Emigrantët, Xhafaj: Nevojitet vëmendje më e madhe nga Brukseli
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, gjatë vizitës dyditore në Bruksel zhvilloi një takim me komisionerin për Migracionin, Punët e Brendshme dhe Shtetësinë të Bashkimit Europian, Dimitris Avramopoulos, ku u fol edhe për emigrantët e paligjshëm. "Në lidhje me migracionin e parregullt, autoritetet shqiptare kanë një marrëdhënie shumë bashkëpunuese me homologët grekë, si vendi me prurjet më të mëdha të flukseve migratore gjatë muajve të fundit, por në këtë fushë nevojitet një vëmendje më e madhe e Brukselit për rritjen e kapaciteteve të strukturave tona kufitare", theksoi ministri Xhafaj. Në fillim të takimit, Avramopoulos vlerësoi shumë pozitivisht rezultatet mbresëlënëse të arritura gjatë këtij viti nga Ministria e Brendshme dhe Policia shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, menaxhimit të kufijve dhe në çështjet që lidhen me azilkërkimin dhe migracionin e parregullt. Ai theksoi se janë rezultate që kanë mbështetjen e përkrahjen e fortë të vendeve anëtare të BE- së. Komisioneri rikonfirmoi mbështetjen për aderimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke theksuar se me anë të pozicionit të tij si komisioner, do të mbështesë deri në fund aspiratat e Shqipërisë drejt familjes europiane. Ministri Xhafaj çmoi punën e deritanishme që komisioneri ka bërë në lidhje me adresimin e sfidave të Ballkanit Perëndimor, por veçanërisht për mbështetjen e pakursyer që ai ka dhënë për vendin tonë. Nga ana tjetër, z. Xhafaj theksoi nevojën për krijimin e Qendrës Rajonale të Përbashkët për Bashkëpunimin Policor, si një instrument për t'iu bërë ballë sfidave të përbashkëta.