IRONIA E AMBASADËS SË SHBA, PAS AKUZAVE TË BERISHËS PËR LU
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet nuk e mbështet maxhorancën në vendimin e saj për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm. Ndonëse deputetët e PDIU- së deklaruan pas zgjedhjeve se votat e tyre do t’i kenë pro Edi Ramës, përmes një deklarate për mediat arsyetoi mungesën e përfaqësuesit të saj në Komisionin e Ligjeve. “PDIU nuk do të marrë pjesë në asnjë komision apo votim ku shkelet Kushtetuta e vendit. Prokurori i Përkohshëm, i cili mund të zgjidhet sipas interpretimeve të maxhorancës, edhe me 36 vota, nuk ka asnjë referencë në ndryshimin që kemi bërë bashkërisht në nenin themeltar të shtetit në Kushtetutë”, sqaroi në deklaratën e saj PDIU.
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha u kujtoi anëtarëve të Komisionit të Ligjeve tri orë përpara se të zhvillonin seancë dëgjimore me kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm se po shkelnin Kushtetutën.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, Basha deklaroi se me 140 vota maxhoranca dhe opozita ndryshuan 1/ 3 e Kushtetutës kur miratuan Reformën në Drejtësi dhe ia deleguan Këshillit të Lartë të Prokurorisë zgjedhjen e Kryeprokurorit. “Nuk kemi krizë të zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, por kemi krizë të dhunimit flagrant të Kushtetutës dhe bllokimit të qëllimshëm të Reformës në Drejtësi. Prandaj Kuvendi dhe të gjithë institucionet e tjera duhet të merren me zgjidhjen e kësaj krize kushtetuese dhe jo me sajesa dhe arnime antikushtetuese, pazare politike, në kurriz të Kushtetutës. Kuvendi ka vetëm një rol në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, të votojë një nga tri kandidaturat që dërgon KLP. Dhe vetëm nëse njëri prej tyre merr të paktën 84 vota, zgjidhet Kryeprokurori. Nëse Kuvendi nuk arrin konsensusin maxhorancë- opozitë, atëherë Kushtetuta ia heq të drejtën Kuvendit, dhe ia kalon Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Një mandat i siguruar në shkelje të Kushtetutës, është nul, është i pavlefshëm. Është dhunuar Kushtetuta. Vetë hapat që ka ndërmarrë Komisioni i Ligjeve deri më sot, janë në dhunim të hapur të Kushtetutës. Po krijohen institucione antikushtetuese nga Edi Rama”, sqaroi Basha. Për kreun e PD- së e vetmja mënyrë që mund të zgjidhet kriza me Prokurorin e Përgjithshëm është respektimi i Kushtetutës dhe votimi në Kuvend me 3/ 5 e kandidatëve që kanë kaluar Vetingun. “E vetmja mënyrë për ta parandaluar këtë, është ndjekja e Kushtetutës. Pa paragjykuar askënd, zotëri apo zonjë, duhet të kalojë Vetingun dhe të ndjekë procedurën kushtetuese të propozimit nga KLP dhe të miratimit maxhorancë- opozitë me 3/ 5- at. Nëse ky konsensus, nuk gjendet, atëherë Kushtetuta e ka dhënë qartë zgjidhjen përmes renditjes që Këshilli i Lartë i Prokurorisë bën”, u shpreh kreu i opozitës. Ambasada e SHBA- së në Tiranë ka publikuar një foto ironike pas akuzave të artikuluara nga ish- kryeministri Berisha ndaj ambasadorit Lu dy ditë më parë. Berisha deklaroi në një intervistë televizive se ambasadori Lu është në konflikt interesi kur flet për Prokurorin e Përgjithshëm, pasi kryeprokurori Llalla e ka akuzuar publikisht për korrupsion. Në foton e publikuar nga ambasada e SHBA- së renditen disa nga “prapësitë e babagjyshit” ku në krye qëndron emri i ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu. “Shikoni kush ka përfunduar në listën e prapësive të dikujt këtë vit! # KonfliktInteresi. Lista e Prapësive të Babagjyshit: Donald Lu, qenushë, futboll, kafe, karamele”, thuhet në tekstin që shoqëron foton e publikuar nga ambasada. Ajo që e bën më ironik statusin e ambasadës së SHBA- së është fakti se në listën e “prapësive të babagjyshit” është fshirë fjala “trafiku”.
AMBASADORI Basha u tregua i kujdesshëm kur foli për deklaratat e ambasadorit të SHBA- së në Tiranë për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm, por kujtoi që një trup diplomatik nuk mund t’i kërkojë Kuvendit të shkelë Kushtetutën. “Personalisht nuk mund ta imagjinoj që dikush nga trupi diplomatik, kushdoqoftë, t’i kërkojë Kuvendit të shkelë Kushtetutën apo t’i kërkojë Kuvendit që të mos bëhet Vetingu i Prokurorit të Përgjithshëm, sepse kjo do të ishte jo vetëm pa sens, por do të ishte një thikë në shpinë e Reformës në Drejtësi, për të cilën kanë kontribuar në veçanti, të gjithë përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar. Ja ku është Reforma në Drejtësi dhe nuk mund t’i shkojë kurrë në mendje asnjë përfaqësuesi ndërkombëtar, t’i kërkojë shqiptarëve, apo faktorëve politikë, apo opozitës, të sh- kelin mbi konsensusin e 22 korrikut. Kjo për mua është e paimagjinueshme”, sqaroi Basha. KRYEPROKURORI Kreu i PD- së theksoi se deri në formimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në detyrë duhet të qëndrojë kryeprokurori Adriatik Llalla. “Natyrisht që vendi duhet të ketë kryeprokuror në kuptimin e parimit të vazhdimësisë së institucioneve. Siç është konstatuar nga të gjithë ekspertët, sa kohë një kryeprokuror i ri nuk është zgjedhur apo emëruar, kryeprokurori në detyrë do të vazhdojë ta mbajë detyrën, përndryshe, ai vetë konsumon një vepër penale, nëse e lë detyrën dhe lë vendin pa kryeprokuror. Është pikërisht dështimi i procesit të kandidaturave të shoqërisë civile, që ka mbajtur peng formimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Përgjegjësia për formimin e KLP- së është tërësisht e Edi Ramës”, tha kreu i PD- së.