Vdekja e Anxhelës, në hetim italiani 63- vjeçar, ishte klienti i fundit
Shoqërimi pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë, lirohet pasi merret në pyetje. I bllokohet makina për verifikime
Hetimi për vdekjen e 20- vjeçares nga Fieri Anxhela Meçani në Itali kanë marrë rrjedhë tjetër, pas daljes së rezultateve të autopsisë.
Hetimorët kanë deklaruar se nga tërësia e veprimeve të kryera deri më tani, por edhe nisur nga rezultati i autopsisë, dyshohet se 20- vjeçarja është përplasur nga një mjet, i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia thekson se është ende herët për të dalë në një konkluzion nëse përplasja ka qenë e qëllimshme apo aksidentale. Por ajo që deklarohet të paktën deri më tani është fakti se ndryshe nga sa u dyshua, se e reja ishte hedhur nga një makinë dhe përplasur në asfalt, ajo është përplasur nga një automjet. Përplasja i ka shkaktuar asaj dëmtime të rënda duke e bërë të pamundur shpëtimin e saj, ndonëse në spital mbërriti e gjallë. “Autopsia tregon se ajo është shtypur nga një makinë që ma pas ka ikur me shpejtësi pa e ndihmuar”, bën të ditur Policia italiane. Në fjalët e fundit në spital, raportohet se Anxhela ka treguar për mjekët se “nuk më pagoi, unë rashë”, çka orientoi edhe hetimin fillimisht në dyshimin se dikush e kishte hedhur atë nga makina.
Mediat italiane raportuan dje se Policia kishte shoqëruar edhe një 63- vjeçar, i cili dyshohej të kishte qenë klienti i fundit i saj. Por pasi u mbajt gjithë natën në pyetje, ai u lirua pasi nuk pati prova për t’i adresuar atij akuzën e vrasjes. Operacioni u zhvillua në krahinën e Cuneos ku jeton personi i ndaluar, i cili u hetua për vrasje. Zbulimi i tij është bërë pas pamjeve të kamerave të sigurisë të sekuestruara nga Policia dhe të hetuara me kujdes. Mediat italiane raportuan se 63- vjeçari, pasi ka kaluar gjithë natën në Polici duke u marrë në pyetje, është lënë sërish i lirë, pasi nuk kanë qenë elementët dhe provat e mjaftueshme për ta mbajtur të ndaluar me akuzën e vrasjes. Makina e tij “Mercedes” u sekuestrua dhe iu nënshtrua disa inspektimeve, për të verifikuar nëse ishte ajo makina nga e cila gjeti vdekjen shqiptarja. Hetimet tashmë vijojnë për të kuptuar rolin që ka pasur 63- vjeçari në këtë krim dhe se si vdiq Anxhela, nga kush u përplas dhe përse.
Anxhela Meçani humbi jetën në spitalin e “Santa Croce di Moncalieri” më 10 qershor, pasi u transportua në gjendje të rëndë, nga plagët e shumta që kishte marrë nga goditja. Ngjarja ndodhi në një rrugë në Torino, në zonën e Nichelino- s. Ka qenë një shofer ai, i cili ka parë këtë ngjarje të rëndë dhe nga ku raportoi fillimisht se e reja është hedhur nga makina dhe më pas është shtuar shpejtësia. Policia italiane mbërriti në vendngjarje. E reja u dërgua në spital në gjendje kritike, ku gjeti vdekjen një ditë më vonë. Mjekët thanë se vdekja e 20- vjeçares, e cila, sipas mediave italiane, ishte prostitutë, është shkaktuar nga përplasja në asfalt. Vajza e re kishte pasur një mori pengesash për të fituar një jetë të stabilizuar në shtetin fqinj. Për të fituar letrat, ajo ishte martuar edhe me një të moshuar italian, por kjo lidhje përfundoi pak muaj më vonë pasi ai mësoi qëllimin e vajzës. Kohët e fundit ajo ishte rilidhur me djalin, me të cilin kishte ikur para disa vitesh në Itali, të cilin e kishte njohur nëpërmjet rrjetit social “Facebook”. Ky i fundit nuk i ka dhënë Policisë asnjë detaj që t’i ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes. Ai ka mohuar kategorikisht që Anxhela të punonte si prostitutë, duke u thënë se ajo ishte e papunë dhe po kërkonte të bënte dokumentet pasi nuk mund të kthehej as në Shqipëri për të parë familjen e saj.