Panorama (Albania)

Plumba lokalit, pronari i dënuar për vrasje

Dy persona të armatosur hapën zjarr në Fier, s’ka të plagosur

-

FIER- Plumba lokalit të të dënuarit për vrasje. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 11: 30 në lagjen “8 Shkurti” në Fier, kur persona ende të paidentifi­kuar qëlluan me armë zjarri. Fatmirësis­ht, në lokalin që ndodhet fare pranë një gjimnazi të këtij qyteti, në momentin e atentatit nuk ka pasur klientë dhe as pronari i saj, A. B. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes i thanë Policisë se kanë qenë dy persona të armatosur në një automjet tip “Reno” të cilët hapën zjarr. Ata qëlluan me breshëri automatiku në fasadën e lokalit dhe më pas janë larguar për në daljen perëndimor­e të qytetit. Sapo u njoftua Policia për të shtënat në lagjen “8 Shkurti”, një tjetër telefonatë pak minuta më vonë, njoftoi djegien e një automjeti në periferi të qytetit, pranë shinave të trenit në lagjen “15 Tetori”. Policia gjeti brenda automjetit një armë zjarri kallashnik­ov, me të cilin dyshohet se është qëlluar në drejtim të lokalit si dhe një karikator. Grupe të posaçme janë nisur në rrugën e Semanit, nga ku dyshohet të kenë ikur autorët. Policia ka marrë në pyetje pronarin për ndonjë konflikt të mundshëm të tij në ditët e fundit. Por pista kryesore e hetimit mbetet ajo e ndonjë paralajmër­imi për hakmarrje, duke qenë se pronari ka qenë i dënuar me 20 vjet burg për vrasje. Ai u arrestua nga forcat e RENEA- s në vitin 2008, pasi rezultonte si një ndër personat më të kërkuar në vend, i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit në Vlorë me 20 vite burg.

Nga materialet e dosjes gjyqësore rezulton se A. B. është akuzuar, se me datën 12.10.1994, në qytetin e Fierit me një pistoletë të tipit “zastava” ka vrarë shtetasin Ervin Gj. çështje penale kjo që është pezulluar për mos zbulim të autorit. A. B. është akuzuar se me datën 13.05.1998 ka vrarë me armë zjarri shtetasin Eduard B. dhe se me datën 5.06.1998 ka vrarë me armë zjarri shtetasin Edmond Z. dhe ka tentuar të vrasë shtetasin Agim U. Sipas Policisë, A. B. është akuzuar edhe për gjoba dhe trafik të lëndëve narkotike, çka e bën mjaft të vështirë identifiki­min e autorëve për shkak konfliktev­e e hasmërive të tij. Dyshohet se autorët vetëm sa kanë dashur t’i japin një mesazh pronarit, pasi ata kanë vepruar në momentin kur ai nuk ndodhej. Tashmë po hetohet nëse të shtënat e djeshme kanë lidhje me ngjarjet e vjetra, në të cilat është i përfshirë A. B. Pritet që të merren në pyetje edhe disa persona të dyshuar në lidhje me këtë ngjarje. Policia e Fierit, për shkak të specifikës së ngjarjes, dje ishte mjaft e rezervuar në dhënien e detajeve. a. l

 ??  ?? Makina e autorëve
Makina e autorëve

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania