Panorama (Albania)

“Vendi ka nevojë për lider normal që punon, jo që sillet si profet”

Basha: Rilindja është projekt i një njeriu, urrejtës i lirisë dhe dinjitetit njerëzor, përçmues i atdheut të tij

-

Kryetari i Partisë Demokratik­e, Lulzim Basha, deklaroi dje para protestues­ve se shqiptarët tashmë e kanë të qartë se qeveria Rama nuk mund të çlirohet nga krimi dhe të luftojë drogën. Sipas tij, të gjithë shqiptarët duhet të bëhen bashkë për ta larguar këtë qeveri nga njerëzit. Basha tha se Shqipëria nuk ka nevojë për lider që hiqet si profet, por për një lider normal që punon për njerëzit. “Sot ne dëshmojmë se nuk e pranojmë autokracin­ë, korrupsion­in, se nuk mbyllim sytë para krimit dhe drogës, duke dëshmuar se demokracin­ë, përparimin dhe stabilitet­in mund t’i garantojnë vetëm njerëzit e lirë dhe kurrë jo autokratët e korruptuar. Ky është momenti ynë, kjo është vala që po ngrihet. Le të lëshohemi mbi të në këtë udhëtim drejt së ardhmes europiane për vete dhe fëmijët tanë. Për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë sonë”, tha dje Basha.

LULZIM BASHA

Rilindja është projekt i një njeriu, urrejtës i lirisë dhe dinjitetit njerëzor, përçmues i atdheut të tij. Si hakmarrje ndaj atdheut dhe njerëzve të tij, etja për pushtet, megalomani­a e injorancës, mungesa e dashurisë për vendin dhe njerëzit, e futi “Rilindjen” në hendekun e shkatërrim­it të kombit, në rrugën e krimit dhe të drogës, të grabitjes së pasurive të vendit, të zhytjes së vendit në borxhe dhe prapambetj­e ekonomike. Projekti i Rilindjes u ngrit mbi katër gjëma antikombët­are dhe antieuropi­ane: Mbi aleancën me krimin, si burim parash, votash dhe force. Mbi zëvendësim­in e shtetit të së drejtës, Kushtetutë­s dhe institucio­neve, me sundimin personal, arrogant e të korruptuar. Mbi përqendrim­in e të gjitha pasurive të vendit dhe të gjithë pushtetit ekonomik në pak duar. Mbi propagandë­n, mashtrimet dhe keqinformi­min e shfrenuar, për të fshehur realitetin. Rilindja nuk degradoi rrugës. Rilindja ishte që në ngjizje një projekt kriminal për pasurim dhe pushtet personal, të një individi dhe një grushti lakenjsh rreth tij. Ndaj, që ditën e parë, Rilindja e plaçkiti atdheun. Ndaj që ditën e parë, Rilindja vandalizoi demokracin­ë. Pas 5 vjetësh, Rilindja ka ndërtuar një sistem kriminal politik dhe ekonomik. Në këtë sistem, pushteti nuk buron nga politika, por nga pazaret. Pushteti nuk buron nga vota, por nga paraja. Pushteti nuk buron nga vullneti i njerëzve të lirë, por nga forca e dhunës. Në këtë sistem, pushteti nuk buron nga vetëdija qytetare, por nga mashtrimi dhe gënjeshtra qeveritare. Ndaj pushteti i sotëm nuk është më pushtet i njerëzve, por pushtet i një pakice të zhytur e që zhytet përditë e më shumë në krim. Një pakicë që zhvat përditë e më shumë paratë e shqiptarëv­e.

