Oficerë gjermanë për Task Forcën “Anti Skifter”
Fatmir Xhafaj: Kemi në proces hetimi disa çështje të ndjeshme
Prej disa muajsh, në Policinë e Shtetit ka nisur të funksionojë Task Forca “Anti Skifter”, e krijuar për të luftuar grupet kriminale që kryejnë vjedhje të pronës në vendet e Bashkimit Europian.
Operacioni i parë që u finalizua nga hetimet e kësaj njësie speciale, ishte ai i koduar “Picasso”, në bashkëpunim me Policinë e Belgjikës, gjatë të cilit u arrestuan 8 shtetas shqiptarë. E duket se operacioni i radhës do të jetë në bashkëpunim me Policinë Federale Gjermane. Të paktën këtë nënkuptoi dje ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, pas një vizite bashkë me ambasadoren e Gjermanisë, Susanne Schutz, në zyrat e Task Forcës Speciale “Anti Skifter”. Xhafaj tha se aktualisht janë në proces hetimi disa çështje të ndjeshme. “Ne kemi disa çështje në proces hetimi policor të përbashkët me autoritetet policore gjermane. Janë çështje shumë të ndjeshme edhe për publikun shqiptar. Pala gjermane, homologët tanë, kolegët e Policisë gjermane janë duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, jo thjesht asistence, por edhe shkëmbim informacion, hetim të përbashkët, për të pasur sukses në hetimin e këtyre çështjeve të rëndësishme për publikun shqiptar dhe jo vetëm për publikun shqiptar”, u shpreh Xhafaj. Ndërsa burimet thanë se në kuadër të këtyre hetimeve, oficerë federalë gjermane ndodhen në Shqipëri, ashtu sikurse disa oficerë shqiptarë po veprojnë në Gjermani.
TAKIMI Pas vizitës në zyrat e Task Forcës Speciale, ambasadorja e Gjermanisë, Susanne Schutz, u shpreh se nga bashkëpunimi mes dy vendeve janë arritur rezultatet e para. Ndërsa tha se Gjermania do vazhdojë mbështetjen aktive të kësaj Task Force. “Qëllimi i vizitës ishte që të informohem për punën e bërë nga Task Forca. Mund të them që dal me përshtypje shumë pozitive. Ne kemi fillu- ar tashmë bashkëpunimin e ngushtë me Task Forcën. Kemi arritur rezultatet e para dhe do të vazhdojmë që ta mbështesim aktivisht këtë Task Forcë. Dua të theksoj që lufta kundër krimit të organizuar është një ndër prioritetet kyçe për ecjen përpara të Shqipërisë në drejtim të integrimit në BE. Është diçka shumë e rëndësishme dhe dua të them që ne do të vazhdojmë që të mbështesim në këtë drejtim”, u shpreh Schutz pas vizitës. Ndërsa ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, tha se e vlerëson shumë prezencën e ambasadores edhe për mesazhet që ajo përcolli në mbështetje të Task Forcës, edhe për mesazhet e qeverisë së saj për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar. “Unë besoj që marrëdhëniet ndërmjet dy Poli- cive, ndërmjet dy Ministrive, në këtë fushë do të forcohen më tej dhe besoj se do të jenë marrëdhënie model edhe për t’u ndjekur në raport me vendet e tjera europiane, që janë gjithashtu të interesuara në funksion të këtij bashkëpunimi”, u shpreh Xhafaj.