Panorama (Albania)

ARTAN FUGA

-

Kush vë dorë mbi ndërtesën e Teatrit Kombëtar, njësoj si t’i ketë vënë minat monumentit “Nëna Shqipëri”! Godina e Teatrit Kombëtar simbolizon materialis­ht dhe në përmasa reale historinë dhe trashëgimi­në e teatrit shqiptar që bashkë me gjuhën, median e shkruar, pra edhe teatri, kanë mbajtur gjallë kombin gjatë shekullit XX. Kush vendos dorën e vet shkatërrim­tare mbi këtë ndërtesë, është njësoj sikur ka vendosur minat te monumenti “Nëna Shqipëri”! Pikë! Kaq është! Do të ishte vërtet mbinjeri ai që do ta kishte këtë guxim. Po të mos ishte kaq serioze, do të kisha pasur qejf të thërrisja: Lëreni, a do të ketë ndokush mbifuqinë të vërë dorë mbi të? A ka një njeri të tillë Shqipëria? Ata që e pranojnë shkatërrim­in e ndërtesës janë ballabanë! Ajo godinë duhet restauruar deri te WC e fundit. A duhet një godinë e teatrit? Jo një, sepse ky është koncept tej e tej monist, por duhen disa ndërtesa teatrosh në Tiranë. Çdo rajon teatrin e vet. Pra, nuk ka lidhje ndërtimi i ndërtesave të reja me shkatërrim­in e shkallmimi­n e ndërtesës të teatrit të vjetër. Ajo zonë duhet zhvilluar? Sigurisht! Çfarë është zhvillimi? Të restaurosh një monument kulture, themel i kombit, apo të ndërtosh kulla dhe hedhur beton, hekur dhe qelq mbi asfalt? Tulla e llaç? Po. Sepse historia e shkruar vetëm në materie ruhet. Dramat janë regjistrua­r në media, kurse fjalët e thëna në skenë nuk ekzistojnë më. Aktorët bëjnë shumë mirë që rezistojnë. Por, edhe po qe se aktorët bien dakord për ta prishur ndërtesën e teatrit, ata bëhen menjëherë ballabanë dhe mbi të gjitha, ata kanë të drejtë të thonë “jo”, sepse po thanë “po” - kjo fjalë aprovuese nuk ka asnjë vlerë, sepse teatrin kanë detyrë ta mbrojnë, por nuk kanë të drejtë ta shesin! Ndërtesa nuk është pronë e aktorëve, u është dhënë nga kombi për përdorim, ta ruajnë, zhvillojnë dhe mbrojnë! Ai është i historisë kombëtare!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania