Si e zvarriti Prokuroria dosjen e Xhulietës, rrëfimi i 19- vjeçares: Kam frikë për familjen
Dy javë para ekzekutimit, Xhuljeta Çuni foli me psik ologët: Ai më premtoi se do më lërë të qetë, më shumë kam merak un e familjes
Dy javë para se të ekzekutohej me dy plumba nga ish- i dashuri, maturantja Xhuljeta Çuni kishte rrëfyer gjithçka në Prokurorinë e Tiranës.
Ajo kishte folur për njohjen me Xhafer Matën, si përndiqej prej tij dhe shqetësimet që i sillte. Kishte folur edhe për frikën më të madhe që ajo kishte. Jo për vete, siç ishte shprehur 19vjeçarja, por për familjen e saj. Merakun se mos shqetësohej i ati emigrant, në momentin që do të mësonte atë çfarë i kishte ndodhur. Më 23 maj ajo ishte paraqitur në Prokurorinë e Tiranës dhe në një zyrë në katin e gjashtë, kishte biseduar për gati një orë e gjysme me dy psikologë. Një femër dhe një mashkull. Ata e kishin dëgjuar dhe pyetur me detaje se çfarë ndiente ajo dhe nga çfarë frikësohej. Ndonëse fillimisht Xhuljeta kishte qenë disi kontradiktore, pasi ende nuk ishte “zhveshur” plotësisht nga meraku se familja nuk duhej ta merrte vesh, gjatë vijimit të bisedës kishte lënë mënjanë frikën duke treguar gjithçka. E megjithatë, kjo nuk shërbeu për asgjë. Ndonëse ajo nuk kishte frikë për veten, ajo që ndodhi dëshmoi të kundërtën. Edhe pse Xhuljeta i besoi premtimit të ish- të dashurit në korridoret e Komisariatit Nr. 3 se do e linte të qetë, ai në fakt i mori jetën, asaj dhe vetes. Kur pritej që Xhafer Mata të thirrej për t’u marrë në pyetje në Prokurori, pasi ishte person nën hetim për përndjekje, ndodhi që ai kreu krimin e dyfishtë mëngjesin e së premtes, në zonën e “Don Boskos”. RREFIMI I XHULJETES Më datë 23 maj, në dosjen hetimore në ngarkim të Xhafer Matës është bashkëngjitur edhe raporti i vlerësimit psikologjik i Xhuljeta Çunit. Me urdhër të prokurorit Kudusi Shahu, i cili kishte nën hetim çështjen e referuar nga Policia më datë 8 maj, dy psikologët kanë përpiluar një raport pasi kanë dëgjuar për 90 minuta 19- vjeçaren. “Me Xhaferin jam njohur para rreth një viti. Jam njohur përmes kushërinjve të mi. E kam respektuar, pasi jetonim thuajse në të njëjtën lagje. Nuk kam pasur marrëdhënie intime me të”, është shprehur Xhuljeta. Megjithatë, në kohën që e kishte denoncuar në Polici, më 7 maj ajo kishte deklaruar se ish- i dashuri Xhafer Mata e përndiqte, pasi ajo i kishte dhënë fund lidhjes, ndërsa ai nuk e pranonte këtë fakt. E pyetur nëse kishte frikë nga ai apo nëse ishte dhunuar ndonjëherë nga 31- vjeçari, Xhuljeta ishte përgjigjur se nuk i frikësohej atij, por kishte frikën e familjes nëse e merrnin vesh që ai i kishte sjellë shqetësime. “Nuk kam frikë për veten. Më shumë kam frikë dhe merakun e familjes. Shqetësohem nëse mund ta marrë vesh babi. Ai është emigrant. Xhaferi më premtoi në Polici së do më linte të qetë dhe nuk do më sillte më shqetësime”, ka treguar maturantja. Që Xhuljeta Çuni nuk e kishte menduar një fund të tillë, e ka treguar edhe gjatë rrëfimit të saj para psikologëve. Madje ajo besonte se Xhafer Meta nuk do e shqetësonte më dhe në Polici e kishte denoncuar vetëm që ta trembte. “Atë ditë që më doli para në rrugë dhe po më shqetësonte, i thashë që do ta denoncoja në Polici. Ai nuk e pati problem këtë që i thashë, madje më tha që të shkoja dhe ta denoncoja. ‘ Do vij edhe unë me ty’, më tha. Kur ishim duke pritur në korridorin e Komisariatit, fola me të dhe i thashë që isha e gatshme të tërhiqesha, të mos e denoncoja. Ndërsa ai nuk pranoi, më tha që të vazhdoja, të bëja atë që kisha nisur. Ndërsa më premtoi që nuk do më bezdiste më”, ka treguar Xhuljeta. Të nesërmen pas kallëzimit, siç ndodh rëndom, Policia ka referuar materialet në Prokurori për Xhafer Matën, të cilin e ka proceduar në gjendje të lirë. Pas këtij veprimi nuk ka ndodhur asnjë veprim konkret nga ana e Policisë, qoftë verifikim në zonë, për të parë nëse 19- vjeçarja po përndiqej apo po shqetësohej, apo edhe mbajtja nën vëzhgim e të dyshuarit. Kur pritej që ai të thirrej për t’u marrë në pyetje, 31- vjeçari kreu krimin e rëndë.