Bregasi: Si të rrisim kreditimin te biznesi i vogël dhe i mesëm
Presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, deklaroi se nismat ligjore të konsultuara në Këshillin Kombëtar të Punës kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e numrit të punonjësve të siguruar dhe arsimit profesional. Kreu i BiznesAlbania, njëkohësisht dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Punës, propozoi që për t'i ardhur në ndihmë kreditimit të biznesit të vogël dhe të mesëm, të shtyhet afati i nismës të mospranimit të dy bilanceve nga bankat. Bregasi rekomandoi që afati i zbatimit të kësaj nisme të shtyhet edhe dy vjet për biznesin e vogël, për t'i dhënë kohë formalizimit të tyre. "Kemi një shqetësim nga biznesi i vogël, kemi pasur dhe mbështetjen e bankave për këtë gjë, që Banka e Shqipërisë ka nxjerrë një urdhër, që edhe biznesi i vogël dhe i mesëm dhe korporatat të mos pranohen më të aplikojnë për kredi pa bilanc fiskal. Ne kemi bërë një propozim, ka ardhur dhe nga bankat ky propozim, që biznesit të vogël t'i shtyhet një vit, pra, t'i lëmë pak kohë se ata vijnë nga errësira dhe informaliteti, sepse, në fakt, edhe kreditë kanë rënë krahasuar me vitin e kaluar. Dy vjet kohë t'i lihet biznesit të vogël, një vit biznesit të mesëm dhe korporatave mos t'i lihet asnjë afat. Ky propozim ka ardhur edhe nga shoqata e bankave", u shpreh Bregasi. Kreu i BiznesAlbania vlerësoi se lufta kundër informalitetit rriti numrin e punonjësve të siguruar. "Mendoj se një nga gjërat më të mira që kemi bërë në 4 vitet e kaluara, ka qenë beteja kundër informalitetit në tregun e punës. Këshilli Kombëtar ka dhënë një ndihmesë shumë të madhe dhe për përmirësimin e legjislacionit dhe vetëm nga ky angazhim, rreth 100 mijë të punësuar, u futën në skemën e sigurimeve shoqërore", tha Bregasi. Për arsimin profesional, Bregasi theksoi se ka një shtim të kërkesave nga nxënësit. "Projekti për arsimin dhe formimin profesional është një projekt, që i intereson si biznesit, ashtu edhe sipërmarrësit. Nga 3 mijë që ishte numri i nxënësve në shkollat profesionale, në fund të mandatit arriti 23- 27 mijë nxënës, gjë që tregon që ka qenë një betejë shumë e madhe. Edhe sot kemi kërkesa, dhe këtë e dinë edhe përfaqësuesit e ministrisë, që na fusin miq për të shkuar në shkolla profesionale, kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë. Kjo, falë mirëkuptimit të nxënësve dhe prindërve në panairin e fundit të organizuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, tregoi se sa nxënësit janë dashuruar me arsimin profesional. Kjo është një arritje. Tashmë, dembelizmi nuk paguhet në Shqipëri, nuk i jepet asistencë njerëzve që qëndrojnë në shtëpi. Tashmë u jepet para, para sa gjysma e asistencës, me kushtin që të përfitojë formim profesional", u shpreh Bregasi.