Prishja e Teatrit, PD: Projektligji, antikushtetues
“Rama, ligj të posaçëm për të shmangur përgjegjësinë penale”
Partia Demokratike denoncoi projektligjin e propozuar nga qeveria për të prishur godinën e Teatrit Kombëtar. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, kryetarja e Komisionit të Medias, Albana Vokshi, i cilësoi korruptive veprimet e ndërmarra nga Kryeministri Rama, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. "Ministria e Kulturës, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ka publikuar për konsultim projektligjin për përcaktimin e një procedure të veçantë negocimi me kompaninë Fusha shpk, së cilës do t'i jepet falas e gjithë qendra historike e Tiranës për të shembur Teatrin Kombëtar dhe për të ndërtuar kulla biznesi. Projektligji bie ndesh me Kushtetutën, ligjin nr. 125/ 2013 "Për koncesionet dhe partneritetin publik privat", të ndryshuar, si dhe ligjin nr. 139/ 2015 "Për vetëqeverisjen vendore". Ky është një rast i paprecedentë!! Ndërkohë që ekziston një ligj i posaçëm që rregullon këtë proces për realizimin e një projekti sipas procedurës së partneritetit pub- lik - privat ( ligji nr. 125/ 2013), Rama ka hartuar një ligj tjetër të posaçëm, që rregullon vetëm një rast individual, një projekt konkret, duke synuar shmangien e rregullave të paracaktuara dhe që kanë si synim mbrojtjen e interesit publik. Pra, qëllimi i vetëm është të realizohet një projekt i klientit të Ramës, jashtë çdo procedure që parashikon Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi. Rama ka hartuar këtë ligj të posaçëm vetëm për të shmangur përgjegjësinë penale të personave të përfshirë në këtë aferë korruptive dhe për të ligjëruar shkeljet flagrante të ligjit që janë kryer, po kryhen apo do të kryhen në realizimin e këtij projekti. Kryeministri, ministrja e Kulturës dhe kryetari i Bashkisë Tiranë duhet të hetohen dhe dënohen jo vetëm për "shpërdorim detyre", por edhe për "veprime të dyshuara korruptive", ku Prokuroria duhet të dokumentojë motivet ekstraligjore që shtyjnë Kryeministrin, ministren e Kulturës dhe kryetarin e Bashkisë Tiranë që të shkelin ligjin për llogari të përfitimit të një subjekti privat", deklaroi Vokshi.