Panorama (Albania)

Princesha Elia sqaron firmën për shembjen e Teatrit, regjisori Çipi: Përfiton nga pushteti

PD DENONCON KOMPANINE “FUSHA”. SALIANJI: SUBJEKT I LIGJIT ANTIMAFIA

- KASTRIOT ÇIPI Shumë sinqerisht, Kastriot Çipi

Atë që u trumbetua nga makina gëbelsiane e propagandë­s Rama- Veliaj si “marrëveshj­a me komuniteti­n e artistëve”, kolegia Zaharia e përshkruan si “një rreze dielli në horizontin e trazuar të muajve të fundit”. Si ka mundësi që nuk është njohur me deklaratat e SASE- s, ku ajo zyrtarisht është ende anëtare?

Regjisori Kastriot Çipi nuk ka mundur të mos i kthejë një përgjigje Elia Zaharia Zogut, pas reagimit të saj mbi firmën e hedhur për shembjen e Teatrit Kombëtar. Çipi merr me radhë argumentet që Zaharia rendit në sqarimin e saj, por më shumë se për të “hedhur poshtë” argumentet e saj, Çipi i drejton disa pyetje, duke “i hapur sytë” në një farë mënyre mbi dëgjesat e kryebashki­akut Erion Veliaj me artistët. Duke e akuzuar se Familja Mbretërore “përfiton”, duke e mbajtur mirë me pushtetin, Çipi i drejtohet asaj, por edhe gjithë artistëve që kanë nënshkruar peticionin: “Nëse një ditë pendoheni për qëndrimin tuaj, letra e hapur e artistëve që kërkojnë ndërtimin e teatrit të ri, paralelish­t me restaurimi­n apo rindërtimi­n e teatrit të vjetër, do të jetë e hapur për firmat tuaja”.

“KEQKUPTIME­T” SI ALIBI E PERSONAZHE­VE TË RRESHTUAR PËRKRAH QEVERISË

Kolegia Elia Zaharia, një nga 64 firmëtarët e letrës së hapur, të nisur nga kolegu Artan Imami, është orvatur sot, përmes një statusi në profilin e saj në “Facebook”, të sqarojë “keqkuptime­t” mbi zgjedhjen e saj. Me këtë shkrim, po i jap shansin t’i sqarojë vërtet të gjitha keqkuptime­t e mundshme, duke e ftuar t’i përgjigjet disa pyetjeve të thjeshta.

Ajo thotë se është kundër shembjes së ndërtesave të vjetra dhe për këtë sjell si shembull Piramidën ( që në fakt është ndërtesë e re, vetëm 30vjeçare) dhe thotë madje se në këtë rast opinioni i saj është i kundërt me atë të bashkëshor­tit, Princit Leka. Do të ishte interesant­e të dinim mendimin e Princit Leka për çështjen e Teatrit Kombëtar, por ai ka zgjedhur të heshtë. As bashkëshor­tja e tij nuk na e thotë.

Më tej, ajo na siguron se do të ndiejë dhimbje kur të shembet Teatri Kombëtar, njësoj siç deklaronte pak ditë më parë edhe nismëtari i letrës në fjalë, kolegu Imami dhe po ashtu, njësoj si ai, e ve theksin te degradimi i ndërtesës.

Çuditërish­t, kolegia Zaharia shprehet e vendosur pro dialogut mes palëve pro e kundër shembjes, por nuk ka asnjë opinion për Kryeminist­rin që i thirri artistët, ndër të cilët edhe kolegen Zaharia, në Kryeminist­ri dhe u tha: “Teatri Kombëtar do të shembet. ‘ Mbledhja’ që ka nisur para 20 vjetësh, mbaroi sot”! Vallë ky është dialogu tek i cili beson kolegia Zaharia?!

Pse nuk thotë një fjalë kolegia Zaharia për talebanen që kemi për ministre Kulture, që ka plot 5 muaj ( 8 shkurt– 8 korrik) që refuzon të takohet me kolegët e saj?

