Kreu i spiunëve rusë: SHBA e Britania helmuan Skripal
Putin: Përmbahuni nga veprimet që dëmtojnë marrëdhëniet ndërkombëtare
Shefi i agjentëve të spiunazhit në Rusi tha se helmimi i një ishspiuni rus dhe bijës së tij në Britani u organizuan nga Shërbimet Britanike të Inteligjencës dhe partnerët e tyre amerikanë.
Sergei Naryshkin, drejtor i Shërbimit Informativ të Jashtëm të Rusisë, agjencia më e lartë e pasueses së KGB- së, u shpreh se “helmimi i 4 marsit i Sergei Skripal- it dhe vajzës së tij, Yulia, ishte një provokim grotesk i organizuar në mënyrë të vrazhdë nga agjencitë britanike dhe amerikane të inteligjencës”. Të mërkurën, në një konferencë ndërkombëtare të sigurisë të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, Naryshkin tha se helmimi ishte përpjekja e fundit e SHBA- së për të minuar Rusinë dhe ishte e ngjashme me praktikat e saj gjatë Luftës së Ftohtë. Britania e ka fajësuar Rusinë për sulmin me agjent nervor, një akuzë që Rusia e ka mohuar me forcë. Takimi me dyer të mbyllura në Hagë, Holandë, nisi të mërkurën në mëngjes. Zyra e Jashtme e Britanisë tha se masa e Moskës për të kërkuar këtë takim ishte një “taktikë diversionie, që synonte të minonte punën e Organizatës ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Kimike, në arritjen e një përfundimi” rreth sulmit agjent nervor. Delegacioni britanik në takimin ndërkombëtar tha se Rusia po kërkon një hetim të përbashkët mbi sulmin me agjent nervor në Salisbury, por e hodhi poshtë ofertën duke e quajtur “çoroditëse”. Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, i tha agjencisë së lajmeve “Tass” të mërkurën se, refuzimi nga Britania dhe aleatët e saj për të pasur një hetim të pavarur do të sinjalizonte “qëllimin e tyre për të sakrifikuar të vërtetën për hir të ambicieve të tyre gjeopolitike”. MESAZHI I FSHIRË Pretendimi i Britanisë se Moska qëndron pas helmimit të një ish- spiuni rus, pati përballje të reja të mërkurën, kur rezultoi se qeveria e Britanisë së Madhe kishte fshirë një mesazh në “Twitter”, ku fajësohej Rusia për prodhimin e agjentit nervor të përdorur në këtë sulm. Zyra e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe e pranoi se e kishte hequr postimin nga media sociale, ku thuhej se ekspertët e armëve kimike britanike besonin se Rusia e prodhoi agjentin nervor, “Novichok”, që helmoi Sergei Skripal- in dhe vajzën e tij në Salisbury. Zëdhënësi i zyrës i tha CNN- së se mesazhi u hoq sepse “nuk kishte raportuar saktë” një njoftim nga ambasadori britanik në Moskë, muajin e kaluar. Të martën, shefi Ekzekutiv i Laboratorit të Mbrojtjes, “Porton Down” në Britaninë e Madhe, tha se shkencëtarët nuk mund të konfirmonin se ku ishte bërë agjenti nervor. Qeveria britanike këmbënguli se materiale shtesë nga burimet e inteligjencës e çuan atë në përfundimin se Rusia qëndronte pas sulmit. Rusia, e cila në mënyrë të përsëritur ka mohuar përfshirjen në sulm, ka kërkuar të fajësojë Britaninë. Ambasada ruse në Londër shkroi: “Pse do të fshihej ky mesazh nga 22 marsi?”.
PUTIN Presidenti Vladimir Putin tha se Rusia pret që Britania dhe aleatët e saj të respektojnë ligjin ndërkombëtar për t’i dhënë fund krizës së zjarrtë diplomatike. I pyetur të mërkurën nëse Moska pret që Britania të tërheqë akuzat e saj kundër Rusisë për helmimin e një spiune ish- rus dhe të ofrojë një falje, Putin tha se Rusia nuk ka pritshmëri të tilla, por shpreson që “arsyeja të mbizotërojë”. Më shumë se 25 aleatë perëndimorë kanë dëbuar mbi 150 diplomatë rusë, në një shfaqje solidariteti me Britaninë. Rusia u përgjigj quid pro quo ( me të njëjtën mënyrë). Putin tha në një vizitë në Ankara se ai shpreson që Britania dhe aleatët e saj do të përmbahen nga veprimet, që dëmtojnë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe do të kthehen në kuadrin e së drejtës ndërkombëtare.