Tabaku: Skandali i ‘ Gulf’ me bekimin e qeverisë
Gjiknuri: Ministria inspekton dhe garanton cilësinë e produktit
Partia Demokratike kërkoi sqarime nga qeveria për skemën e falimentit të kompanisë "Gulf" në Shqipëri. Deputetja Jorida Tabaku tha se qeveria ka heshtur duke lejuar këtë skemë piramidale, në të cilën përfshihen biznesmenë, miq të Kryeministrit. Partia Demokratike thotë se skema piramidale e kompanisë së naftës "Gulf", është ngritur në kurriz të qytetareve me bekimin qeverisë. Në krah të drejtueses së Departamentit Antikorrupsion dhe këshilltarit ekonomik, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha se falimentimi i kompanisë "Gulf" është dëshmi e një rrjeti të gjerë korrupsioni, ku në qendër ka qeverinë si garantuese e veprimtarisë së saj tregtare në Shqipëri. "Aktualisht po zhvillohet një hetim dhe ne do të presim cilat do jenë rezultatet, megjithëse nuk kam besim që ne do të arrijmë aty ku duam. Në këtë rast mund të penalizohen disa individë të niveleve të ulëta, por jam e sigurt se nuk do të ketë të paktën hetime që çojnë në nivele më të larta. Çfarë besojmë ne, që ka lidhje me ministrat? Së pari, mosfunksionimi i të gjithë strukturës për hetimin tatimor, mosgjobitja e kompanisë, që lidhet me pjesë e Ministrisë së Financave. Së dyti, unë kam një deklaratë të ministrit të Energjetikës, që ka dalë garant për këtë investitor. Ministri i Energjetikës, sa kontrolle ka kryer në këtë kompani për 5 vite, për cilësinë e naftës që është hedhur në treg? Çfarë kanë bërë strukturat përgjegjëse të ministrisë? Unë besoj që politika duhet të ketë përgjegjësi dhe nëse një ministër i kësaj qeveria del dhe deklaron që del garant për cilësinë e investitorëve të huaj, që ka nisur punë ditën e parë të qeverisë, atëherë përgjegjësia është për t'u gjetur te ministri dhe Kryeministri", u shpreh Tabaku. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, reagoi në "Facebook" ndaj deklaratës së deputetes Tabaku, ndërsa thotë se ministria nuk monitoron tregun, por cilësinë e produktit. "Një këshillë miqësore për deputeten Tabaku. Kur të marrësh përsipër të dalësh përpara mediave, bëj një sakrificë dhe lexo së paku ligjin për të ditur kompetencat ligjore të ministrive dhe fushën e veprimit. Përveçse do të zgjerosh njohuritë në fushën e hidrokarbureve, do të shmangësh broçkullat si këto të sotmet. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë inspekton dhe garanton parametrat e sigurisë teknike dhe cilësisë së produktit që tregtohet dhe nuk trajton apo monitoron aspektet e tregut. Çdo veprim spekulativ dhe abuziv në treg, përfshirë dhe rastin në fjalë, duhet dhe jam i bindur se po ndiqet rigorozisht nga strukturat e specializuara ligjzbatuese, Policia e Shtetit, Tatimet dhe Prokuroria", përgjigjet Gjiknuri.