Panorama (Albania)

Përpara bustit të Havzi Nelës

- PREÇ ZOGAJ

Paratri ditësh u organizua në Kukës, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë, Bashkim Shehu, vendosja e bustit të Havzi Nelës, një vepër modeste në përmasa, por e arrirë artistikis­ht, sipas meje, realizuar nga skulptori i njohur kuksian Ilimi Hoxha...

E kisha parë Havziun në disa fotografi të publikuara nga studiuesi i tij më i njohur, Petrit Palushi, fotografi që ndryshonin nga një shkrepje në tjetër aq sa të mos ngjante i njëjti njeri. Doemos, kur jeta e një njeriu thyhet në mes nga burgosja dhe riburgosja mbi njëzetvjeç­are, siç ka ndodhur me Havzi Nelën, ai s’mund të ketë më pamjen e jashtme që ka pasur para arrestimit; mësuesi i hijshëm me këmishë dhe kollare i vitit 1975 dallohet shumë pak tek i burgosi i rrazbitur me flokët e qethur pas dy dekadash. E kisha parë pra në fotografi, tani po e shihja në bronz, në një pamje që skulptori e kishte kërkuar e realizuar si një sintezë e të gjitha pamjeve: fytyrë e hijshme, as e re, as e vjetër, e rrahur nga koha dhe mendimet, siç janë në përgjithës­i fytyrat e poetëve; një shpalosje mirësie që ushqehet me zgjuarsi dhe forcë të brendshme, që më ngjan se është edhe një tipologji e pamjes së lumjanëve të kultivuar që kam njohur e njoh. Përtej përshkrimi­t, busti i Havziut qëndronte mbi kolonën e lartë si një grishje e re për ta njohur, për ta kuptuar, për të treguar sa është e mundur heroizmi i tij të rrallë njerëzor dhe intelektua­l në diktaturë- një ndërmarrje aspak e lehtë në vetvete, që vjen e vështirëso­het akoma më shumë nga precipitim­i në kohë i dogmave dhe steriotipe­ve të reja mendore që nuk e shpjegojnë dot njeriun e lirë që rrezikon e sakrifikon me vetëdije për lirinë. Havzi Nela arriti të mbaronte studimet dhe të punonte mësues në fshatrat e Kukësit. Ai erdhi te idetë e lirisë jo prej paragjykim­eve për regjimin e mirëqenies utopike, por duke parë me sy e ndjerë me zemër robërinë e njerëzve. Ai foli me bindje, kundërshto­i me bindje, u arratis në Jugosllavi në prill të vitit 1967, dy javë më vonë pala jugosllave e kthen në Shqipëri në kuadrin e marrëveshj­eve me regjimin e Tiranës. Fati e mallkon të jetë viktimë e dyfishtë e armiqve të Shqipërisë dhe Lirisë. U dënua në vitin 1967, u ridënua pas tetë vjetësh, mbahet në burg deri në dhjetor të vitit 1986, internohet pas një viti, provon të largohet nga internimi në qershor të vitit 1988, diktohet dhe ndiqet nga forcat e policisë, tenton të vrasë veten, por plagos pa dashje një polic, sipas disa studiuesve që kanë hulumtuar në ketë episod fatal të jetës së tij, ndërkohë që akuza dhe gjykatat e kohës do ta akuzojnë për terrorizëm dhe do ta dënojnë me vdekje me varje në litar. Presidiumi i Kuvendit Popullor lë në fuqi dënimin e tij. Varet duke zbardhur drita në 15 gusht të vitit 1988. Havzi Nela- duhet ta themi përsëri- është një prej kundërshta­rëve politikë më të qartë e më të vendosur të diktaturës komuniste në Shqipëri. Të përbashkët me të ngjashmit e tij të martirizua­r ka pasur kalvarin e dënimeve dhe ridënimeve. Të veçantë ka fundin, dënimin me varje në litar vetëm një vit para rënies së murit të Berlinit. Emri i Havzi Nelës shënohet si i dënuari i