May dëbon spiunët rusë, ndërpret kontaktet e nivelit të lartë me Moskën
Rusia ka bërë një kërcënim hakmarrjeje kundër Britanisë të mërkurën, pasi Kryeministrja Theresa May njoftoi se do të dëbohen 23 spiunë rusë, si përgjigje për sulmin me gaz nervor. May tha se do të ndërpresë të gjitha kontaktet në nivel të lartë me Moskën dhe do të ngrijë pasurinë e oligarkëve, miq me Presidentin rus, Vladimir Putin. Por brenda pak orësh, Rusia është zotuar të kundërpërgjigjet, duke i konsideruar masat “absolutisht të papranueshme” dhe ka paralajmëruar se “përgjigjja jonë nuk do të vonojë”. Pritet që edhe diplomatët britanikë të dëbohen nga Moska si kundërpërgjigje. Të martën në mesnatë, Rusia duhej të kishte dhënë zyrtarisht shpjegim mbi një sulm me një agjent nervor, i cili njihet se prodhohet në ish- republikën sovjetike, ndaj një ish- spiuni rus që jetonte në Britani, Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia. Por refuzoi ta bëjë këtë. Masat që do të marrë Britania përfshijnë dëbimin brenda një jave të 23 anëtarëve të stafit të Ambasadës Ruse në Londër, të identifikuar si “oficerë të padeklaruar të inteligjencës”, apo thënë ndryshe spiunë. Ky është dëbimi më i madh i diplomatëve që është bërë që nga viti 1971, kur Ted Heath ka përzënë 90 anëtarë sovjetikë të stafit, pasi u zbulua një rrjet i madh spiunësh komunistë. Në protestë të mospërgjigjes së Rusisë për përdorimin e agjentit nervor në Londër, pritet të miratohen ligje të reja dhe më të forta antispiunazhi për të ndihmuar degradimin e kapacitetit të Moskës në Mbretërinë e Bashkuar. Po ashtu, ministrat dhe anëtarë të familjes mbretërore do të bojkotojnë Kupën Botërore të Futbollit këtë verë në Rusi. Britania shpreson që këtë gjë ta bëjnë edhe aleatët e saj. Po ashtu, Theresa May ka sinjalizuar sanksione të ashpra ndaj oligarkëve rusë, që jetojnë në luks në Londër apo që duan të vizitojnë Mbretërinë e Bashkuar. Po ashtu është propozuar që si në SHBA, edhe në Britani të miratohet një ligj “Magnitsky”, i cili imponon sanksione ndaj rusëve, që gjenden se janë të lidhur me korrupsionin apo abuzim të të drejtave të njeriut. Veç kësaj, do të përforcohen të gjitha kontrollet ndaj shtetasve rusë, që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë edhe fluturimet private dhe doganat. Është vendosur që Britania të ngrijë edhe asetet e shtetit rus. Kryeministrja May ka sugjeruar se do të ketë veprime, që nuk do të njoftohen publikisht, duke lënë dyshime se mund të ketë edhe një “luftë” kibernetike.