Dy presidentët e SHBA urojnë Kosovën, Rama “përplaset” me Metën e Haradinajn në Prishtinë
Bush: Krenar që pranova kërkesën për njohjen e pavarësisë
Dy emrat më të rëndësishëm mes presidentëve amerikanë, që kanë lënë gjurmë në historinë e Kosovës, Bill Clinton dhe George Bush, kanë uruar dhjetëvjetorin e pavarësisë së vendit të shtunën.
Njëri prej tyre nënshkroi ndërhyrjen e NATO- s kundër forcave serbe për t’i dhënë fund gjenocidit dhe tjetri njohu pavarësinë e Kosovës. Shtetet e Bashkuara padyshim janë aleati më i fortë i Kosovës, janë superfuqia që i dha shtysë njohjes së pavarësisë dhe së bashku me Mbretërinë e Bashkuar kanë ndihmuar në dhënien fund të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Dhe presidentët amerikanë konsiderohen figurat më të respektuara në Kosovë, kjo është ndjerë në çdo vizitë shtetërore apo private të tyre apo të çdo zyrtari tjetër amerikan, ku mikpritja e Kosovës ka qenë ndër më entuziastet. Aq sa disa media amerikane e kanë quajtur “obsesion”, dashurinë e Kosovës për Shtetet e Bashkuara. Ishte revista “Time” që në një shkrim për pavarësinë e Kosovës, ka shkruar se “Nëse në gjithë botën ka rënë entuziazmi për SHBAnë, pas ardhjes në pushtet të Donald Trump, asgjë nuk ka lëkundur besimin e madh të Kosovës për këtë shtet”. Mes fotove të ilustruara në këtë shkrim është edhe statuja “Bill Clinton” e butiku me emrin e gruas së tij. Përmenden disa familje që kanë emërtuar fëmijët sipas liderëve amerikanë, etj.. Por nëse mediat në SHBA e quajnë obsesion, ne e shohim si një mirënjohje të pakufishme për kthesën që mori historia e Kosovës dhe jeta e popullit të saj pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara në vitin 1999. Përplasja mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve ka nisur në vitin 1998, kur nisi edhe një fushatë spastrimi etnik në Kosovë, serbët nisën dëbimin e mijëra sh- qiptarëve nga tokat e tyre dhe pati një valë të madhe dhunimesh e masakrash. Pasi përpjekjet diplomatike për të gjetur zgjidhje dështuan, Presidenti amerikan në 1999, Bill Clinton, së bashku me NATOn, kryeministrin britanik Tony Blair, vendosën të ndërhynin nëpërmjet NATO- s duke nisur atë që e quajtën, luftë humanitare. Ajo u finalizua me fushatën bombarduese të NATO- s ndaj forcave serbe, nga marsi deri në qershor të vitit 1999. Të shtunën, në një mesazh nga Bill Clinton për Kosovën me rastin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë, të publikuar në një video në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, thuhet mes të tjerash se: “Kosova gjithmonë do ta ketë një vend të veçantë në zemrën time. Dhe jam shumë mirënjohës që si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës munda t’ju ndihmoj që të ndiqni një të ardhme të prosperitetit të lirisë dhe tolerancës... Është e rëndësishme për miqtë tuaj rreth botës që të vazhdoni të punoni, për t’i lënë konfliktet e së kaluarës pas krahëve. Ju bashkohem në festën e 10- vjetorit të Pavarësisë. Gjithmonë do të jem i nderuar që pata shansin t’ju ndihmoj t’ia fillonit. Dhe shpresoj se do të jem gjallë edhe për një kohë, t’ju shoh ta realizoni qëllimin deri në fund. Paçi fat!”, thotë Clinton. Pas misionit të suksesshëm të tij për paqen në Kosovë, pasuan vite të gjata sakrificash dhe negociatash mes shqiptarëve dhe serbëve, me ndërmjetësimin e organeve të OKB- së. Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë. Edhe në këtë rast, mbështetja më e madhe ka ardhur nga SHBA. Ishte Presidenti George Bush që nënshkroi njohjen e pavarësisë. Ndërsa sot, Bush shprehet krenar për hapin që hodhi. Në një letër për dhjetëvjetorin e pavarësisë, Bush shkruan: “Përshëndetjet më të përzemërta qytetarëve të Kosovës, të cilët festojnë 10- vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë. Në vitin 2008, Presidenti Fatmit Sejdiu ra dakord të merrte përgjegjësitë e përcaktuara nga Plani i Ahtisaarit për të nxitur lirinë, tolerancën dhe drejtësinë për qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Isha krenar që pranoja kërkesën e tij, që Shtetet e Bashkuara të njohin Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Dhjetë vjet më vonë, kjo ditë historike është një reflektim i angazhimit të vendit për të vazhduar ndjekjen e standardeve më të larta të dinjitetit njerëzor dhe për të çuar përpara çështjen e lirisë. Laura dhe unë përgëzojmë popullin e Kosovës në këtë rast të rëndësishëm dhe dërgojmë urimet tona më të mira për një të ardhme paqësore, demokratike dhe të begatë. Zoti të bekoftë!”, mbyllet urimi i Bush. Kosova ka marrë urime për dhjetëvjetorin e pavarësisë edhe nga zëvendëspresidentët amerikanë ndër vite si dhe liderë të BEsë. Mediat në Kosovë kanë publikuar pak ditë më parë edhe një urim nga Presidenti amerikan Donald Trump.