Panorama (Albania)

Prindërit e vrasësit të gruas: E kemi bërë lanet, pinte gjithë ditën

Babai i Çlirim Shahollit: Im bir nuk ishte i denjë për kryefamilj­ar. Nuk donte të punonte e pinte gjithë ditën

- DURRES/

Fajtori për këtë ngjarje të rëndë është pikërisht djali im, i cili nuk ishte i zoti të mbante familjen. Ai nuk punonte, ishte xheloz pa arsye dhe i padenjë për kryefamilj­ar. Nëse Çlirimi do të punonte, do të ishim mirë e bukur tani. Ne i thoshim shko puno. S’ka punë, thoshte. Shko në Greqi dhe puno se duan të hanë fëmijët,- i thoshim,- por nuk punonte

Zaim Shaholli bashkë me të shoqen kishin shkuar në fshatin e tyre në Korçë për të mbledhur bimë medicinale, si e vetmja mundësi për t’u mbijetuar kushteve të vështira ekonomike të familjes me 10 anëtarë.

Ata nuk u ndodhën në banesë mbrëmjen e së premtes kur djali i tyre Çlirimi do të dhunonte deri në vdekje bashkëshor­ten e tij Ardjanën, nënë e 6 fëmijëve. Një bashkëfsha­tar i tyre në Korçë i lajmëroi ata për ngjarjen e rëndë dhe ata u nisën menjëherë për në Durrës. Tashmë 81vjeçari bën apel për ndihmë, pasi ai është i vetmi që mund të kujdeset për jetimët e të birit. Ndërsa djalin e tij Çlirimin, siç ai shprehet, e ka braktisur përjetë. “E kam bërë lanet. Ai e ka të gjithë fajin. Ishte xheloz kot me bashkëshor­ten e tij dhe nuk punonte. I shoshim shpesh të dilte dhe të punonte, por na thoshte ‘ s’ka punë’”, shprehet mes dhimbjes i moshuari Shaholli. Sipas tij, i biri ishte i padenjë për të qenë kryefamilj­ar dhe se kishte qenë bashkëshor­tja e tij Ardjana ajo që ishte përpjekur gjithnjë të mbante familjen të bashkuar, pavarësish­t dhunës së përhershme ndaj saj. Dje në familjen Shaholli hynin e dilnin të afërm të tyre, por dy të moshuarit nuk mund t’i ngushëlloj­ë asgjë me gjithë këtë tragjedi që ndodhi. Burrë e grua e kanë braktisur me vetëdije të plotë djalin e tyre, që u bë shkaktar duke i marrë jetën gruas 40 vjeçe dhe la jetimë fëmijët e tij. Ata nuk shkuan as në gjykatë për të ndjekur seancën për vlerësimin e masës së sigurisë së të birit, teksa pohojnë se “ai nuk është më djali ynë”.

Zaim, ku ndodheshit në momentin e ngjarjes dhe si e mësuat krimin e rëndë?

Unë nuk ndodhesha në shtëpi. Së bashku me bashkëshor­ten time ishim në fshatin tim në Korçë. Kishim shkuar prej disa ditësh dhe po mblidhnim bimë medicienal­e. Shkonim çdo verë, me qëllim të mblidhnim ndonjë lekë pasi jemi në gjendje të vështirë ekonomike. Ishim dhjetë gojë për t’u ushqyer. Si mësuat për ngjarjen, kush iu lajmëroi? Ngjarjen e mësuam atje në fshat. Po rrinim në darkë aty në ballkon dhe vjen një kushëri yni që na thotë “dëgjuat çfarë ka ndodhur në Durrës?” Ai e kishte mësuar ngjarjen nga mediat. “Çlirimi ka vrarë Ardjanën”,- na tha. Mbetëm të habitur. S’po na besohej dhe mora në telefon Çlirimin, por nuk m’u përgjigj. Mora një të afërmin tonë që e kemi komshi këtu në Durrës. Ai na pohoi atë çfarë kishte ndodhur. U nisëm me urgjencë nga Korça.

Si ishte marrëdhëni­a e Çlirimit me Ardjanën? Ishit ju në dijeni të konfliktev­e të tyre?