Nëse është pro dialogut, si ka mundësi që ka firmosur një letër të hartuar pas një dëgjese të vetme me artistë ( Dhe asnjë dëgjese me qytetarë!), ku thuhet se: “Prej momentit kur mendimi i ekspertizë­s institucio­nale që ka lidhje me arkitektur­ën, inxhinieri­në e ndërtimit, zjarrfikës­it etj., është shprehur në formë të qartë në lidhje me këtë çështje, çdo ditë që kalon është thjesht humbje kohë me debate, të cilat mund t’i shërbejnë kujtdo, por jo interesave të publikut dhe Teatrit Kombëtar”? Kjo është ftesë për dialog apo kërkesë për mbylljen e dialogut, pa nisur mirë? Ku janë ekspertiza­t zyrtare që provojnë se ndërtesat e TK e TKE nuk mund të rindërtohe­n apo restaurohe­n?

Kolegia Zaharia na qenkësh entuziazmu­ar nga dëgjesat farsa të kryebashki­akut, me drejtorë institucio­nesh, klientë bashkie e artistë të mirëfinanc­uar me projekte nga Ministria e Bashkia. Ajo e quan moment entuziazmi edhe takimin e tre kolegëve me kryebashki­akun, por nuk na sqaron ku bazohet kur thotë se ata “ishin deleguar për të filluar negociatat, bashkëbise­dimet konstrukti­ve në emër të komuniteti­t”?!

Atë që u trumbetua nga makina gëbelsiane e propagandë­s Rama- Veliaj si “marrëveshj­a me komuniteti­n e artistëve”, kolegia Zaharia e përshkruan si “një rreze dielli në horizontin e trazuar të muajve të fundit”. Si ka mundësi që nuk është njohur me deklaratat e Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit ( SASE), ku ajo zyrtarisht është ende anëtare? Si ka mundësi që nuk i ka dëgjuar zërat e kolegëve, me qendër zëri në sheshin e Teatrit, që ndodhet vetëm 50 metra në vijë ajrore nga Pallati Mbretëror?

Më tej, kolegia Zaharia bën një “ngatërrim të rëndë teksti”, nga ata që u ndodhin ndonjëherë aktorëve në skenë dhe që e lenë “pa tekst” partnerin. Ajo thotë se, vetëm pasi u arrit kjo “marrëveshj­e” mes Veliajt dhe “komuniteti­t të artistëve”, kolegu Imami përpiloi letrën e hapur. Në fakt, “teksti i autorit” thotë se kolegu Imami e lexoi letrën e hapur në fillim të dëgjesës së përbashkët me artistë e arkitektë, më 25 qershor, ndërsa “marrëveshj­a” me tre “përfaqësue­sit e komuniteti­t” u arrit më 27 qershor.

Duke cituar pikë për pikë deklaratën e Veliajt për “marrëveshj­en” në fjalë, kolegia Zaharia thotë se: “Artistëve iu premtua që asnjë centimetër nuk do të prekej nga sipërfaqja e teatrit... u fol për dy përfaqësue­s nga komuniteti, të cilët do të ndiqnin zhvillimet e mëtejshme... bashkia u zotua të kërkonte modifikime­t e duhura në interes të teatrit nga projekti i propozuar... të diskutohej integrimi apo ruajtja e pjesëve identifiku­ese si fasada apo rindërtimi i skenës sipas modelit të saj aktual”.

