UEFA "bekon" zgjedhjet: Nivel i lartë tolerance
UEFA dhe FIFA kanë monitoruar nga afër, jo vetëm ditën e punimeve të Asamblesë Zgjedhore, por edhe fushatën. I ardhur në Tiranë prej thuajse një jave, Grigori Surkis, zëvendëspresidenti i UEFA- s, ka përshëndetur në fund të punimeve përzgjedhjen e bërë nga anëtarët e Asamblesë. Në fjalën e tij, ai ka nënvizuar tolerancën dhe parimet e ruajtura në zgjedhje. "Mendimi im është se familja e futbollit shqiptar tregoi një nivel të lartë të tolerancës. Pavarësisht të gjitha vështirësive, që pati në ditën e fundit përpara punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, delegatët demonstruan një nivel të lartë të parimeve të demokracisë dhe transparencës. Gjëja kryesore, mendoj, se është respekti ndaj njëri- tjetrit. Sigurisht, që pati një kandidat fitues nga këto zgjedhje dhe pati gjithashtu dy kandidatë që nuk ia dolën me sukses, por mendimi im është se nuk ka të humbur", u shpreh fillimisht zëvendëspresidenti i UEFA- s.
KANDIDATËT
Në vijim të deklaratës, Surkis propozoi që e ardhmja e futbollit të ecë nëpërmjet bashkëpunimit nga të gjithë, jo vetëm me idetë dhe projektet e presidentit të zgjedhur, por edhe të dy kandidatëve që dolën të humbur. "Nuk është domosdoshmëri të jesh president i FSHF- së, për të ndihmuar futbollin lokal të zhvillohet. Duke parë programin e kandidatëve të tjerë, veçanërisht të Finos, besoj se ka ide të qarta si mund ta ndi- hmojë futbollin shqiptar. Ndaj, u bëj thirrje të gjithë kandidatëve të bashkojnë përpjekjet për futbollin, që të arrijë nivele të reja më të larta", shtoi ai.
URIMI
Nuk mund të mungonte edhe një urim për presidentin e përzgjedhur nga procesi i votimit. "Dua të uroj fituesin, që i ka dedikuar 16 vite futbollit shqiptar, Armand Duka, për fitoren e sotme ( dje)", deklaroi Grigori Surkis në fund të punimeve të Asamblesë.