Panorama (Albania)

TEATËR “BA( SH) BALESH” NË BULEVARD

-

Sot( dje) pamë “live”, me zë e me figurë, me dron dhe pa dron, shfaqjen e rreme në kryeqytet të babaleve, që na udhëheqin. Të atyre që janë në qeveri dhe të tjerëve që janë në opozitë. Ndaj, ashtu si në të gjitha betejat e gënjeshtër­ta, mos prisni më kot që të ketë fitues. Do të dëgjoni, nga njëra anë, se protestës në bulevard iu bashkuan 1 milion shqiptarë, kurse, nga ana tjetër, që aty nuk ishin më shumë se 500 vetë.

Sepse kaq të largët e kanë distancën me të vërtetën babalet, që na drejtojnë, s’ka rëndësi, nëse janë në pushtet apo në opozitë. Ndaj, e vetmja këshillë është të mos i dëgjoni se ç’thonë, por shikojini vetë pamjet, me dron e pa dron, njësoj si në ato ndeshjet e rëndësishm­e të Champions League, kur në momente delikate, nuk ke pse e dëgjon fare komentator­in, është apo nuk është penallti. Babalja në opozitë thotë se ka dalë me sukses, sepse atë di që ka për detyrë, që të shtyjë ditët e veta dhe të bëjë sikur po ngre në këmbë popullin e revoltuar.

Një Zot e di ku e gjen forcën dhe guximin, që të bëjë prapë si i fortë, edhe pse e di që të gjithë kanë televizor në shtëpi dhe e kanë parë gjithçka me sytë e tyre. Babalja në qeveri po rreh gjoksin prej disa orësh dhe po mburret për dështimin e vëllait të vet në opozitë. Por gëzohet kot, sepse kjo nuk ka asnjë lidhje me njerëzit dhe atë vetë. Sepse e vetmja meritë e Babales së fortë në këtë mes është që ai tjetri nuk ekziston. Vini re sa të ngjashëm janë edhe kur shahen dhe tregojnë me gisht njëri- tjetrin dhe bëjnë sikur tashmë janë në gjak.

Po akuzohen reciprokis­ht dhe me shumë tërsëllëm dhe pasion si shkaktarë të refuzimit të Europës. Dhe kjo për ata është arsyeja më e fortë e kësaj “lufte epike”, për të mos thënë që është e vetmja arsye. Sepse për ta nuk ka rëndësi sesi jetohet nga brenda Shqipërisë, por vetëm se si duket ajo nga jashtë.

A thua se kjo është një fotografi apo një video e shkurtër reklame, që duhet ta shohin për disa çaste të huajt, sa për të krijuar një ide. Dhe jo si i vetmi atdhe që kemi, ku gdhijnë dhe ngrysin ditë shumë të vështira për shkak të keqqeveris­jes miliona shqiptarë. Mes dy babaleve, që zihen për pushtet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, jam i sigurt se shumica e shqiptarëv­e sot nuk zgjedh asnjërin. Atij më të dobëtit, që bën kinse si i fortë, ia numëruan brinjët sot, me zë e me figurë, me dron dhe pa dron. Saqë më mori malli për protestat e Shaban Memisë para vitit 2000, kur PD ishte në vështirësi. Na dukeshin të vogla atëherë, por e keqja nuk paska fund. Por edhe ai më i forti të mos trimërohet kot, vetëm nga dobësia apo kapja e tjetrit. Sot kishim mundësi t’i numëronim vetëm policët atij, por do të vijë shpejt dita që të testohen edhe njerëzit që e mbështesin. Shqipëria nuk mund ta lërë fatin e vet në dorë të babaleve dhe as të marrëdhëni­eve që mund të kenë ata me njëri- tjetrin, pavarësish­t se kush prej tyre bie ne burg dhe kush nuk i dërgon tjetrit një paketë cigare. Për rastësi ose jo, fiks si sot një vit më parë, pala sulmuese dorëzonte me triumfaliz­ëm listën e fitores mbi rivalen e vet, pas romance të fortë dashurie joplatonik­e. Ndaj, kjo e bën edhe më të shëmtuar e të neveritshë­m teatrin e sotëm në bulevard. Shqiptarët kanë nevojë për një alternativ­ë të re politike, që nuk ka asnjë lidhje me Babalet e sotme, që na udhëheqin, disa në qeveri dhe të kënaqur, ndërsa të tjerët, në opozitë, duke bërë si të mërzitur.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania