Arrestohen 2 shpërndarësit e kokainës në zonën e ish- Bllokut
Operacioni “High Class” sekuestron rreth 1 kg lëndë narkotike
Dy persona që shpërndanin kokainë në lokalet e zonës së ish- Bllokut janë arrestuar dje nga oficerët e Antidrogës, gjatë një operacioni të koduar “High Class”.
Policia tha se gjatë kontrollit në makinën e tyre u gjet një sasi prej rreth 1 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, që do të shpërndahej në Tiranë. Në pranga përfunduan Ermir Bajramaj, 37 vjeç dhe Besmir Hajdaraj, 47 vjeç, të dy nga Durrësi. Ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 kg e 52.8 gramë kokainë, që u gjet në makinën tip “Nissan Micra”, me të cilën po udhëtonin dy të ndaluarit. Burimet thanë se dy durrsakët kishin klientelë të përzgjedhur në zonën e ish- Bllokut, kryesisht persona të shtresës së lartë dhe punonin me porosi. Ndërsa dyshohet se të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë në rrjetin e shpërndarjes së drogës, pasi këta persona do ta dorëzonin te të tjerë, që më pas bënin shitjen e drogës me doza.
OPERACIONI Policia e Tiranës njoftoi dje se ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “High Class”, duke arrestuar 2 persona që u kapën me rreth 1 kg kokainë. “Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Tiranës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e lëndëve narkotike dhe kryesisht për drogat e forta, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua me sukses një tjetër operacion antidrogë i koduar ‘ High Class’”, tha dje Policia. Si rezultat i operacionit, në rrugën “Kongresi Manastirit”, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve, Ermir Bajramaj, 37 vjeç dhe Besim Hajdaraj, 47 vjeç, banues në Durrës. Të dy këta persona po qarkullonin me automjetin tip “Nissan Micra”, me targë DR 3425 F, që drejtohej nga shtetasi Ermir Bajramaj dhe janë kapur në flagrancë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjet e u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë, e cila pas peshimit rezultoi 1 kg e 52.8 gramë. “Lënda narkotike ishte e destinuar të shitej në qytetin e Tiranës, në lokalet e natës, në zonën e ish- Bllokut. Vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale”, tha dje Policia.