INFRASTRUKTURA SOCIAL- KULTURORE
Ndër vite u ngrit gradualisht edhe infrastruktura socialkulturore. Më 1954 u ndërtua në qytet kinemaja me një skenë të vogël dhe me 200 vende, u montuan dy aparate projeksioni për të shfaqur filmat, një sallë lojërash bilardo e një bibliotekë. Tre vjet më vonë ( 1957) u ndërtua në qytet shkollë e re me 7 klasa, ku u hap shkolla 7- vjeçare e ditës ku vijonin mësimin, fëmijët e Vajkalit e të qytetit të Bulqizës dhe pas 8 vitesh, më 1965 u ndërtua në Bulqizë shkollë e re me 10 dhoma mësimi, poshtë rrugës së qytetit që plotësonte nevojat për vijueshmërinë e mësimit pasi klasat u bënë me nga dy paralele. U ngritën nga mësuesit dhe nxënësit disa terrene sportive, volejbolli, basketbolli e gjimnastike, të cilat shfrytëzoheshin edhe nga rinia e qytetit të Bulqizës. Në shtator 1967 u hap shkolla e mesme e përgjithshme pa shkëputje nga puna dhe më 1970 edhe shkolla e mesme profesionale e ditës me degën për teknikë miniere, që më pas u shtuan degët, gjeologji e shpim pusesh. Më 1975 u vu në funksionim kinoklubi i ri me dy kate, që u financua nga ndërmarrja e minierës me sallë kinemaje dhe koncertesh me 350 vende, me bibliotekë e sallë leximi, bar- kafe dhe dhoma e anekse të tjera pune, duke u krijuar kështu mundësia që në këto ambiente të gjallëroheshin aktivitetet kulturore e artistike, sesionet shkencore, recensionet, bisedat, etj.. Ky pallat është rikonstruktuar dhe vazhdon të jetë si qendër kulturore e vetme e këtij qyteti. Në vitin 1989 u ndërtua shkolla 8vjeçare me 4 kate në "Lagjen e Re", me 24 klasa, 4 kabinete e palestër sportive.