Basha i prerë me ambasadorët e BE: Qeveria kreu puç kushtetues
“Veprimet e Qeverisë, po prodhojnë krizë destabilizuese”
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, nuk ka ndryshuar qëndrim për zgjedhjen e Kryeprokurorit të përkohshëm, edhe pas takimit të zhvilluar me ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu.
Qëndrimin e Partisë Demokratike se procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit ishte një puç kushtetues, Basha ia përcolli edhe ambasadorëve të 5 vendeve anëtare të Bashkimit Europian në një takim që zhvilloi pasditen e të mërkurës në selinë blu. Basha u takua me ambasadorët e Gjermanisë, Francës, Austrisë, Italisë dhe Greqisë në Tiranë, ku ra në sy mungesa e ambasadores së BE- së, Romana Vlahutin. Burime nga selia blu sqarojnë se në këtë takim Basha ka njohur diplomatët e huaj me hapat, përmes të cilave realizoi puçin kushtetues Qeveria dhe Kryeministri Rama. “Me veprimet e Qeverisë, që çuan në një puç kushtetues, që ka futur në krizë sistemin e drejtësisë, ka shkatërruar procesin politik në vend dhe po prodhon një krizë destabilizuese për vendin. 3 hapat e puçit kushtetues janë; vonesa e qëllimshme për mosngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, uzurpimi i kompetencave të KLP- së nga Parlamenti, zgjedhja e një Prokurori të Përgjithshëm me shumicë të thjeshtë dhe pa kaluar Vetingun”, mësohet të ketë deklaruar gjatë takimit me ambasadorët e 5 vendeve të BEsë në Tiranë. Gjatë takimit Basha ka theksuar se ky puç kushtetues ka futur në krizë sistemin e drejtësisë, ka shkatërruar procesin politik në vend dhe po prodhon një krizë destabilizuese për vendin. Kreu i PD- së ka pohuar gjatë takimit se të gjitha këto veprimet antikushtetuese kanë qenë të paramenduara nga Kryeministri Edi Rama. “Të gjitha këto veprime kanë qenë të paramenduara dhe të planifikuara nga Edi Rama për të zgjedhur një kryeprokuror që kontrollohet plotësisht prej tij, me qëllim shkatërrimin e hetimeve për dosjet kriminale të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos dhe politikanëve të tjerë të lidhur direkt me vetë Ramën. Opozita ka faktuar me vepra dhe jo me fjalë se ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë procesin e integrimit europian, përfshirë edhe çeljen e negociatave të anëtarësimit, por zoti Basha theksoi se procesi është plotësisht në dorën e Qeverisë, e cila duhet të përmbushë 5 prioritetet, që nuk varen aspak nga opozita.” Ka theksuar kreu i PD- së, Basha.
AKSIONI Takimet me diplomatët e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë shërbyer që kreu i PD- së të sqaroi qëndrimin që opozita do të mbajë në vazhdim. Kryetari i opozitës i siguroi ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian se, në përputhje me vlerat më të larta demokratike, opozita dhe qytetarët shqiptarë do të qëndrojnë me të gjitha mjetet dhe format demokratike në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë dhe kundër kapjes së drejtësisë nga Edi Rama, klanet e drogës dhe grupet kriminale që bashkëqeverisin me të.