Miratohet ligji i strehimit, 14 kategoritë që marrin banesa sociale
Shtohet neni i ri për zhvendosjen e familjeve, në rast se preken nga investimet për interes publik: Qeveria do t’u japë avokat falas
Komisioni i Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale ka miratuar dje vetëm me 10 votat e maxhorancës projektligjin për “Strehimin social”.
Nisma në fjalë kishte rreth një muaj që nuk po miratohej në Komisionin e Çështjeve Sociale për shkak se Komisioni i Ligjeve kishte bërë ndryshime rrënjësore në të gjitha draftin e saj. Mbledhja e Komisionit është drejtuar nga nënkryetarja Elisa Spiropali, e cila ka lexuar dhe miratuar nën për nën të gjitha ndryshimet ligjore të propozuara nga Komisioni i Ligjeve. Në mbledhje munguan deputetët e opozitës, të cilët kanë vendosur marrëdhënie të kushtëzuara me Kuvendin.
PËRFITUESIT Me nismën e re të qeverisë, janë 14 kategori të listuara si prioritare, që do të përfitojnë nga programi i “Strehimit social”, duke marrë banesa apo bonos qiraje. Sipas projektligjit, me përparësi do të trajtohen kërkesat e personave me aftësi të kufizuara, individët që kanë statusin e jetimit, që kanë dalë nga qendrat e përkujdesjes së shoqërisë deri në moshën 30 vjeç. Familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave të ish- pronarëve, emigrantët e rikthyer në Shqipëri apo edhe ata, që kanë aplikuar si azilkërkues. Po ashtu, kategori që do të trajtohen me prioritet, do të jenë familjet e policëve të rënë në detyrë, familjet e reparteve të FNSH- së dhe RENEAS. Projektligji i ri trajton me precedencë dhe kërkesat e komunitetit gay, lesbikë, biseksuale, transgjinorëve ( LGBT). Për këta të fundit, Komisioni i Ligjeve ka rekomanduar që të përfitojnë vetëm ata persona që janë viktima të dhunës apo që nuk kanë të ardhura.
ZHVENDOSJA Në këtë projektligj është futur dhe një nen i ri, i cili i mundëson qeverisë të shpronësojë banesat e qytetarëve për rastet kur do të kryhen investime me interes publik. “Njofton me shkrim indi- vidin/ familjen për arsyet e zhvendosjes 30 ditë përpara nxjerrjes së aktit administrativ për zhvendosjen nga banesa; b) informon individin/ familjen për mundësitë alternative të strehimit; c) Nxjerr aktin administrativ për zhvendosjen nga banesa 45 ditë përpara zhvendosjes duke njoftuar edhe formën e miratuar për strehim alternativ. Zhvendosja sipas parashikimeve të këtij neni nuk zbatohet pa siguruar më parë sistemimin me strehim të përshtatshëm të individëve/ familjeve që zhvendosen dhe nuk përfitojnë shpronësim”, thekson neni i ri, i miratuar vetëm me vota e maxhorancës.