FLET ARTAN LAME
Harta e re, si ndahen tapitë e legalizimeve
Kreu i ALUIZNI sqaron procedurën e re të hipotekimit për legalizimet: Do përdoret një hartë e vetme. Ç’ndodh me apartamentet në pallatet pa tapi
Duke punuar me të njëjtën hartë, ALUIZNI dhe Hipoteka do t’i japin zgjidhje ngërçit të krijuar mes tyre, duke zhbllokuar praktikën e hipotekimit për 28 mijë e më shumë dosje, ende të paregjistruara.
Reforma e paralajmëruar, e cila pritet të finalizohet në qershor të këtij viti, synon që t’i japë fund alibisë së përdorur deri më sot se ka mospërputhje hartash. I ftuar në emisionin “7 pa 5” në Vizion Plus, kreu i ALUIZNI- t Artan Lame tha se si referuese do të merret harta, me të cilën punon institucioni që ai drejton, kjo për vetë faktin që të dhënat janë të përditësuara dhe vijnë nga matjet e kryera në terren. Ndërsa i cilësoi të mbartura dhe të hershme problematikat e Hipotekës, Lame tha se unifikimi i hartave do të sjellë zgjidhje për të gjitha rastet me mbivendosje që kanë përfunduar sirtarëve. “Hipoteka ka një problem të hershëm, që e ka zanafillën në 1912. Nuk është çështje që mund të zgjidhet brenda një dite. Kemi të bëjmë me një plagë të mahisur prej një shekulli në sistemin e regjistrimit të pasurive të shtetit shqiptar. Shtuar kësaj, problematikat e ditëve të sotme, të cilat kanë ardhur sa prej politikës, aq edhe prej mungesës së vullnetit dhe mbivendosjes së ligjeve njëri pas tjetrit. Sa u takon hartave, ALUIZNI ka harta me vlerë joligjore, por të sakta. Hipoteka ka harta me vlerë ligjore, por jo të sakta. Kjo, sepse ALUIZNI ka shkuar shtëpi më shtëpi për të bërë matjet. Me bashkim, synojmë të bëjmë pikërisht këtë, të unifikojmë hartat. Për ato raste kur ka mbivendosje, probleme hartografike, të përdorin hartografinë e ALUIZNI- t pasi është më e saktë”, theksoi Lame. Dy ditë më parë, gjatë një takimi me drejtuesit e rinj të Hipotekës, edhe Kryeministri Rama bëri të qartë se duhet të marrë fund loja e ping- pongut me qytetarët. “Hartat e ALUIZNI- t janë harta të aktualizuara dhe nuk ka asnjë justifikim. Hipoteka të thotë jo, sepse harta ime është ndryshe. Harta jote nuk është harta e duhur. Harta e ALUIZNI- t është e aktualizuar dhe në momentin kur ALUIZNI thotë legalizohet, ke vetëm një detyrë, ta hipotekosh e jo ta mbash aty peng e ta mbash aty qytetarin, sikur është top ping- pongu. Kjo duhet të jetë shumë e qartë. Çdo kthim mbrapa i dosjes së certifikuar e të vulosur nga ALUIZNI, do të jetë letër dorëheqjeje e drejtorit të hipotekës”, tha Kryeministri.
PALLATET Kreu i ALUIZNI- t u ndal edhe në hipotekimin e pallateve të braktisura nga ndërtuesit. Sipas Lames, janë të panumërta tipologjitë e problematikave të vërejtura gjatë fazës së identifikimit, madje është shkuar deri aty sa një apartament është shitur 5 herë, pra iu është dhënë 5 familjeve të ndryshme. Po ashtu, ka raste kur pallati është me leje ndërtimi, por është ndërtuar një kat apo shtesë pa leje. Ka ndodhur që lekët i janë dhënë ndërtuesit, por ky i fundit nuk ka ndjekur procedurat e hipotekimit dhe, më keq akoma, nuk bëhet më i gjallë duke fshirë çdo kontakt me banorët. Po ashtu, janë një tjetër kategori pallatesh që janë tërësisht informale, pasi janë ngritur pa pasur një leje ndërtimi. “Kërkojmë ndihmën e qytetarëve. Së pari, kërkojmë durim, pasi nuk mund të pretendojnë që një problem që ka 22 vjet, të zgjidhet brenda dy javëve. E dyta, kërkojmë pjesëmarrjen e qytetarëve për të sjellë dokumentacionin që disponojnë. Shumica prej këtyre pallateve nuk kanë asnjë dokument, ndaj kërkojmë ndihmesën e qytetarëve për të depozituar të gjithë dokumentacionin që disponojnë. Është mirë që këto familje të organizohen me njëri- tjetrin, në mënyrë që procesi të jetë më i thjeshtë edhe për ne, sepse është me e lehtë që të operohet nëse ka një përfaqësues”, vuri në dukje kreu i ALUIZNI- t. PALLATE të pahipotekuara, në të gjithë vendin janë identifikuar nga ALUIZNI. Prej më shumë se një viti, kanë nisur procedurat për legalizimin e tyre. Ndërkohë që janë 30 mijë familje, që do të përfitojnë duke u bërë pronarë të apartamentit që kanë në posedim