Ahmetaj: Turizmi, prioritet i qeverisë, ja lehtësitë fiskale
“Ulëm TVSH në 6 %, kemi paketën më pozitive për investime”
Shqipëria, së bashku me Italinë dhe Malin e Zi, do të jetë pjesë e projektit për akomodimin e turistëve me aftësi të kufizuara.
Në prezantimin e projektit “P. A. S. T4 Future – Promovimi i Turizmit të Aksesueshëm dhe të Qëndrueshëm” për të ardhmen, i cili zbatohet nga 6 partnerë, Italia, Shqipëria, Mali i Zi, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj tha dje se ky projekt do t’u vijë në ndihmë shtresave në nevojë dhe personave me aftësi të kufizuar. “Projekti ka në fokus zhvillimin e sektorit të turizmit, duke shtrirë ofertën turistike në Shqipëri për një segment tregu ende të paplotësuar, si personat me nevoja të veçanta, personat me aftësi të kufizuar, persona të moshës së tretë, por edhe turistë familjarë që kanë nevoja të veçanta. Ky projekt do të krijojë një platformë dixhitale, ku do të mundësojë ndërlidhjen e aktorëve të ndryshëm për ofrimin e informacionit në kohë reale lidhur me kërkesat specifike të turistëve me nevoja të veçanta. Nëpërmjet këtij projekti, Ministria e Financave dhe Ekonomisë kërkon të sensibilizojë të gjithë ato sipërmarrje në sektorin e shërbimeve, për të mundësuar staf të kualifikuar për kujdesie të veçanta për turistë me nevoja të veçanta”, u shpreh Ahmetaj. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, u shpreh dje se zhvillimi i turizmit është prioritet i qeverisë dhe për këtë janë marrë disa lehtësi fiskale. Duke folur për lehtësitë fiskale në ndihmë të zhvillimit të sektorit të turizmit, ministri Ah- metaj veçoi uljen e TVSH- së në 6 për qind për strukturat akomoduese dhe përjashtimin nga tatimfitimi për 10 vjet hotelet me 4 dhe 5 yje. “Në prill të vitit të kaluar u vendos aplikimi i shkallës së reduktuar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar 6 për qind. Vitin e kaluar u vendos që të ulej pragu nga 20 në 6 për qind, duke iu referuar edhe praktikës ndërkombëtare, sidomos direktivës së Bashkimit Europian që referon një normë rreth 10 për qind. Në fakt, i gjithë rajoni e ka nën 10 për qind. Me këtë ofrim të këtij niveli, Shqipëria është bërë një nga vendet me paketën pozitivisht më agresive të turizmit. Pra, jo vetëm paketa për turistët, por paketa për investitorët, një kombinim shumë i duhur midis të dyjave. Për një periudhë 10- vjeçare është vendosur përjashtimi nga tatimfitimi për struktura specifike akomoduese, siç janë hotel- resortet me 4 dhe 5 yje. ”, u shpreh Ahmetaj.