“Popullsia e islamizuar, jo në krah Skënderbeut në 1443”
“Lufta e shek. XV, kishte edhe një fuqi tjetër të madhe morale, aleancën e brendshme të arbërorëve të krishterë”
ishte identifikim i humanizmit që, sipas Ferdinand Brodelit, përfaqësonte "vrullin, ecjen luftarake drejt një emancipimi progresiv të njeriut, kujdesin konstant për mundësitë që njeriu të përmirësoj ose të ndryshoj fatin e tij".
Arbëria u ndodh në periferinë gjeografike, politike e kulturore europiane. Procesi i formimit të kombësisë ishte në zgjim e sipër, sundimet e huaja që për shekuj zëvendësonin njëri- tjetrin e lanë vendin në prapambetje të thellë dhe me një jetë fisnore të izoluar në malësi. Jeta urbane që kërkon e nxit zhvillimin dhe një klasë sociale me interesa të gjëra ekonomike, tregtare e kulturore thuajse mungonte ose ekzistonte në mënyrë embrionale në qytetet bregdetare nën administrimin e huaj. Krishterimi në të dy ritet e tij predikohej në latinisht e greqishte të vjetër, që ishin gjuhë të pakuptueshme për arbërorët. Shqipja, vetëm në mënyrë spontane mund të çante në liturgjinë katolike e grekobizantine. Dëshmia më e hershme e gjetur deri tani, ajo e dorëshkrimit shqip i fillimit të shekullit XIII është e pamjaftueshme për të arritur në përfundime të sakta rreth nivelit të përdorimit të gjuhës së shkruar shqipe në liturgjinë kishtare e në jetën e përditshme të arbërve. Mungesa e gjurmëve të dukshme të saj i jep argument edhe tezës së mungesës së rolit përbashkues të saj si një element kryesor i identitetit arbëror.
Dobësia identitare lokale, influencat e huaja të pandërprera, përçarjet e luftërat midis zotëve të principatave arbërore e vonoi procesin e ngjizjes së kombësisë. Elitat kishtare e të fisnikërisë vendase, aq sa ato ekzistonin, nuk u bënë bartëse dhe udhëheqëse aktive për të emancipuar e ndërgjegjësuar masën e njerëzve me vetëdijen e përkatësisë së veçantë e të përbashkët arbërore. Ky proces kërkonte një katalizator të fuqishëm për të përbashkuar elementët e veçantë identitarë, që ekzistonin e vepronin në mënyrë kaotike në jetën arbërore. Ky faktor i fuqishëm u bë lufta e arbërve nën udhëheqjen e Skënderbeut kundër pushtimit osman.
Identiteti arbëror me tiparet e mësipërme nuk zhvillohej i izoluar, por ndodhej nën ndikimin e identiteteve të tjera më të forta e që në një mënyrë ose një tjetër kishin lënë gjurmë në Arbëri, qoftë edhe përmes pushtimeve shumëvjeçare të territoreve arbërore apo edhe përmes influencave të tjera të natyrës ekonomike, tregtare, fetare apo kulturore. Këto identitete të veçanta të huaja ishin europiane dhe si të tilla ato lanë gjurmë edhe në krijimin e forcimin e identitetit europian të arbërve.
Europianizmi modest arbëror nuk ishte një enciklikë papale, që ngjitej në muret e kishave e të manastireve për t'u parë e lexuar nga besimtarët e krishterë. Ai nuk ishte as edhe një traktat politik, që ndodhej në tavolinat e kancelarive të fisnikërisë arbërore. Identiteti europian përthithej në venat e gjakut arbëror ngadalë, pa u kuptuar e shpesh në mënyrë të pavetëdijshme. Kur osmanët filluan të hyjnë në Arbëri, të ftuar nga fisnikë të veçantë ose si pushtues, gjithnjë para epokës së Skënderbeut, ata vendosën vasalitetin dhe sistemin e timareve që nisi të veprojë kundër procesit të natyrshëm të konsolidimit të identitetit europian arbëror.
Identiteti arbëror dhe ai europian u ndërthurën në një unitet politik jo vetëm mbi bazën e krishterimit, por edhe në funksion të luftës kundër rrezikut osman. Ky komponent politik i unitetit të Arbërisë me shtetet europiane, përgjithësisht italike, ishte shfaqur që para Skënderbeut, në aleancat e fisnikëve të veçantë arbërorë me Papatin, Napolin, Venedikun, etj.. Me Skënderbeun ky unitet politik arriti majat e tij. Ai ishte një proces i dyanshëm, marrje dhe dhënie e ndërsjellë dhe e dobishme për të dy palët. Nga Gjergj Kastrioti, siç shkruante me të drejtë albanologu i spikatur, At Xhuzepe Valentini ( Giuseppe Valentini), nuk do të kërkojmë që të na ketë lënë një traktat për europeizëm, as që edhe të përmendte Europën në fjalimet që u mbante ushtarëve të vet. E gjithë vepra e tij, lufta, besimi, botëkuptimi, politika dhe aleancat ishin të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me fatin e Europës e të qytetërimit europian.
