Pronat, formulari i ri për të marrë kompensimin
Zbardhet lista e tretë e ATP me emrat e pronarëve. Formulari dhe dokumentet që duhen për aplikim. Mundësia për të marrë 70% të kompensimit
Janë rreth 3500 pronarë të shpronësuar për efekt të procesit legalizues, të cilët gëzojnë të drejtën e kompensimit.
Gazeta vijon sot me botimin e listës së fundit të përfituesve, shoqëruar me masën e përfitimit për secilin prej tyre, miratuar me vendim qeverie. Përmes një njoftimi për mediat, Agjencia e Trajtimit të Pronave sqaron se bëhet fjalë për familje që nuk kanë aplikuar ndër vite. Pra, pavarësisht se e drejta e kompensimit iu ka lindur nga viti 2008, këta pronarë nuk janë paraqitur asnjëherë në ATP për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm. Në këto kushte, procesi ka mbetur pezull. "Bazuar në aplikimet e kryera në ATP deri më tani, rezulton se rreth 3500 subjekte përfituese nuk janë paraqitur fare në ATP për të aplikuar me qëllim përfitimin e shpërblimit të miratuar për ta në VKM- të përkatëse. Duke qenë se ky proces nuk është i kushtëzuar dhe i limituar në kohë, ATP fton të gjitha këto subjekte përfituese që të paraqiten pranë sporteleve të saj për të aplikuar me qëllim përfitimin e kompensimit të miratuar për ta në VKM- të përkatëse", thuhet në njoftim. Gazeta boton sot formularin e aplikimit bashkë me dokumentacionin që duhet të dorëzohet. Këtë vit, fondi i vënë në dispozicion për këtë kategori është rreth 14 milionë dollarë. Në fazën e parë të kompensimit, pronarët trajtohen vetëm për 70 për qind të faturës dhe për pjesën e mbetur vendosën në radhë pritjeje. "ATP, në varësi të të ardhurave të arkëtuara deri më sot për këtë proces nga ALUIZNI dhe fondeve të vëna në dispozicion nga buxheti i shtetit, sipas përllogaritjeve përkatëse, shpërndan aktualisht 70% të vlerës së miratuar në vendimet e Këshillit të Ministrave për subjektet përfituese", bëhet më tej e ditur nga ATP. Sipas këtij institucioni, nga fillimi në vitin 2010 të procesit të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private që prek- en nga ndërtimet informale e deri më tani janë paraqitur rreth 4600 aplikime. Prej tyre vetëm 60% janë trajtuar me kompensim, ndërsa pjesa tjetër janë në proces të shqyrtimit nga sektori përkatës në ATP. Fondet financiare të shpërndara deri më tani nga ATP për këtë proces janë rreth 8,22 miliardë lekë.