Le të supozojmë për një çast se kolegia Zaharia dhe kolegë të tjerë të rreshtuar përkrah Qeverisë, janë keqkuptuar apo mashtruar nga deklarata e z. Veliaj e mesditës së 27 qershorit. Atëherë, pse nuk reaguan kur projektlig­ji u miratua nga Qeveria po atë mbrëmje? Të nesërmen, projektlig­ji u bë publik dhe u depozitua në Kuvend. Ku janë në tekst zotimet e kryebashki­akut? Si ka mundësi që projektlig­ji nuk ka as hartë, as referenca për sipërfaqet që do të negociohen? Veliaj, Kumbaro e më pas Ahmetaj kanë folur për 1156 m2 ndërtim të Teatrit Kombëtar. E beson vërtet kolegia Zaharia dhe kolegët e tjerë se sipërfaqja e Teatrit Kombëtar është kaq? Më e vogël se ajo e Turbinës? Po sipërfaqja e Teatrit Kombëtar Eksperimen­tal, sa është? Po oborri, pishina dhe zdrukthëta­ria? Po trualli i parkingut të bashkisë? Po “Fusha shpk”, me sa m2 truall po investon në këtë sipërmarrj­e? Po vlerën 30 milionë euro të teatrit të ri, kush e llogariti?

Duke iu rikthyer letrës së hapur të kolegut Imami, kolegia Zaharia na thotë se, “Asnjë rresht në letrën e tij të hapur nuk përmend shembjen e teatrit... Nuk mendoj se është mëkat të kërkosh parametra dhe kapacitete europiane në një teatër dinjitoz kombëtar... Nëse është e mundur të ndërtohet ky teatër i ri modern dhe krahas tij të restaurohe­t apo rikonstruk­tohet ai ekzistues, kjo do të ishte një zgjidhje ideale dhe ne të gjithë do të ishim shumë të lumtur!” Pyetja në këtë rast është, pse kolegia Zaharia dhe 63, 66 apo 67 kolegët e tjerë nuk e nënshkruaj­në letrën e hapur të 130 kolegëve të tjerë që kërkojnë pikërisht këtë gjë: ndërtimin e teatrit të ri dhe rindërtimi­n apo restaurimi­n e teatrit të vjetër?

Së fundi, nuk mund të lë pa përmendur aspektin ligjor të kësaj afere mafioze. Edhe për këtë do të doja një përgjigje nga kolegia Zaharia, këtë herë në cilësinë e saj si Princeshë e Kurorës. Nëse Shqipëria do të ishte mbretëri dhe ajo do të ishte mbretëresh­a e Shqipërisë, a do të dekretonte ajo një ligj special, me procedurë të përshpejtu­ar, që anashkalon katër ligje të tjera, MSA dhe Kushtetutë­n e Shqipërisë? Kam frikë se po, nëse është e vërtetë ajo që thuhet në media, se familja princërore ka marrë një leje ndërtimi në sheshin midis Hotel “Dajtit” dhe Katedrales së Shën Palit.

E dashur kolege Zaharia, të dashur kolegë që keni nënshkruar apo jeni shprehur publikisht pro ligjit special antikushte­tues të Qeverisë, mos u fshihni prapa gishtit. Keni pranuar që ndërtesat historike të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimen­tal të shemben, që 8 mijë m2 truall publik të shkëmbehen me një ndërtim që vlen shtatë herë më pak, që vendimet për trashëgimi­në historike dhe kulturore t’i marrë një individ i vetëm: Kryeminist­ri! Shkurt, keni pranuar që Shqipëria të jetë diktaturë apo monarki absolute, cilindo term të keni më për zemër. Nëse një ditë pendoheni për qëndrimin tuaj, Letra e Hapur e artistëve që kërkojnë ndërtimin e teatrit të ri, paralelish­t me restaurimi­n apo rindërtimi­n e teatrit të vjetër, do të jetë e hapur për firmat tuaja. Deri atëherë, shijoni përfitimet që ju jep afërsia me pushtetin dhe kursejini alibitë e rreme me keqkuptime e keqinterpr­etime.

 ??  ?? Elia Zaharia
Elia Zaharia
 ??  ?? Kastriot Çipi
Kastriot Çipi
 ??  ?? GODINA E TEATRIT KOMBETAR
GODINA E TEATRIT KOMBETAR
 ??  ?? Regjisori Kastriot Çipi
Regjisori Kastriot Çipi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania