PD dhe LSI, letër Ruçit për anulimin e ligjit të Teatrit: Votimi u falsifikua
BASHA THIRRJE AMBASADOREVE DHE PRESIDENTIT: MOS E DEKRETO
Pas qëndrimit të ditës së enjte, ku maxhoranca votoi me 75 vota pro projektligjin që i hap rrugë prishjes së Teatrit Kombëtar, Partia Demokratike ka mbledhur dje grupin e saj parlamentar.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura, demokratët kanë vendosur të mos bojkotojnë punimet e Parlamentit. Ata do të jenë të pranishëm në seancën e ditës së hënë dhe ditës së enjte, ndërkohë që kanë vendosur që të mbajnë marrëdhënie të kushtëzuara me komisionet parlamentare. Demokratët do të jenë të pranishëm vetëm në disa komisione për të denoncuar aferat korruptive, të cilat pretendon pakica parlamentare. Por vendimi i grupit është që të mos lejohet zhvillimi normal i punimeve të Kuvendit. Ndërkohë që deputetëve u është lënë porosi që të jenë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët.
QËNDRIMI Pas përfundimit të mbledhjes së grupit të PD- së, Lulzim Basha në një deklaratë për shtyp i ka bërë thirrje Presidentit Ilir Meta që të mos e dekretojë projektligjin, që i hap rrugë prishjes së Teatrit Kombëtar. “Është njeriu që e ktheu Tiranën në një lavatriçe të pastrimit të parave me lejet e ndërtimit, por tani po e kthen gjithë Shqipërinë në një lavatriçe të pastrimit të parave të pista të drogës. Edi Rama nuk ka për t’u ndalur me kaq. Ai duhet ndalur! Ne i bëjmë thirrje Presidentit të mos dekretojë ligjërimin e vjedhjes. Ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve t’u bashkohen artistëve, aktivistëve dhe të gjithë atyre që kanë protestuar me kurajë prej muajsh. Forca e vetme që ka Edi Rama është indiferenca dhe mosveprimi. Bashkë, nuk ka njeri që ta shembë Teatrin!”, ka thënë Basha. Kreu i PD- së tha se opozita është e gatshme për çdo aksion, madje edhe për djegien e mandateve. “Jemi të vendosur t’i ndjekim hap pas hapi të gjitha etapat dhe të gjitha opsionet, ku djegia e mandatave është opsioni më i lehtë”, tha ai.
THIRRJA Lideri i PD- së, thirrjen e dytë e ka adresuar për ndërkombëtarët, të cilëve u ka kërkuar që të shikojnë pro- jektin e qeverisë Rama, të cilin e ka quajtur si “pastrim i parave të pista të krimit”. “Iu bëj thirrje ambasadorëve të vendeve tona partnere, ja ku keni një projekt të pastrimit të parave të pista të krimit, ja ku keni një krim që dhunon haptazi sundimin e ligjit, ja ku keni një akt që bie ndesh me detyrimet e integrimit europian, ja ku keni një tufë me peshq të mëdhenj. Nëse nuk flisni sot, nuk ka për t’ju besuar askush kur të flisni nesër. Babëzia dhe hajdutëria e Edi Ramës kanë konsumuar dje aktin më të rëndë të ligjërimit të vjedhjes dhe pastrimit të parave të drogës. Por beteja vazhdon dhe do të vazhdojë derisa ta ndalim, derisa ta mundim këtë taleban të kulturës dhe narkoman, që në fakt janë e njëjta gjë”, ka thënë ai. Basha ka paralajmëruar se do të përballet me qeverinë në sheshe dhe rrugë, madje do të jenë në krahë të artistëve për të ndaluar shembjen e Teatrit. “Ne do të përballemi në rrugë dhe në sheshe. Ne do të mbështesim pa asnjë hezitim çdo akt të paralajmëruar nga artistët në ambientet e Teatrit e kudo . Por po e them sot para jush, le ta dëgjojë mirë çdokush, kryehajduti dhe banda e tij posaçërisht: Parlamenti i kthyer në noter të akteve kriminale korruptive të Edi Ramës e aq më tepër kur ai ka asgjësuar të gjitha institucionet e drejtësisë, do të çlirohet nga banda e hajdutëve ose do të zhbëhet nga forca e njerëzve të bashkuar, që janë më shumë dhe më të fortë se 75 hajdutët”, ka thënë ai.