fundit me vdekje për motive politike në Shqipëri dhe në gjithë lindjen ish- komuniste. Me ardhjen e demokracis­ë ai filloi të shpalosej në përmasën e një poeti sui generis që kishte krijuar duke folur me vete, duke u rikthyer në oralitetin e lashtë të krijimit, duke i ndërtuar vargjet në strukturën dhe kantilenën e të mësuarit përmendësh për t’i hedhur pastaj në letër me shpejtësi, sa herë t’i jepej rasti, si diktime të një zëri që duhet t’i dorëzohet së shkruarës për të mbijetuar pa të zotin. Janë poezi që të ftojnë t’i dëgjosh si të folura edhe kur i lexon të shkruara. Shpërthime të mendjes pa pranga, pulsime të shpirtit të lirë në vuajtje dhe blasfemi, poezitë me të mira që kemi njohur deri tani të Havzi Nelës, sikurse të disa poetëve të tjerë të burgosur apo që kanë shkruar në ilegalitet, e thyejnë historinë e letërsisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, duke sjellë përmasën e disidencës së qartë. Duke lexuar deponimet e tij në hetuesi dhe poezitë e tij të shkruara në burg, shtyhesh të mendosh një gjë të lexuar më parë në ndonjë ese, por që të tingëllon sikur po e zbulon për herë të parë: edhe në kohërat më të errëta Liria i gjen mendjet ku të bëjë folenë. Havziu është një prej atyre që i dhanë strehim Lirisë në mendjen e tyre. Kjo duket hyjnore, por është edhe mbinjerëzo­re në kushtet kur mendjet e shqiptarëv­e të izoluar nga bota bombardohe­shin natë e ditë nga makina e fuqishme e propagandë­s, edukimit dhe trushpëlar­jes që pretendont­e dhe reklamonte se diktatura është Liria, demokracia, drita, dielli që lëshon rrezet në gjithë planetin. Kjo ka ndodhur në Shqipërinë komuniste dhe kur rri e mendoj thellë habitem si nuk jemi prishur mendsh të gjithë. Ndaj është vërtetë e jashtëzako­nshme të shpërthesh këtë errësirë, të mbetesh mendje e lirë. Të dish çfarë është liria është një gjë. Të vendosësh të dalësh hapur dhe të përballesh është tjetër. “Historia ka shumë pak përgjigje si t’ia bësh me tiranin”, ka shkruar disidenti polak, Adam Mihnik. Një është të zgjedhësh rrugën e kryengritj­es, që ndodh më së shumti në vitet e para të instalimit të diktuarës, siç e kemi parë edhe në Shqipëri. Këtë rrugë e zgjedhin fare pak njerëz, të cilët i nderojmë si modele të guximit heroik, si heronj kombëtarë.

Rruga tjetër është t’i ikësh tiranit sa më larg të jetë e mundur. Këtë rrugë kanë zgjedhur qindra emigrantë politikë shqiptarë, që vunë jetën në rrezik në kërkim të botës së lirë.

Më në fund mbetet për t’u zgjedhur forma e vetëpërsht­atjes së brendshme mbi bazën e asaj që duket më e mundshme për t’u realizuar në rrethanat konkrete. Shkrimtarë­t tanë me të mirë të periudhës së komunizmit zgjodhën këtë formë për t’u realizuar si shkrimtarë.

Havzi Nela veproi në rrethanat që e çuan të zgjidhte përgjigjen e dytë- arratinë- që mjerisht i rezultoi e pasuksessh­me dhe pastaj përgjigjen e parë- kryengritj­en që në rrethanat e tij do të ishte mendore. Ai s’pushoi së demaskuari shtypjen dhe së predikuari lirinë e demokracin­ë perëndimor­e. Ka të drejtë Petrit Palushi kur në librin për ridënimin e Havziut shkruan se në lidhjen e tyre mendimet e tij janë si një Promemorie e Lirisë,

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania