Katër deputetët socialistë që fituan 78 milionë euro tendera
PD: Vetëm Beqaj ka përfituar tendera me vlerë 29 milionë eur o
Partia Demokratike ka akuzuar dje Kryeministrin Edi Rama se u ka dhënë fonde publike, nëpërmjet tenderave, katër deputetëve të Partisë Socialiste.
Drejtuesja e Departamentit Antikorrupsion në PD, Lealba Pelinku, ka deklaruar dje se katër deputetët socialistë, Ilir Beqaj, Sadri Abazi, Xhemal Qefalia dhe Pjerin Ndreu, kanë fituar 78 milionë euro nga tenderat. Kjo, qëkur qeveria drejtohet nga Kryeministri Edi Rama. Sipas zyrtares së PD- së, kompanitë e mbështetura nga deputetët e PS- së kanë fituar tenderat pa garë. Demokratët kanë publikuar tenderin e fundit të fituar, sipas tyre, nga kompania e deputetit të PS- së, Ilir Beqaj, e cila kap vlerën e 1.1 milionë eurove. “Që kur ka ardhur në pushtet, Edi Rama e ka përqendruar shpërndarjen e taksave të rritura të shqiptarëve në pak duar, që janë ose miq të tij, ose klientë, ose deputetë, me të cilët blen dhe mban pushtetin. Janë të paktën 4 deputetë të tij, që përfitojnë para publike nëpërmjet kompanive të tyre, në shumicën dërrmuese të rasteve pa garë. Ilir Beqaj është njeriu më i afërt i Edi Ramës, i cili, edhe pse nuk është më ministër, vazhdon të marrë me qindra milionë lekë nga taksat e shqiptarëve”, ka thënë Lealba Pelinku. Për drejtoreshën e Departamentit Antikorrupsion në PD, tenderi i fundit, botuar më 18 qershor të këtij vitit në buletinin zyrtar, bën të ditur se firma “Intech+” është shpallur fituese për projektin e “Mirëmbajtjes së sistemit të thesarit të shtetit”. “Rasti më i fundit është ai i shpalljes fituese të kompanisë ‘ Intech+’, e zotëruar de facto prej Beqajt. Në një tender pa asnjë konkurent, shoqëria e ish- ministrit që rrënoi shëndetësinë, u shpall fituese për 1 mld e 362 mln lekë ose 1,1 mln euro, duke pasur ofertë gati të njëjtë me fondin limit, pa i kursyer buxhetit gati asnjë qindarkë. 1.1 milionë euro, të fituara së fundmi nga taksat e rritura të shqiptarëve, i shtohen pasurisë së Ilir Beqajt, i cili, që kur Rama është bërë Kryeministër, ka përfituar tendera me vlerë 29 milionë euro”, tha dje në një dalje për mediat Pelinku. FITUESIT
Sipas demokratëve, një tjetër deputet i Partisë Socialiste që ka përfituar nga fondet publike, është Sadri Abazi. Sipas Lealba Pelinkut, firmat e mbështetura nga Abazi kanë fituar 34 milionë euro. Kompanitë e mbështetura nga të afërmit e Sadri Abazit janë denoncuar edhe në media për shpalljen si fitues të tenderave publikë edhe me dokumentacion të falsifikuar. “Prej kohës kur Edi Rama është Kryeministër, Sadri Abazi ka fituar tendera me vlerë 34 milionë euro nga paratë publike. Media raportoi pak kohë më parë se në shumë prej tenderave, kompania ka paraqitur dokumentacion fals, por nga Prokuroria, nën kontrollin e Edi Ramës, nuk ka asnjë reagim”, tha dje zyrtarja e PD- së. Ndërkohë që sipas drejtoreshës së Departamentit Antikorrupsion në PD, dy deputetët e tjerë që kanë fituar shuma të mëdha, janë Xhemal Qefalia dhe Pjerin Ndreu. “2 deputetët e tjerë të Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia dhe Pjerin Ndreu, kanë përfituar secili nga tenderat publikë prej 8.1 dhe 7 milionë euro. Këta të 4 deputetë të Edi Ramës, Ilir Beqaj, Sadri Abazi, Xhemal Qefalia dhe Pjerin Ndreu, kanë përfituar së bashku 78 milionë euro nga paratë publike të shqiptarëve, të cilëve ata u kanë rritur çdo vit taksat në Parlament. 78 milionë euro nga pasuria publike për 4 deputetë është rekord i babëzisë së pushtetit të Edi Ramës, i cili si qëllim të vetëm ka pasurimin e tij dhe të njerëzve të afërt të tij për të blerë pushtetin dhe për të sunduar shqiptarët”, u shpreh ajo.