Mançesteri Junajtid monitoron Hysajn
Napoli synon Aleiks Vidal, Elseidi pret “Djajtë e kuq”
Elseid Hysaj po vëzhgohet nga Zhoze Murinjo. Prej kohësh, drejtuesit e Junajtid dhe stafi i trajnerit portugez po monitorojnë mbrojtësin shqiptar të Napolit.
Shkodrani është një nga lojtarët më të rëndësishëm të formacionit të Sarrit dhe luan si titullar thuajse në të gjitha kompeticionet. Sensi i lartë i përshtatshmërisë së tij, si në krahun e majtë, ashtu edhe në të djathtë, ka bërë që shpeshherë të ndihmojë ekipin kur është në vështirësi, cilësi për të cilën Zhoze Murinjo e vlerëson maksimalisht. Deri tani, për 23- vjeçarin janë ofruar 25 milionë paund nga skuadra e Junajtid, por Napoli kërkon që “djajtë” të paguajnë klauzolën e tij 50 milionë euro.
ROKADA Napoli është duke kërkuar një mbrojtës të djathtë dhe në skenë ka dalë emri i spanjollit Aleiks Vidal. Ai nuk është më në planet e Valverdes dhe mund të largohet drejt Napolit. 28- vjeçari vlerësohet maksimalisht nga Sarri, por një lëvizje e tillë do të ngrinte pikëpyetje për Hysajn. Jo se Vidal do të zinte vendin e titullarit të shqiptarit sepse ai është i pari në hierarki dhe konsiderohet si lojtari i trajnerit Sarri, por sepse dy mbrojtës të djathtë të një niveli kaq të lartë, do të ishin luks i madh për italianët. Megjithatë, këta të fundit po tentojnë të rikthejnë titullin e munguar prej shumë vitesh dhe Hysajt do t’i duhet të pushojë. Por, “ESPN”, teksa raporton lajmin për interesimin e Napolit për Vidalin, thotë se Hysaj është alternativë për t’u transferuar te Junajtid.