Një vendim kryesisht simbolik
Në bashkësinë ndërkombëtare është bërë zakon prej dekadash një model: në bazë të vendimit të ndarjes së OKB- së insistohet që çështja e Jerusalemit të mos vendoset nga bashkësia ndërkombëtare për aq kohë sa të mos kenë rënë dakord të dyja palët. Unë nuk mendoj që një vendim i njëanshëm i SHBA për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit do të ndryshojë gjë në këtë drejtim. Veç kësaj, sjellja në votim në OKB nuk ka ndryshuar prej dekadash. Ekziston një koalicion relativisht i gjerë kundër Izraelit me rezultate deri tani shumë të njëanshme. Prandaj, vendimi të habit pak.
Në dallim nga lëvizje të tjera nacionale, të cilat kanë luftuar në dekadat e shkuara për shtetin e vet, palestinezët kanë gëzuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB- së çuditërisht simpati të mëdha. Konflikte të tjera, për shembull, në Saharanë Perëndimore: atje ka qenë gjithmonë shumë më e vështirë që të sigurohen shumica kundër pushtimit maroken. Palestinezët kanë pasur gjithmonë fatin që në mbështetje të tyre qëndronte bota arabo- islamike dhe më parë edhe lëvizja e Të Painkuadruarve. Në këtë kuadër, Asambleja e Përgjithshme ka një traditë të gjatë të pozicionimit të njëanshëm.
Nuk duhet harruar se pas përpjekjes për ta përjashtuar çështjen e Jerusalemit nga njohja ndërkombëtare e Izraelit qëndron mendimi për ta ndarë territorin në një shtet hebre dhe në një shtet arab - dhe të gjithë, vëzhgues arabë dhe hebrenj, besojnë se ky hap do të vijë një ditë. Shumë nga ajo që ndodh përreth Jerusalemit është para së gjithash inskenim dhe politikë simbolike. Të gjithë e dinë se Jerusalemi është faktikisht kryeqyteti i Izraelit, dhe megjithatë, duhet bërë sikur juridikisht kjo nuk është e vërtetë. Ky vendim nuk është i dobishëm për asnjërën nga palët e përfshira. Netanjahu dhe Trumpi mund t’ua shesin vendimin mbështetësve të tyre përkatës si sukses simbolik. Për afrimin që po ndodh pas perdeve midis Izraelit dhe shumë shteteve arabe, një vendim i tillë është më tepër i dëmshëm. Pikërisht, përballë kërkesave hegjemoniste në rritje të Iranit në rajon, Izraeli ka kontakte shumë të ngushta jo vetëm me fqinjët me një marrëveshje paqeje - për shembull, me Egjiptin ose Jordaninë - por edhe me fqinjët pa marrëveshje paqeje, si p. sh. Arabia Saudite. Që në një situatë të tillë të shtrosh në tryezë çështjen e vjetër dhe të vështirë të Jerusalemit, tregon se sa pak kupton administrata e tanishme amerikane nga ato që ndodhin në rajon.