* * * Sot nuk duket më asnjë iluzion se kjo qeveri mund të çlirohet vetë nga krimi, se kjo qeveri do ta luftojë vetë drogën, se kjo qeveri do të përmirësoh­et. Sot duhet të jetë e qartë për çdo shqiptar dhe të gjithë botën, se ka vetëm një rrugë, largimi i kësaj qeverie nga njerëzit, nga populli i bashkuar. Vëllezër dhe motra: Në këto 30 vite, udhëtimi ynë politik ka qenë plot ulje dhe ngritje. Kemi kaluar nga euforia dhe entuziazmi për ndryshimin, te dëshpërimi i përsëritje­s të së keqes në një cikël që vërtitet e vërtitet e nuk mbaron. Ndaj sot ne nuk kërkojmë thjesht ndryshimin e qeverisë, por ndarjen e politikës një herë e mirë nga krimi, korrupsion­i, nga e keqja. Ne sot kërkojmë një qeveri që punon për njerëzit, punon për të ardhmen e tyre. Por asnjë qeveri nuk bëhet vetë e mirë. Pushtetin e bën të mirë vetëm frika nga populli. Të përparuara janë vendet ku qeveria e ka frikë popullin, të mjera janë vendet ku populli e ka frikë qeverinë. Ndryshimi fillon vetëm atëherë kur populli nuk i zë besë pushtetit. Kur populli sheh çdo pushtet me dyshim. Asnjë qeveri nuk duhet lënë për mbikëqyrje sepse pushteti abuzohet, kur pushtetarë­t nuk japin llogari, kur njerëzit nuk e ngrenë zërin, kur njerëzit nuk ngrihen në këmbë për të drejtat e tyre. Ne duhet të çlirohemi nga përpjekja për të gjetur udhëheqës të mëdhenj që premtojnë bëma të mëdha, që rrahin gjoksin si profet. Shqipëria ka nevojë për udhëheqës normalë, që punojnë për njerëzit, që respektojn­ë njerëzit, që sillen si europianë, që janë modestë dhe të përulur si europianë dhe nëse nuk sillen si të tillë, duhet t’i ndërrojmë sa më parë pa pritur që e keqja të bëhet mal. Për këtë duhet të kemi besim te vota. Njerëzit mendojnë se vota e tyre nuk ka vlerë. Kur njerëzit mendojnë se vota e tyre nuk mund të sjellë ndryshim, atëherë vota me të vërtetë nuk ka për të pasur vlerë, atëherë vota do të shitet e do të blihet, atëherë vota do të dhunohet. Arma jonë e demokracis­ë është qytetari i lirë me votë në dorë, por mbi të gjitha ne kemi nevojë për besimin te vetja, te forca jonë, te energjia jonë, te fuqia jonë.

* * * Ne kemi nevojë të besojmë se ne mund ta bëjmë Shqipërinë, kemi nevojë të besojmë se ne mund ta mposhtim të keqen e të ndërtojmë të mirën. Nëse 5 vitet e fundit kanë treguar një gjë, është kjo; sa herë njerëzit janë bërë bashkë qoftë edhe pak qindra, ata ia kanë dalë. Mendoni se sa të fuqishëm jeni kur bëhemi bashkë me mijëra, me dhjetëra mijë, me qindra mijëra. Atëherë pushteti do të jetë vërtetë i njerëzve dhe në shërbim të njerëzve. Vëllezër e motra, ne për 5 vjet kemi luftuar krimin në politikë. Kemi luftuar drogën dhe trafiqet, kemi luftuar kapjen e shtetit, të medias dhe ekonomisë. Ka qenë një përpjekje e mundimshme. Unë dhe ju kemi provuar çdo gjë, talljen, mashtrimin, presionet, dhunën. Kemi provuar braktisjen dhe vetminë ku pushteti bëri gjithçka për të na larguar nga kjo përpjekje, por Zoti dhe e vërteta na dhanë kurajën të vazhdojmë. Dhe ja ku jemi sot bashkë në këtë demonstrim të jashtëzako­nshëm të aspiratës tonë për demokraci, për dinjitet, për vlera europiane, për një jetë më të mirë dhe shpresë për çdo shqiptar. Ne nuk jemi këtu nga dëshpërimi, ne jemi këtu nga dobësia, ne kemi dalë në këtë shesh si triumfator­ë sepse kemi triumfuar mbi frikën, sepse kemi triumfuar mbi gënjeshtrë­n, mashtrimin dhe propagandë­n. Sepse kemi triumfuar mbi krimin dhe pushtetin e bërë njësh me të. Mes jush sot këtu, unë nuk jam për të kërkuar pushtet për vete. Nuk jam këtu për të zaptuar, nuk jam këtu për të qenë mbi ju. Jam këtu për të marrë kurajë dhe për t’ju dhënë kurajë. Për të qenë një nga ju! Për të qenë bashkë me ju. Çfarë na pret përpara, nuk është më sfida e një njeriu! Nuk është më udhëtimi i një njeriu! Është udhëtimi i të gjithëve ne, është udhëtimi i gjithë shqiptarëv­e, duke e ndjekur dritën që lëshon, diellin që lind në perëndim. Zoti është treguar zemërgjerë me ne që na ka dhënë një vend në mes të perëndimit. Na ka falur natyrë të mrekullues­hme. Na duhet punë, na duhet këmbëngulj­e dhe do të jemi një vend i begatë, një vend i përparuar, një vend i denjë europian. Ka një baticë në punën e njerëzve, e cila kur kapet, çan drejt fatit. Kur kjo mundësi humbet, jeta lëngon në cekëtina dhe mjerim. Ne e kemi humbur shpesh çastin tonë dhe kemi humbur shumë vjet në cekëtina dhe mjerim, por tani batica po ngrihet përsëri. Ky është momenti ynë, kjo është vala që po ngrihet, e po ngrihet, e po ngrihet… Le të lëshohemi mbi të në këtë udhëtim drejt së ardhmes europiane për vete dhe fëmijët tanë. Për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë sonë.

 ??  ?? Basha, dje gjatë fjalës në protestë
Basha, dje gjatë fjalës në protestë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania