Të arrestuarit e Kukësit u sollën në Tiranë për të shmangur incidentet
Dëshmitë në Polici: Nuk jemi ne personat që dogjën kabinat. Nëse dalim në video si autorë, do bëjmë dyfishin e dënimit
Transferimi në Tiranë i 23 të arrestuarve për protestën kundër tarifës së Rrugës së Kombit, është bërë në mënyrë që të shmangeshin incidentet e mundshme në Drejtorinë e Policisë së Kukësit.
Megjithatë, zyrtarisht Policia e Shtetit ka një argument tjetër, duke thënë se transferimi i tyre është bërë për mungesë kapaciteti në Drejtorinë e Policisë Vendore në Kukës, ku duhej të mbaheshin në izolim. Sipas Policisë, godina e policisë atje nuk ka ambiente dhe hapësirë të mjaftueshme për të mbajtur të ndaluarit. Megjithatë, burimet thanë se përveç mangësive të kësaj natyre, shkaku real lidhet me ruajtjen e rendit dhe sigurinë publike. Precedentë të ngjashëm kanë ndodhur edhe më parë në Kukës, gjatë një proteste të banorëve në vitin 2001 për përmbytjet. Në këtë rast, të arrestuarit u transferuan në Drejtorinë e Policisë së Dibrës, madje edhe masa e sigurisë për ta u zhvillua në Gjykatën e atij qyteti. Po kështu, edhe në rastin e një proteste të banorëve të Shkodrës, në vitin 1999, ku të arrestuarit u transferuan në një qytet tjerë. TE ARRESTUARIT
Prokurorë dhe oficerë të Policisë Gjyqësore të Kukësit mbërritën dje në Tiranë, për të marrë në pyetje 23 personat e arrestuar pas protestës dhe shkatërrimeve në kabinat e pagesës së taksës për Rrugën e Kombit. Të arrestuarit janë pyetur në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe në Komisariatet nr. 1 dhe nr. 3. Burimet thanë se asnjë nga 23 të ndaluarit nuk ka pranuar se ka djegur apo qëlluar me gurë ndaj punonjësve të Policisë apo kabinave të pagesës së taksës së firmës koncesionare. Madje, mësohet se ata u kanë thënë prokurorëve dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore se nëse siguronin video apo foto ku ata duken duke kryer akte dhune, do të bënin dyfishin e viteve të burgut që parashikon vepra penale. TE KERKUARIT
Gjatë natës dhe në orët e para të së dielës, Policia ka ekzekutuar 23 urdhërarreste, ndërsa vijon kontrollet për ndalimin e 20 personave të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim. Policia e Shtetit tha se ndalimi i këtyre personave u bë pasi gjatë protestës së zhvilluar më datë 31 mars në Rrugën e Kombit, pranë Tunelit të Kalimashit, te kabinat e kalimit me pagesë të automjeteve, kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë, si dhe kanë shkatërruar me zjarr kabinat dhe disa zyra të kompanisë. “Vijon puna për ndalimin e personave të tjerë të shpallur në kërkim. Materialet u referuan për veprime të mëtejshme në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale ‘ Shkatërrimi i pronës’, ‘ Shkatërrimi i pronës me zjarr’ dhe ‘ Kundërshtim i punonjësit të rendit publik’, parashikuar nga nenet 150,151 e 236/ 2 të Kodit Penal”, tha dje Policia e Shtetit. Mes 20 personave të shpallur në kërkim, është edhe ish- deputeti demokrat Azgan Haklaj. Sipas materialit të Policisë, ai dyshohet se bashkë me tre persona të tjerë, u ka bërë thirrje protestuesve të afrohen për të shkatërruar kabinat e terminalit. Nga ana tjetër, burimet thanë se vijon verifikimi i pamjeve filmike dhe fotografive për të identifikuar persona të tjerë që kanë shkatërruar pronën me zjarr apo kanë goditur me gurë punonjësit e Policisë.