Punësimi i infermierëve, afatet e aplikimit deri më 1 shkurt
Ashtu sikundër mësuesit, edhe infermierët do të kalojnë përmes së njëjtës skemë punësimi. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar dje hapjen e aplikimeve, të cilat do të zgjasin deri më 1 shkurt. Gjithsej janë 420 vende vakante në 12 qarqe të vendit, nga të cilat vetëm 87 janë në Tiranë. Faza e parë është ajo e regjistrimit në portalin “Infermierët për Shqipërinë”, ku secili nga kandidatët mund të aplikojë për pozicionet e lira në qendrat shëndetësore dhe spitale. “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shpalli sot ( dje) afatet e aplikimit për pozicionet e punës infermier, fizioterapist dhe teknik imazherie në qendrat shëndetësore dhe spitalet publike në platformën www. inferimierepershqiperine. al Aplikimet do të mbyllen më datë 1 shkurt”, thuhet në njoftim. Pasi të kenë bërë regjistrimin, kandidatët do të njoftohen për datën e testimit, i cili do të strukturohet në dy pjesë. Pyetjet rreth bazës ligjore që rregullojnë kujdesin shëndetësor, çështjet që lidhen me etikën dhe komunikimin e infermierëve, do të vlerësohen me 20 pikë, ndërsa pyetjet rreth kujdesit infermieror bazë dhe specialiteteve, do të vlerësohen me 50 pikë. Peshë do të ketë edhe dosja e kandidatëve që do t’i nënshtrohen kësaj gare. ” Pas testimit, pikët e grumbulluara për secilin aplikant shpallen në Platformë, në rubrikën Shpallje dhe fituesit lajmërohen për të ndjekur procedurën për punësim sipas renditjes në listën e shpallur për çdo QARK. Në bazë të renditjes së shpallur, kush merr më shumë pikë, do të ketë mundësinë e zgjedhjes për punësim në shërbimet e kujdesit parësor apo spitalor”, sqarohet më tej nga Ministria e Shëndetësisë. Punësimi i infermierëve përmes kësaj praktike ishte paralajmëruar më herët edhe nga Kryeministri Rama, i cili tha po ashtu se vit pas viti, pagat e tyre do të njihnin rritje. Kjo nxitje vjen në një kohë kur edhe kërkesat për punësim në Gjermani nga ana e profesionistëve të shëndetësisë, janë të larta.