Panorama (Albania)

Kushtetues­ja rrëzon kërkesën për rigjykim të Arben Frrokut

-

Gjykata Kushtetues­e ka rrëzuar kërkesën e avokatëve mbrojtës të Arben Frrokut, të cilët kërkonin rigjykim ndaj klientit të tyre. Ky i fundit është dënuar me burgim të përjetshëm nga Apeli i Krimeve të Rënda, për vrasjen e kryekomisa­rit, Dritan Lamaj, pasi Shkalla e Parë e shpalli të pafajshëm. Frroku mori arratinë pas lirimit nga Shkalla e Parë dhe më pas, u kap në Holandë, ku mbahet në paraburgim në pritje të ekstradimi­t. Gjatë kësaj kohe, ai i është drejtuar Gjykatës së Lartë për vendimin e Apelit, por kjo e fundit e ka lënë në fuqi. Pas kësaj, Frroku iu drejtua Gjykatës Kushtetues­e, e cila e rrëzoi kërkesën e tij, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit. Sipas Kushtetues­es, nuk ka asnjë shkelje ligjore në vendimin për dënimin me burgim të përjetshëm të Arben Frrokut, i cili është vëllai i ish- deputetit, Mark Frroku, që aktualisht po vuan dënimin me burg për fshehje të të ardhurave. Vrasja e kryekomisa­rit Lamaj ndodhi në shkurt të vitit 2013, duke tronditur mbarë opinionin. Lamaj u qëllua me armë zjarri në automjetin e tij, ku mbeti i vdekur. Njëzet e katër orë nga ngjarja, u arrestua në Selanik të Greqisë Arben Frroku për llogari të drejtësisë shqiptare. Sipas dosjes hetimore, Frroku, pas vrasjes u largua në Greqi. Mjeti me të cilin u krye vrasja, u gjet i djegur po atë ditë në Domje të Tiranës. Kanë qenë përgjimet telefonike, ato që kanë fundosur Arben Frrokun në lidhje me vrasjen. Ky i fundit, kurrë nuk e ka pranuar atë. Megjithatë, hetimet kanë treguar se në vitin 2012, Frroku ka pasur një konflikt me Dritan Lamajn, duke e akuzuar këtë të fundit se e ka dhunuar në sy të të birit. Në vitin 2014, Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli të pafajshëm Arben Frrokun për vrasjen e kryekomisa­rit Lamaj. Ky vendim u shoqërua me shumë kontestime. Frroku përfitoi nga vendimi dhe u arratis, ndërsa Apeli i Krimeve të Rënda dha vendim tjetër, duke e dënuar me burgim të përjetshëm. Menjëherë u bë shpallja në kërkim ndërkombët­ar për Arben Frrokun, i cili u gjet pas disa kohësh në Holandë. Ai qëndron në paraburgim në pritje të ekstradimi­t në Shqipëri. Me gjithë përpjekjet e tij për rigjykim, duket se Frroku, kur të kthehet, do të nisë të kryejë dënimin me burgim të përjetshëm.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania