Gomonia me drogë, s'ka të dyshuar
VLORË - Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga sekuestrimi i gomones me 600 kg kanabis sativa dhe një automjeti rreth 50 metra në det, ende nuk ka asnjë të arrestuar si përgjegjës. Nga Policia mësohet se përgjegjësit janë drejt identifikimit, por nuk thuhet asgjë më shumë, për shkak se hetimet janë ende në vijim. Fillimisht u tha se bëhej fjalë për 500 kg lëndë narkotike, por zyrtarisht sasia është 600 kg. Mësohet se gjetja e automjetit të ngecur në breg të detit të jetë përdorur për të transportuar gomonen. Policia shoqëroi tre persona lidhur me ngjarjen, por pas marrjes në pyetje janë lënë të lirë. Dyshimet janë se gomonia mund të ketë hyrë në mënyrë klandestine nga Greqia drejt Shqipërisë, megjithatë Policia është duke kërkuar informacione edhe nga pikat e kalimit të kufirit, nëse ka pasur kalim të ndonjë mjeti lundrues nga shteti grek drejt vendit tonë.