Djali dhe nusja nuk kishin një marrëdhëni­e të shëndoshë. Ata nuk kishin marrëdhëni­e të mirë për disa faktorë. Faktori i parë ishte se Çlirimi nuk punonte, por pinte shumë. E dyta, bënte pa arsye xhelozin dhe kryefamilj­arin autoritar. E treta, ishte fakti se jemi në gjendje shumë të rëndë ekonomike dhe kjo ishte arsyeja që debatonin herë pas here, por që të mbërrinin deri në këtë pikë, nuk na kishte shkuar kurrë në mendje. Im bir nuk ishte kryefamilj­ar i denjë, ndërsa Ardjana së bashku me mua dhe bashkëshor­ten time që marrim 18 mijë lekë pension të dy, përpiqeshi­m të mbanim të bashkuar familjen.

Po thoni se djali juaj ishte shkaktar për këtë marrëdhëni­e konfliktua­le mes tyre...

Pa diskutim. Fajtori për këtë ngjarje të rëndë është pikërisht djali im, i cili nuk ishte i zoti të mbante familjen. Ai nuk punonte, ishte xheloz pa arsye dhe i padenjë për kryefamilj­ar. Nëse Çlirimi do të punonte, do të ishim mirë e bukur tani. Ne i thoshim shko puno. “S’ka punë” thoshte. Shko në Greqi dhe puno se duan të hanë fëmijët,- i thoshim,por nuk punonte.

Pse kanë debatuar ditën e ngjarjes, keni dijeni rreth krimit?

Kishin debatuar si gjithmonë. Nuk e di se për çfarë konkretish­t se nuk ndodhej asnjë person në shtëpi veç atyre dyve atë mbrëmje. Siç ua thashë, unë dhe plaka ndodheshim në Korçë, djali dhe vajza e madhe kishin filluar punë pak kohë më parë dhe s’ishin kthyer akoma, ndërsa fëmijët e tjerë ndodheshin në një kamp veror në Golem, pasi ua mundësoi këtë një shoqatë. Ai e kishte vrarë dhe e kishte lënë në dysheme. Vetë ishte nisur drejt Policisë për t’u dorëzuar. Ardjana u gjet e vdekur nga vajza e madhe, e cila ishte kthyer nga puna. Kaq dimë, se Çlirimin nuk e kemi takuar të na tregojë çfarë ka ndodhur konkretish­t.

Ju nuk ishit të pranishëm as në gjykatë gjatë masës së sigurisë...

Ishte zgjedhja jonë të mos ishim të pranishëm në gjykatë. Nuk kishte asnjë arsye të sensibiliz­oheshim. Ne e dënojmë ashpër veprimin e tij, ai nuk është më djali ynë. Nuk u interesuam dhe as nuk do të interesohe­mi në të ardhmen për të. I mori jetën nuses sonë, nënës së gjashtë fëmijëve, bijës së dy prindërve, motrës së vëllezërve etj. Pra, ne i bëjmë apel shtetit të veprojë pa mëshirë, pasi veprimi i tij është vërtetë i rëndë dhe krejtësish­t i papërgjegj­shëm.

Aktualisht ndodheni vetëm me bashkëshor­ten në shtëpi, po fëmijët ku janë?

Po fëmijët janë disa në kamp dhe disa në punë. Tre fëmijë janë në kamp dhe ndodhen atje në Golem prej disa ditësh. Ata nuk kanë dijeni për ngjarjen. Nuk u kemi treguar për atë që ka ndodhur. Ndërsa tre të tjerët që janë më të mëdhenjtë po përpiqen të punojnë. E dimë që do të jetë e vështirë, por do përpiqemi ta kalojmë këtë tragjedi që na ndodhi. U bëjmë apel të gjitha shoqatave të bamirësisë, kush të ketë mundësi ta na ndihmojnë. Jemi shumë të varfër.

Ju thatë se djali dhe vajza e madhe e Çlirimit kanë filluar punë së fundmi?

Po, djali i madh kishte filluar punë si kamerier dhe ndaj nuk është ndodhur në banesë në momentin kur prindërit e tij janë konfliktua­r dhe ngjarja përfundoi kaq tragjikish­t. Ndërsa për vajzën nuk e di saktësisht se ku. Fëmijët më të vegjël, siç e theksova, janë në një kamp ku i ka çuar një shoqatë që vepron për fëmijët në nevojë. Ata ende nuk e dinë se çfarë ka ndodhur. Janë ende në kamp dhe nuk iu kemi thënë se nëna e tyre nuk është më dhe se autor i kësaj ngjarjeje të rëndë është babai i tyre.

 ??  ??
 ??  ?? VIKTIMA, ARDJANA SHAHOLLI
VIKTIMA, ARDJANA SHAHOLLI
 ??  ?? Zaim dhe Naile Shaholli, prindërit e autorit të vrasjes
Zaim dhe Naile Shaholli, prindërit e autorit të vrasjes

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania