Danimarka i falet Jurarit, Guererro zëvendësues s'mjafton
Me Francën favorite në grupin C, vendi i dytë do të jetë një luftë treshe mes Australisë ( sidomos pas asaj që u pa dje) dhe Perusë e Danimarkës. Sfida e djeshme ishte e ekuilibruar dhe si e tillë nisi. Në tonalitetin e saj, skuadra daneze kishte më shumë talent dhe përvojë, teksa peruanët habitën me dëshirën dhe shpejtësinë e tyre. Te Peruja, Gareka hodhi në fushë një formacion ku mungonte ylli Guerrero dhe fantazia në sulm iu besua Xheferson Farfanit. Age Heraide u kundërpërgjigj me aksin Kjaer, Eriksen, Sisto, rreth të cilëve u sigurua kualifikimi në Rusi dhe logjikisht edhe shpresat botërore të danezëve. Në minutën e 38- të tentoi Shëne e një minutë më pas Eriksen, por Galese tha dy herë "Jo". Megjithëse ekipet luajtën vazhdimisht me vertikalizime për të kërkuar golin, pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Shansi i artë ishte për peruanët erdhi në minutën e 45- të kur fituan edhe një 11 metërsh, që u akordua falë teknologjisë. Ekzekutimin e mori përsipër Kueva, i cili, për fatin e tij të keq, as nuk shenjestroi dot kuadratin e mbrojtur nga Shmajkël.
Fraksioni i dytë- Pjesa e dytë nisi me ritëm të shpejtë. Në minutën e 48- të danezët rrezikojnë me Nikolai Jorgensenin, i cili nuk shfrytëzon si duhet një krosim të Sistos. Sulmet peruane thyhen lehtë teksa Danimarka jep idenë se mund të gjejë golin nga minuta në minutë dhe ashtu ndodh. Pas tentativave të Jorgensen dhe Eriksen, është Jusuf Polsen ( Jurari) që gjen rrjetën e avantazhit. I dyshimtë pozicioni i tij, por që nuk korrigjohet nga teknologjia dhe goli bëhet i rregullt. Peruanët kërkojnë të reagojnë menjëherë, por as Farfan dhe as i sapofuturi Guerrero nuk arrijnë të mposhtin numrin 1 danez që ndal çdo përpjekje në drejtim të portës së tij. Në minutat e fundit, Farfan dhe Advinkula kanë ndoshta shanset më të pastra të takimit, por përsëri gardiani danez u mohon kënaqësinë e golit botëror. Edhe pesë minutat shtesë të akorduara nga gambiani Gasama nuk sjellin ndryshim të rezultatit, me Danimarkën që i bashkohet Francës me tri pikë në krye të grupit C.