Historianët, jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj kanë vlerësuar dimensionin politik të aleancës europiano- arbërore dhe rolin e jashtëzakonshëm të Skënderbeut në mbrojtje të Europës. Buda e ka cilësuar luftën e tij si "një luftë për identitet dhe unitet" dhe se në këtë epope historike të tij "një nga motivet kryesore që ka luajtur rol ka qenë ai politik".
Filozofë, historianë e vëzhgues të ndryshëm europianë e kanë nënvizuar fort misionin politik shpëtimtar të Europës nga Skënderbeu. Një kalorës anglez, vullnetar në ushtrinë e kryetrimit arbëror do të pohonte në vitin 1456 se "invazioni i Europës është i sigurt, sepse s'ka fuqi tjetër që mund ta bëjë këtë rezistencë, po të bjerë kështjella shqiptare". Vetë Skënderbeu në mjaft raste ua kishte bërë të qartë shteteve europiane rëndësinë jetike të luftës së tij për Europën. Në një nga letrat e tij, dërguar princit të Tarantos, në Itali, G. A. Orsini në 31 tetor 1460 ai i shkruante: "Nëse unë do të isha mundur nga turqit, sigurisht Italia do ta kishte ndjerë dhe, si pasojë, ai zotërim që tani thoni se është i juaji, do të ishte i turqve". Akoma edhe më domethënës është vlerësimi që ka bërë filozofi i madh iluminist francez, Volteri: "historia botërore do të kishte marrë rrugë tjetër, po qe se në vend të bizantinëve do të kishin qëndruar Skënderbeu dhe shqiptarët e tij". Dhe për të mbyllur vargun e pafund të të çmuarit të veprës epokale të Heroit Kombëtar, po përcjellim mendimin e njërit ndër historianëve më të njohur skënderbejanë të sotshëm, siç është Schmitt. Ndryshe nga fqinjët e tij, shkruan ai, Skënderbeu "nuk donte të siguronte mbijetesën e tij politike të lavjerrjes midis fuqive të mëdha, porse synonte të asgjësonte sundimin osman në Europë". Valentini si arbëresh është i drejtpërdrejtë në vlerat meritore të Skënderbeut në shpëtimin e Europës nga osmanët. Ai shkruan se: "Skanderbegu e shqiptarët u flijuan për qytetnimin europjan" dhe se "... mos të hynte në luftë me Turq, Skanderbegu me Shqiptarët e tij, nuk dij si Europa do t'ia kishte shmangë vetes rrezikun e një vërshimi t'ushtrive aziatike në tokët e saj qandrore".
Giboni, "shpresën racionale" të Skënderbeut "se Papa, mbreti i Napolit dhe republika e Venedikut, do të mund të bashkoheshin në mbështetje të një populli të lirë e të krishterë, që mbronte bregdetin e Adriatikut dhe ngushticën e kalimit nga Greqia në Itali", e ka quajtur të gabuar. Historiani anglez nuk fajëson Skënderbeun se sa në analizën e tij nënvizon përgjegjësinë fatale të shteteve italiane dhe europiane që nuk krijuan aleancën e superfolur antiosmane. Skënderbeu ishte jo vetëm një strateg i madh ushtarak e komandant trim, por edhe një burrë shteti e diplomat me vizion të gjerë që e dëshmoi në marrëdhëniet e tij me shtetet evropiane. Ai, jo njëherë, i paralajmëroi ata se "nuk mund t'i qëndrohej babëzisë së shfrenuar dhe guximit të verbër të barbarëve ( turqëve- PM) në rast se nuk do të merreshin vesh së bashku fuqitë e gjithë Evropës".
Skënderbeu provoi të ngrejë në miniaturë një aleancë europiane në trojet arbërore. Është e njohur se në luftime e nën komandën e tij apo edhe të komandantëve të tjerë arbërorë kishte me qindra napolitanë e venedikas, por edhe gjermanë, francezë, anglezë, etj.. Vetë Skënderbeu ishte në lidhje me Papët e Romës, me mbretërit e Napolit e të Hungarisë, me dozhet e senatin e Venedikut, me atë të Raguzës, të Zetës, dhe Serbisë me dukët e Milanit e të Burgonjës e me princa të tjerë europianë. Ambasadorët e tij ishin në lëvizje e kontakte të përhershme me shtetet fqinje, italike dhe europiane. Dokumentet e njohura dëshmojnë pa asnjë mëdyshje se Skënderbeu dhe Arbëria për një çerek shekulli ishin një faktor i rëndësishëm europian në përballjen ushtarake me osmanët aziatikë, por edhe me një ndërgjegje politike të pjekur europiane të kohës.
Skënderbeu mbi baza gjeopolitike e në interes të mbrojtjes së lirisë e të zotërimeve të tij ndërtoi disa aleanca të jashtme e bashkëpunim jo vetëm me shtetet italike si, Napoli, Papati, Venediku, Firence, Milano, por edhe me Raguzën, mbretërinë e Hungarisë, Dukatin e Burgundisë, etj.. Këto aleanca u reklamuan si mbrojtja e krishterimit dhe e qytetërimit europian. Papët e Romës që u ndodhën në krye të organizimit të përpjekjeve për të ndaluar vërshimin osman në Europë kanë lënë në analet papnore vlerësime të jashtëzakonshme për rolin dhe kontributet e Skënderbeut në mbrojtje të krishterimit e të qytetërimit europian