vënë theksin te dhuna qeveritare, e cila sipas PD- së, është e iniciuar nga Kryeministri Rama. Sipas PD- së, nëpërmjet propagandës qeveria po tenton të mbulojë dështimet spektakolare të saj për të mbrojtur gratë e fëmijët, pa kërkuar ndjesë se në 4 vite qeverisje nuk arritën të mbrojnë asnjë viktimë të dhunës në familje, një prej tyre edhe gjykatëse.
Basha u ka bërë thirrje shqiptarëve të bashkohen për të kërkuar liritë dhe të drejtat që u takojnë. "Bashkimi i të gjithë shqiptarëve është garancia e fitores në betejën për liri dhe të drejtat njerëzore", ka deklaruar Basha.