Ylli flet si ndërtues: Teatri të shembet një sahat e më parë
"Nuk ka një vendim qeverie, projekt i ofruar nga privati"
"Teatri të shembet një sahat e më parë". Kështu ka deklaruar deputeti socialist Fidel Ylli, dje në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit, ku të pranishëm ishin edhe tre përfaqësues të Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit.
Në këtë mënyrë ai shprehu edhe vullnetin e maxhorancës, përderisa asnjë përfaqësues tjetër i majtë në Komision nuk shprehu një mendim ndryshe nga ai i Yllit. Deputeti socialist u përpoq t'u shpjegonte përfaqësuesve të komunitetit artistik se nuk ka asnjë vendim për shembjen ose jo të godinës së TK- së dhe se projekti i prezantuar në Kryeministri, ishte thjesht një ofertë nga ana e një subjekti privat. "Nuk ka asnjë projekt as nga bashkia dhe as nga qeveria, por nga një firmë private, e cila ka tokën atje mbrapa, ka edhe zyrat dhe ka ofruar një projekt, duke marrë përsipër të ndërtojë një teatër bashkëkohor që vlen 20 milionë euro. Këtë kërkesë ia ka bërë Bashkisë së Tiranës, e cila ia ka paraqitur Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, për ta shqyrtuar mundësinë për t'u ulur me firmën dhe për të kuptuar aspektin ligjor, për çfarë do të negociohet, cilat janë benefitet e të dyja palëve. Pra, është vetëm një ofertë, nëse qeveria do të ulet për të biseduar me firmën ose jo dhe nuk ka asnjë vendim të tillë", tha Ylli. Por ai u shpreh se disponon ekspertizat e instituteve kompetente, sipas të cilave gjendja e ndërtesës së TK- së është "skandaloze". "Janë argumente të inxhinierëve dhe konstruktorëve, sipas të cilëve aty vetëm teatër nuk mund të bëhet më. Shqipëria dhe aktorët e mrekullueshëm që kanë dalë në vite, kanë nevojë për një teatër të ri kombëtar", tha ai, duke risjellë në vëmendje rastin e stadiumit të ri kombëtar, për të cilin ai ishte që të ndërtohej pa kullë. "Mua më djeg Teatri Kombëtar sepse kam pasur njerëz të familjes që kanë punuar në TK, kanë performuar në të, por ju them të mos e politizoni çështjen. Ju i keni të gjitha të drejtat e Zotit për të protestuar, për të bërë greva, për të kërkuar transparencë më të madhe të qeverisë. Përse në kohën kur ka qenë Bujar Leskaj ministër Kulture, nuk është kërkuar që teatri të ishte pjesë e trashëgimisë kulturore, që të mos prekej, siç u futën ministritë dhe stadiumi?! Ju thoni që ai teatër duhet të rrijë në mes të Tiranës si gërmadhë? Kjo qeveri ka bërë katër teatro në katër vjet, që nuk janë bërë në 27 vjet, si Teatri i Korçës, i Shkodrës, Turbina, Eksperimentali. Ju do të thoni se përse u hodhën para kur do të prishej, hajde të diskutojmë për këtë pjesë, por unë mendoj që teatri duhet shembur një sahat e më përpara", tha deputeti Ylli. Ai iu bashkëngjit kërkesës së deputetëve të opozitës dhe përfaqësuesve të artistëve për më shumë transparencë. "Ministrja duhet të vijë këtu, të na japë llogari, të na informojë për truallin, për P- P- P, që gjërat të jenë transparente, pasi është një aset publik. Por format e partneritetit publik- privat, nuk i kemi shpikur ne, i kemi marrë në botë. Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për të ndërtuar një teatër, edhe 50 milionë euro, se është vlerë, për ata aktorë të mrekullueshëm që ne kemi, që marrin rrugët e Europës e ikin", tha Ylli, duke iu referuar edhe një herë historisë së stadiumit, por edhe mbrojtjes dhe mbështetjes së biznesit. "Unë personalisht, nuk do të kisha hedhur asnjë lekë me këto qeveri të çmendura që e sulmojnë biznesin kaq ashpër", tha ai. Ylli falënderoi artistët që ngrenë zërin, se, sipas tij, në të kundërt askush nuk do t'i dëgjonte, por edhe i siguroi se ministrja Kumbaro do të vijë në komision për të bërë transparencë. Edhe nënkryetarja e komisionit Milva Ekonomi i siguroi artistët se do të jetë më pranë problemeve të tyre dhe se seanca e djeshme ishte fillimi i një komunikimi të vazhdueshëm.