Italia mbetet pa qeveri, Conte dorëzon mandatin
Savona, 82- vjeçari që ‘ rrëzoi’ bashkimin mes dy ekstremeve
Italia mbetet ende pa qeveri pas 84 ditësh nga zgjedhjet, sipas mediave italiane, një rekord për historinë republikane.
I ngarkuari për Kryeministër apo President i Këshillit siç quhet në Itali, Giuseppe Conte, të dielën në mbrëmje ka hequr dorë nga mandati i tij, pas katër ditësh që e mori. Njoftimi erdhi nga Presidenca italiane në përfundim të bisedës mes Presidentit të Republikës, Mattarella, dhe të ngarkuarit për Kryeministër, Conte, një bisedë që ka zgjatur rreth një orë. Ky ishte fundi i përpjekjes për të formuar një qeveri të drejtuar nga Lega- 5 Yjet. Në këtë rast ka pasur një përplasje të rrallë institucionale. Mospajtimi i madh ka ardhur mbi emrin e propozuar për ministër të Ekonomisë, Paolo Savona. Politikani 82- vjeçar ka qenë ministër i Industrisë dhe Tregtisë në vitet ‘ 93-‘ 94. Ai ka marrë gjatë viteve ‘ 70 disa çmime ekonomike dhe njihet për vlerat akademike. Por është shprehur kundër qëndrimit të Italisë në euro. Mattarella ka deklaruar se nuk do të pranojë imponime për listën e ministrave dhe nuk do të miratojë asnjë ministër ekonomie me politika kundër euros, siç njihet hapur Savona. Dy biseda të gjata në Presidencë me liderët e Lëvizjes 5 Yjet dhe Legës, respektivisht Luigi Di Maio dhe Matteo Salvini, janë kryer para se të mbërrinte Conte në Presidencë. Di Maio dhe Salvini i kanë kërkuar Presidentit Mattarella që të zhbllokojë funksionimin e qeverisë duke miratuar listën e ministrave siç e kanë kërkuar ata, por Presidenti nuk ka lëshuar rrugë për këtë çështje që e ka konsideruar thelbësore për rrugën që do të ndjekin politikat e Italisë në Unionin Europian. “Kemi punuar dy javë, ditë e natë, për të lindur një qeveri që do të mbrojë interesat e qytetarëve italianë. Por dikush na tha Jo”, ka shkruar kreu i Legës, Matteo Salvini, në “Twitter”. Conte, në përfundim të bisedës ka falënderuar Presidentin Mattarella, Salvini- n dhe Di Maion. “Kam bërë përpjekjen mak- simale, dhashë vëmendjen maksimale për të përmbushur këtë detyrë në një klimë bashkëpunimi me eksponentë të forcave politike që më përcaktuan”, tha ai. Ndërsa Presidenti i republikës, pasi ka sqaruar se pengesa ishte vetëm propozimi për ministrin e Ekonomisë, të cilin dy liderët politikë të shumicës nuk pranuan ta ndërronin, Mattarella vuri në dukje të gjitha rreziqet që do të haste Italia me një ministër që do të vinte në dyshim qëndrueshmërinë në sistemin e monedhës unike europiane. “Italia është një nga vendet themeluese të Unionit Europian, është protagoniste”, kujtoi Mattarella. Sa për mundësinë e zgjedhjeve të reja, Presidenti i Italisë tha se “Do ta marr këtë vendim në orët në vazhdim”.