Ambasadori Lu: Kush shmang vetingun, nuk përjashtohet nga hetimi
Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cilësoi tërheqjet e prokurorëve dhe gjyqtarëve nga detyra dhe automatikisht dhe nga vetingu si fitore të drejtësisë. Por, sipas tij, kjo tërheqje nuk i imunizon ata nga ndjekja penale nëse kanë kryer korrupsion apo shkelje me detyrën. “Vendimi për t’u tërhequr është një vendim personal, por largimi i çdo gjykatësi apo prokurori të korruptuar e të paaftë, është një fitore në betejën për një sistem drejtësie më të mirë. Ata nuk mund të rikthehen në sistem për 15 vjet”, u shpreh dje ambasadori Lu për mediat. Sipas tij, ata që kanë frikë nga vetingu, duhet të kenë frikë dhe nga hetimet e mëtejshme.
“Tërheqja nuk i shfajëson këta ish- zyrtarë nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre. Ata që kanë frikë nga vetingu, duhet të kenë frikë edhe nga hetimet e pashmangshme penale”, theksoi ambasadori. Të shtunën ish- Kryeprokurori Adriatik Llalla i dorëzoi Presidentit të Republikës kërkesën për t’u tërhequr nga e drejta e emërimit në Gjykatën e Apelit. Njëherësh, ai iu drejtua edhe organeve të vetingut me kërkesën për të mos iu nënshtruar këtij procesi. Mandati i Adriatik Llallës përfundoi më 7 dhjetor 2017, pas qëndrimit në krye të organit të akuzës për 5 vite. Gjatë procesit të zëvendësimit të tij me një prokuror të përkohshëm, ishte sërish Donald Lu që foli ashpër. Ai tha se Shqipëria duhet të zgjedhë një kryeprokuror, që të mos mbrojë më politikanët e korruptuar, duke iu referuar indirekt Adriatik Llallës, që, sipas ambasadorit, ka mbyllur çdo dosje korrupsioni. Por nuk është vetëm Llalla që është tërhequr nga detyra që pritej të merrte. Besnik Imeraj, gjyqtar Kushtetuese dha dorëheqjen një javë më parë për arsye shëndetësore, duke e futur atë në kolaps, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese po kalonte procesin e vetingut.